Një mundësi për të vegjlit romë në kohërat e koronavirusit | WeBalkans | EU Projects in the Western Balkans

Një mundësi për të vegjlit romë në kohërat e koronavirusit

Një bibliotekë me lodra në Bosnje dhe Hercegovinë, u jep fëmijëve të cenueshëm mundësinë të luajnë dhe nxënë edhe gjatë pandemisë.

SCROLL DOWN

Denisi* pesëvjeçar e sheh veten si mjek dhe dëshiron të bëhet i tillë kur të rritet. Çdo ditë, Denisi vizaton njerëz me veshje mjekësore dhe luan si shërues i fëmijëve të tjerë, të cilëve u referohet si pacientët e tij. E gjithë kjo krijimtari do të kishte mbetur e pazbuluar nëse nuk do të ishte për bibliotekën novatore me lodra të krijuar në qendrën Romalen për mbështetjen e romëve në qytezën e Denisit, Kakanj, në Bosnje dhe Hercegovinën qendrore. Lodrat dhe librat me tregime të cilësisë së lartë të bibliotekës e kanë bërë atë shumë të suksesshme në komunitet, ku rreth 84 fëmijë, shumica e tyre nga komuniteti rom, e vizitojnë këtë bibliotekë.

Romët janë një nga grupet minoritare më të mëdha dhe të disavantazhuara të Evropës. Diskriminimi ndaj komuniteteve rome është diçka e zakonshme, çka thellon përjashtimin e tyre. Problemet me të cilat përballen fëmijët romë mund të nisin herët dhe të kenë ndikim gjatë gjithë jetës. Një pjesë e vogël merr pjesë në arsimin në fëmijërinë e hershme dhe vetëm 50% përfundojnë arsimin e detyrueshëm. Prandaj, përkrahja e zhvillimit në fëmijërinë e hershme është thelbësore për ta ndryshuar këtë situatë.

“Biblioteka me lodra është vendi ku ndodh magjia e edukimit. Fëmijët luajnë dhe krijojnë universin e tyre dhe, njëkohësisht, zbulojnë botën”.

Ioan Tănase

Nisma e mbështetur nga BE-ja zhvillohet nga Fondi për Arsimin e Romëve (REF). Që prej vitit 2017, REF-ja ka ngritur 64 biblioteka me lodra në 13 vende në Evropën Qendrore dhe Lindore, duke përfshirë Ballkanin Perëndimor, ku kanë marrë pjesë mijëra fëmijë. “Ne jemi angazhuar për ngritjen e hapësirave të tilla për fëmijët romë, të synuara për të nxënë dhe luajtur”, thotë Ioan Tănase, Menaxher Projekti i REF-së. “Biblioteka me lodra është vendi ku ndodh magjia e edukimit. Fëmijët luajnë dhe krijojnë universin e tyre dhe, njëkohësisht, zbulojnë botën. Është lojë dhe edukim njëkohësisht, është magjike”.

Të qenët të lidhur duke ruajtur distancën 

Sikurse shumë veprimtari të tjera në mbarë botën, veprimtaritë në bibliotekën me lodra në Kakanj u ndërprenë nga pandemia e koronavirusit në vitin 2020. Qendra u mbyll në fillim të pranverës, por koncepti vijoi kryesisht falë dy faktorëve thelbësorë. Së pari, fëmijët vazhduan të kishin mundësinë të huazonin lodra, lojëra formuese dhe libra. Së dyti, koncepti i bibliotekës me lodra kishte inkurajuar përfshirjen e të gjithë komunitetit, veçanërisht për krijimin e marrëdhënieve ndërmjet fëmijëve, familjes dhe stafit të bibliotekës. Prindërit ishin të vetëdijshëm se biblioteka ofronte një zgjidhje për ndërprerjen e menjëhershme të edukimit të fëmijëve të tyre si pasojë e pandemisë.

“Bibliotekat me lodra ofrojnë një mundësi për prindërit që nuk janë në gjendje t’i dërgojnë fëmijët e tyre në kopsht”.

Ioan Tănase

“Bibliotekat me lodra ofrojnë një mundësi për prindërit që nuk janë në gjendje t’i dërgojnë fëmijët e tyre në kopsht dhe kjo është një mundësi e përditshme për të kaluar kohë në një vend ku fëmijët mund të zhvillojnë aftësitë e tyre dhe të rrisin ndjeshëm shkallën e përfshirjes”, thotë Tănase.

Qendrës Romalen për përkrahjen e romëve iu desh të gjente zgjidhje të shpejta për fëmijët e tyre.

Ajo krijoi një program edukativ online duke përdorur aplikacionet e komunikimit me video ku fëmijët mund të lidheshin. Nuk kishte asnjë siguri se ky sistem do të funksiononte, aq më tepër të ishte i suksesshëm, por rezultatet kanë qenë të jashtëzakonshme. Të frymëzuar nga ecuria përpara pandemisë, dhe vendosmëria për të ruajtur marrëdhëniet ndërmjet qendrës e familjeve dhe fëmijëve, numri i pjesëmarrësve mbeti i ngjashëm me numrin përpara pandemisë së COVID-19-ës.

Për sa i përket Denisit të vogël, ai u përshtat lehtësisht me formatin e ri të komunikimit të kushtëzuar nga pandemia dhe, brenda një kohe të shkurtër, u kthye në drejtuesin e pakundërshtueshëm të komunitetit të tij digjital. Tashmë, ai është edhe më i vendosur për t’u bërë një mjek që ofron ndihmë mjekësore ndaj komunitetit të tij dhe personave në nevojë.

*Emri i fëmijës është ndryshuar për të ruajtur identitetin e tij.

Rreth projektit

Projekti “Veprimi Rajonal i BE-së për Arsimin e Romëve: Mundësi arsimimi të rritura për studentët dhe të rinjtë romë në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi” (RARE) bashkëfinancohet nga Programi Vjetor i Veprimit Shumëvendësh IPA II 2017 dhe Fondi për Arsimin e Romëve, që gjithashtu zbaton projektin.

Photo credits: Roma Education Fund (REF) 

Please wait while your video is being uploaded...

Don't close this window!

Subscribe to the newsletter

I have read and understood the terms of the privacy statement.