Arsim gjithëpërfshirës për fëmijët e Shqipërisë | WeBalkans | EU Projects in the Western Balkans

Arsim gjithëpërfshirës për fëmijët e Shqipërisë

BE-ja mbështet mësuesit parashkollorë shqiptarë me praktikë inovative në klasa

SCROLL DOWN

Viola është edukatore për fëmijërinë e hershme. Për shumë vite me radhë, ajo ka menaxhuar klasa me një numër të madh fëmijësh me prejardhje dhe aftësi të ndryshme. Ajo thotë se vështirësitë ishin të mëdha. “Ishte e vështirë për mua që të plotësoja nevojat e shumëllojshme të të gjithë fëmijëve në klasë. E mbështes idenë e gjithëpërfshirjes parashkollore dhe jam në dijeni të përfitimeve që sjell, por më mungonin njohuritë dhe aftësitë për praktikën gjithëpërfshirëse.” Pavarësisht përmirësimeve në sistemin arsimor në Shqipëri, filozofia e gjithëpërfshirjes, veçanërisht në arsimin parashkollor, nuk promovohej sa duhej. Shpesh, mësuesit liheshin të merreshin me fëmijë me një diapazon të gjerë aftësish të të mësuarit pa u ofruar trajnim i mjaftueshëm dhe të izoluar.

“Pati disa ndërhyrje të vogla e të shpërndara nga OJQ-të, por nuk kishte një qasje tërësore për mënyrën e trajtimit të arsimit gjithëpërfshirës në kopshte e çerdhe.”

Mirlinda Bushati, Specialiste Arsimi në UNICEF Albania

“Arsimi gjithëpërfshirës është një realitet pothuajse i ri në sistemin arsimor shqiptar, veçanërisht për kopshtet e çerdhet,” thotë Mirlinda Bushati, Specialiste Arsimi në UNICEF Albania. Ajo shpjegon se UNICEF-i ka punuar nga afër me Ministrinë e Arsimit në Shqipëri për zhvillimin e një strategjie kombëtare arsimi, që përfshin një element të rëndësishëm në arsimin gjithëpërfshirës, si dhe në standardet për mësuesit parashkollorë. Sidoqoftë, pavarësisht punës së palodhur për strategjinë dhe standardet, UNICEF-i vuri re se kishte një zbrazëti të madhe te zbatimi i strategjisë. “Pati disa ndërhyrje të vogla e të shpërndara nga OJQ-të, por nuk kishte një qasje tërësore për mënyrën e trajtimit të arsimit gjithëpërfshirës në kopshte e çerdhe,” thotë Mirlinda.

Mësuesve u nevojiteshin programe praktike për trajnimin e tyre që inkurajonin sjelljet pozitive dhe metodat më të mira për gjithëpërfshirje të suksesshme parashkollore. Nevojiteshin ndërhyrje për të siguruar ritmin e duhur mësimor për ata/ato që përballen me vështirësi më të mëdha gjatë procesit të të nxënit. Me mbështetjen e BE-së, UNICEF-i e ndihmoi Ministrinë e Arsimit dhe Agency for Assuring Quality in Preuniversity Education (AAQPE) në Shqipëri të zhvillonte metodologji të arsimit gjithëpërfshirës për ambientet parashkollore.

UNICEF-i krijoi dhe një manual trajnimi dhe, së bashku me AAQPE-në, u ofroi trajnim për zbatimin praktik të metodologjive 582 mësuesish dhe drejtorësh shkollash. Viola ishte një ndër mësueset që mori pjesë në trajnim. “Instrumentet e reja që u prezantuan në trajnim më ndihmuan të formoj qasje inovative dhe ta përmirësoj mësimdhënien time. Me kalimin e kohës, fillova të përdor stile të reja mësimdhënie që përfshijnë metoda të ndryshme të nxëni. Nëse duam që fëmijët të ndihmojnë njëri-tjetrin – të pranojnë, ndërveprojnë dhe të jenë miqësorë ndaj njëri-tjetrit – duhet që t’ua mësojmë këtë,” thotë ajo.

“Përveç financimit nga BE-ja, fakti që çdo pjesë e kësaj iniciative ishte dhe në përputhje me kriteret e pranimit në BE, e bëri mbështetjen e BE-së edhe më të rëndësishme, për sa i përket bashkëpunimit me qeverinë dhe institucionet.”

Mirlinda Bushati, Education Specialist with Unicef Albania

Këtë vit, metodologjia për të nxënit parashkollor gjithëpërfshirës u akreditua nga Ministria e Arsimit në Shqipëri. Sipas Mirlindës, ky është një hap i madh përpara: “Kjo nënkupton që tanimë të gjithë mësuesit parashkollorë mund ta përdorin këtë metodologji që siguron arsim gjithëpërfshirës cilësor,” thotë ajo.

Mbështetja e projektit nga Bashkimi Evropian pati domethënie të madhe në këtë kontekst. “Përveç financimit nga BE-ja, fakti që çdo pjesë e kësaj iniciative ishte dhe në përputhje me kriteret e pranimit në BE, e bëri mbështetjen e BE-së edhe më të rëndësishme, për sa i përket bashkëpunimit me qeverinë dhe institucionet,” thotë Mirlinda.

Lidhur me projektin

Promovimi i arsimit gjithëpërfshirës është pjesë e programit “Mitigation of the impact of COVID-19 on the lives of children and parents in the Western Balkans and Turkey”, vënë në zbatim nga UNICEF-i dhe financuar nga BE-ja nëpërmjet European Commission’s Directorate-General for Neighbourhood Policy and Enlargement Negotiations (DG NEAR). Nëpërmjet këtij programi me vlerë 5 milionë euro, pritet që 490,000 fëmijë dhe prindër të zonës së programit të kenë akses më të mirë te shërbimet publike që promovojnë zhvillimin e fëmijërisë së hershme, arsimin, shëndetin dhe mbrojtjen, si pjesë e rimëkëmbjes nga COVID-19-a.

Photo credits: Unicef

Please wait while your video is being uploaded...

Don't close this window!

Subscribe to the newsletter

I have read and understood the terms of the privacy statement.