Një përvojë në jetën e kafshëve të egra hapet për biznes | WeBalkans | EU Projects in the Western Balkans

Një përvojë në jetën e kafshëve të egra hapet për biznes

Me anë të mbështetjes së BE-së, zona ndërkufitare mes Malit të Zi dhe Serbisë është gati të mirëpresë turistët që adhurojnë natyrën.

SCROLL DOWN

Para pandemisë, Mali i Zi kishte rreth dy milionë vizitorë të përvitshëm dhe mbi shtatë milionë qëndrime gjatë natës në vit. Ky mund të konsiderohet një sukses i madh për një shtet me një popullsi prej vetëm 600,000 personash. Këta vizitorë përqendrohen kryesisht te rajonet e mrekullueshme bregdetare për pushime verore ose te vendpushimet e skive në veri. Sidoqoftë, Mali i Zi ofron edhe shumë mundësi të tjera emocionuese për turizmin e kafshëve të egra, veçanërisht në rajonin verilindor në kufi me Serbinë, i cili është pak i njohur. OJQ-ja Qendra për Mbrojtjen dhe Studimin e Shpendëve (CZIP) nga Podgorica, së bashku me partnerët nga Mali i Zi dhe Serbia, po punon për hapjen e zonës si një destinacion për adhuruesit e kafshëve të egra.

Kudo në botë, jeta e kafshëve të egra dhe vëzhgimi i shpendëve janë kthyer në aktivitete turistike gjithmonë e më popullore dhe rëndësia e tyre po njihet në të njëjtën shkallë sa dhe tregje të tjera të sigurta të turizmit. Sidoqoftë, për shkak të zonës relativisht të izoluar dhe rrjetit të dobët të transportit, infrastruktura e turizmit është e pazhvilluar këtu, pavarësisht se aty ndodhen katër parqe natyrore.

“Duke qenë se kishte mundësi të shumta për zhvillimin e turizmit, por edhe nevojë për mbështetje, vendosëm të vepronim që ta hapnim këtë peizazh përrallor për vizitorët.”

Lejla Abdić, menaxhere projekti në Qendrën për Mbrojtjen dhe Studimin e Shpendëve

Plotësimi i nevojës për zhvillimin e turizmit

Lejla Abdić është ambientaliste dhe menaxhere projekti në Qendrën për Mbrojtjen dhe Studimin e Shpendëve. Ajo shpjegon se, bashkë me kolegët e saj, e dinin shumë mirë që rajoni ishte i pazhvilluar për nga infrastruktura e turizmit dhe aktivitetet në natyrë. “Duke qenë se kishte mundësi të shumta për zhvillimin e turizmit, por edhe nevojë për mbështetje, vendosëm të vepronim që ta hapnim këtë peizazh përrallor për vizitorët,” thotë Lejla.

Me këtë synim në mendje, ata aplikuan për thirrjen ndërkufitare për bashkëpunim të Malit të Zi/ Serbisë, “Projekti Hoo – Krijimi i Përvojave me Bufët dhe Kafshët e Tjera të Egra”, financuar nga BE-ja.  Meqenëse popullata e shpendëve të rajonit është shumë e pasur, fokusi kryesor i projektit të tyre ishte tek aktivitetet e lidhura me vëzhgimin e shpendëve, nëpërmjet krijimit të hartave dhe sinjalistikave të shtigjeve ku shihen shpendët. Ata gjithashtu po punojnë për trajnimin dhe motivimin e vendasve që të përfshihen në bizneset e lidhura me turizmin e kafshëve të egra, si dhe për krijimin e markave dhe promovimin e produkteve të turizmit, të cilat u zhvilluan si pjesë e projektit.

“Rajoni ka pasuri unike turizmi të kafshëve të egra, që nuk janë shfrytëzuar ende, por së shpejti ato do të promovohen në nivel vendor dhe ndërkombëtar, në mënyrë që vizitorët të mund t’i shijojnë.”

Lejla Abdić, menaxhere projekti në Qendrën për Mbrojtjen dhe Studimin e Shpendëve

Lejla shpjegon se zona e projektit mund t’u ofrojë shumë turistëve që adhurojnë natyrën. Për shembull, bufët kanë forcën e nevojshme tërheqëse për një përvojë të bukur turistike. Kjo zonë shërben si banesë edhe për shumë shpendë të tjerë po aq tërheqës, të tillë si shqiponjat e arta dhe perandorake, shkabat grifonë, fajkonjtë pelegrinë, thëllëzat e malit, thëllëzat e fushës, si dhe specie të rralla shpendësh, që kanë nevojë për komplekse më të mëdha pyjore natyrore si habitatet e tyre. “Rajoni ka pasuri unike të turizmit të kafshëve të egra, që nuk janë shfrytëzuar ende, por së shpejti ato do të promovohen në nivel vendor dhe ndërkombëtar, në mënyrë që vizitorët të mund t’i shijojnë.”

Lejla shpjegon më tej se, projekti po korr një sukses të madh nga pikëpamja e bashkëpunimit ndërkufitar. Organizatat partnere do të zhvillojnë guida studimi dhe aktivitete koordinimi, për të lidhur komunitetet, bizneset dhe operatorët turistikë në të dyja anët e kufirit. “Në fund të ditës, zhvillimi i rajonit lidhet ngushtë me bashkëpunimin ndërkufitar,” thotë ajo.

Lidhur me projektin

“Projekti Hoo: Krijimi i Përvojave me Bufët dhe Kafshët e Tjera të Egra” filloi në shkurt 2021. Qëllimi kryesor i projektit është të inkurajojë turizmin e kafshëve të egra, të bazuar te trashëgimia natyrore në zonën ndërkufitare mes Serbisë dhe Malit të Zi. Vlera totale e projektit është 262,029 euro dhe planifikohet të zgjasë 24 muaj. Përveç shumë gjërave të tjera, projekti parashikon të krijojë dy itinerare turizmi të kafshëve të egra, trajnimin e guidave turistike për kafshët e egra, vizita studimore dhe vëzhgimi të shpendëve dhe ngritjen e një platforme digjitale për të promovuar turizmin e kafshëve të egra në rajon.

Photo credits: Centre for the Protection and Research of Birds (CZIP)

Please wait while your video is being uploaded...

Don't close this window!

Subscribe to the newsletter

I have read and understood the terms of the privacy statement.