Tradita, moda dhe arti mund të kthehen në biznes | WeBalkans | EU Projects in the Western Balkans

Tradita, moda dhe arti mund të kthehen në biznes

Një grua nga Rožaje në Malin e Zi ndërthur traditën, modën dhe artin për të filluar një biznes të ri.

SCROLL DOWN

Igbala Murić, 49 vjeç, jeton në qytetin e vogël kufitar të Rožajes në Malin e Zi. Që në moshë të re asaj i pëlqente të qëndiste tekstile tradicionale si shtresa, rroba dhe peceta. Kur ishte nxënëse në gjimnaz, ajo e kishte vendosur se do të ndërtonte një jetë profesionale bazuar në këto aftësi. Në pajtim me prindërit e saj, ajo u regjistrua në një shkollë të mesme profesionale për prodhimin e tekstilit.

Më pas ajo punoi si rrobaqepëse në kompani të ndryshme në Malin e Zi dhe Turqi, por kjo punë nuk përfshinte punime tradicionale. “Më mungonte të punoja te rrobat tona tradicionale dhe tekstile të tjera. Veshja jonë tradicionale është unike dhe e bukur dhe është edhe trashëgimia jonë kulturore,“ shprehet ajo.

Gjatë gjithë kohës, Igbala ka dashur të bëjë diçka për ruajtjen e trashëgimisë tradicionale në tekstile. Ideja e saj ishte të niste biznesin e saj i cili do të specializohej në prodhimin e rrobave tradicionale të kulturës së saj. Por, për ta bërë këtë, ajo kishte nevojë për mbështetje financiare dhe të dinte si të fillonte dhe menaxhonte një biznes. Kaluan vite, por ajo nuk mundi të fillonte asgjë të qëndrueshme.

“Veshja jonë tradicionale është unike dhe e bukur dhe është edhe trashëgimia jonë kulturore“

Igbala Murić

Gjetja e mbështetjes së duhur

Në vitin 2019, Igbala dëgjoi për projektin ‘Zejtari’, i financuar si pjesë e programit IPA CBC Serbi-Mali i Zi 2014-2020, i financuar nga Bashkimi Evropian. Projekti që ofroi mbështetje për gratë dhe të rinjtë në rajonin Rožaje në Malin e Zi dhe rajonin e Sjenicës në Serbi. Ajo regjistroi një kompani dhe aplikoi për mbështetje. Ajo mori pjesë në programin e trajnimit për menaxhimin e biznesit, mori nga projekti një makinë qepëse të re dhe iu bashkua botës së sipërmarrjes. Ky projekt ofroi mbështetje për më shumë se 90 individë si Igbala duke i përfshirë ata në këtë trajnim dhe një program mentorimi.

Si rezultat i mbështetjes , që nga fillimi i këtij viti ajo ka shtuar prodhimin dhe kishte planifikuar të punësonte gra të tjera, derisa planet e saj u ndërprenë nga pandemia.  “Unë po punoja kryesisht me punime artizanale. Mbështetja nga projekti më dha mundësinë të zgjeroja biznesin tim, të rrisja prodhimin dhe të shisja edhe në pjesë të tjera të Malit të Zi,“ shprehet ajo.

“Mbështetja nga projekti më dha mundësinë të zgjeroja biznesin tim, të rrisja prodhimin dhe të shisja edhe në pjesë të tjera të Malit të Zi.“

Igbala Murić

Ndihma për bizneset tradicionale 

Sipërmarrjet mikro, të vogla ose të mesme luajnë një rol kyç në punësimin e fuqisë punëtore të shumëllojshme dhe në gjenerimin e të ardhurave për komunitetet vendore si në Malin e Zi edhe në Serbi. Nën drejtimin e autoriteteve vendore, projekti ka mbështetur bashkëpunimin mes shkollave të mesme profesionale nga bashki të caktuara për të ngjallur interes në bizneset tradicionale si punimet artizanale.

Projekti ka gjeneruar vende të reja pune për pjesët e cenueshme të popullatës, duke përfshirë të rinjtë dhe gratë, duke i ofruar atyre ndihmën që u nevojitet për sa i përket njohurive në biznes, mbështetjes së startupeve, trajnimit dhe mentorimit. Për më tepër, projekti ka ofruar mjete artizanale të specializuara për shkollat e mesme në Rožaje dhe pranë Sjenicës në Serbi, që do të përdoren nga nxënësit dhe sipërmarrës të tjerë të mundshëm.

Amela Kovačević Kalender, menaxherja e projektit, shprehet: ‘Bashkia e Rožaje-s është krenare të mbështesë zhvillimin e ekonomisë vendore, duke u përqendruar në krijimin e vendeve të punës dhe sipërmarrjen. Ne synojnë të inkurajojmë njerëzit të ndjekin idetë e tyre dhe të tregojnë se edhe iniciativat e vogla mund të kenë një ndikim të rëndësishëm në ekonominë vendore.’

Partnerët zbatues të projektit janë Bashkia e Rožajes dhe Bashkia e Sjenicës, në bashkëpunim me dy shkollat profesionale të këtyre qyteteve. Projekti ‘Zejtari’, u financua si pjesë e programit IPA CBC Serbi-Mali i Zi  2014-2020, i financuar nga Bashkimi Evropian.

Photo credits: Igbala Murić

Please wait while your video is being uploaded...

Don't close this window!

Subscribe to the newsletter

I have read and understood the terms of the privacy statement.