Një valë lulëzimi | WeBalkans | EU Projects in the Western Balkans

Një valë lulëzimi

Nxjerrja e anijeve të mbytura në Luftën e Dytë Botërore mundëson lundrim më të sigurt në Danub dhe nxitje të ekonomisë së Serbisë.

SCROLL DOWN

Danubi është lumi i dytë më i gjatë evropian dhe përshkon dhjetë shtete. E gjithë shtrirja e tij në Serbi (588 km) është e lundrueshme, por rrjedha ujore e Danubit është shumë më e ngushtë në grykën e Djerdap-it për shkak të numrit të madh të mjeteve lundruese që janë mbytur aty gjatë fundit të Luftës së Dytë Botërore.

Në këtë seksion të lumit Danub, në drejtim të rrjedhës së sipërme të portit Prahovo, rrjedha ujore është vetëm 180 metër e gjerë dhe 23 anijet e fundosura aty e ngushtojnë këtë seksion në 100 metra. Prandaj, një projekt i mbështetur nga Banka Evropiane e Investimeve për nxjerrjen e këtyre anijeve të fundosura është me rëndësi të madhe, sepse pengesat nën ujë pengojnë lundrimin, veçanërisht kur niveli i ujit është i ulët. Pjesa e parë e projektit përqendrohet në gjetjen e mënyrës së duhur për të hequr minat dhe lëndët e rrezikshme nga anijet, si dhe përcaktimin e vendndodhjeve të tyre të sakta.

“Investimi do të përmirësojë qarkullimin lumor në Serbi, pasi vendi humbet deri në 5 milionë euro në vit për shkak të lundrimit të pasigurt në këtë seksion të Danubit”.

Zorana Mihajlović

Lundrim më i sigurt dhe i shpejtë në Danub

Disa nga pjesët e anijeve që kanë qëndruar të fundosura në Danub për më shumë se shtatë dekada do të vendosen në ekspozitë, ndërsa pjesët e tjera do të rikthehen në Gjermani. Pastrimi i shtratit lumor do ta bëjë lundrimin në këtë pjesë të lumit shumë më të sigurt dhe të shpejtë, si dhe do të sjellë përmirësim mjedisor. Investimi do të përmirësojë qarkullimin lumor në Serbi, pasi vendi humbet deri në 5 milionë euro në vit për shkak të lundrimit të pasigurt në këtë seksion të Danubit, sipas ish-Ministrit të Ndërtimit, Transportit dhe Infrastrukturës, Zorana Mihajlović.

Projekti për nxjerrjen e anijeve do të financohet nëpërmjet një huaje nga Banka Evropiane e Investimeve (EIB), me kushte shumë të favorshme, në bashkëpunim me Qeverinë e Serbisë.

“Rikthimi i sigurisë së lundrimit në Danub është ajo që duam të arrijmë: heqjen e pengesave dhe tejkalimin e barrierave të dukshme dhe të padukshme, në këtë rast, nën sipërfaqen e ujit”, tha Sem Fabrizi, Ambasadori i BE-së në Serbi.

Integrimi në BE është para së gjithash një proces paqeje dhe bashkimi. Që prej themelimit, BE-ja është përqendruar te tejkalimi i vështirësive të së shkuarës dhe hapja e rrugës për integrimin të mëtejshëm. “Jemi përkushtuar ta bëjmë Serbinë dhe të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor pjesë të kësaj aventure të mrekullueshme”, tha Fabrizi.

“Të gjithë në këtë vend janë të lidhur emocionalisht me këtë lumë që shpalos histori të rëndësishme të së shkuarës”.

Dubravka Negre

Lumi përfaqëson një burim të vyer natyror për energji, ushqim dhe ujë të pijshëm, duke prodhuar 22% të furnizimit kombëtar me energji. Njëkohësisht, ai shtrihet përgjatë një itinerari të rëndësishëm lundrimi, duke mundësuar transport me kosto efektive në tregjet rajonale dhe të BE-së.

Dubravka Negre, Drejtoresha e EIB-së në Ballkanin Perëndimor, shprehet se ky projekt është i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të Serbisë, por ka edhe domethënie të madhe historike. Të gjithë në këtë vend janë të lidhur emocionalisht me këtë lumë që shpalos histori të rëndësishme të së shkuarës”, thotë ajo.

Negre shton se, nëpërmjet kontributit për zgjerimin e lidhjeve ekonomike ndërkombëtare, lumi rilidh popujt e Ballkanit që ndajnë një të shkuar të përbashkët. Sot, pas shumë dekadash, ata mund të takohen në të njëjtën rrugë drejt një tregu të ri të përbashkët me vlera dhe perspektiva evropiane për një të nesërme më të mirë.

Dy fjalë rreth EIB-së

Banka Evropiane e Investimeve është huadhënësja kryesore e Bashkimit Evropian. EIB-ja është institucioni financiar shumëpalësh më i madh në botë dhe një nga ofruesit më të mëdhenj për financimin e klimës, duke investuar për një të ardhme të qëndrueshme për të gjithë. Banka Evropiane e Investimeve është aktive në Serbi që prej vitit 1977 dhe ka investuar mbi 6 miliardë Euro në projekte të ndryshme. Pjesa më e madhe e fondeve, thuajse 40% (2.1 miliardë Euro), është investuar në projekte transporti, nga të cilat 165 milionë Euro janë investuar në sektorin energjetik.

 

Photo credits: European Investment Bank

 

This is an adaptation of an article published by the European Investment Bank. Read the original article

 

Please wait while your video is being uploaded...

Don't close this window!

Subscribe to the newsletter

I have read and understood the terms of the privacy statement.