Ta çojmë prindërimin një hap më tej | WeBalkans | EU Projects in the Western Balkans

Ta çojmë prindërimin një hap më tej

BE-ja dhe Unicef-i bashkojnë forcat për të mbështetur Malin e Zi që të zhvillojë një program efikas për zhvillimin në fëmijërinë e hershme, duke përmirësuar mirëqenien e fëmijëve dhe duke përkrahur kujdestarët.

SCROLL DOWN

Mišo Obradović-i  është baba i dy fëmijëve dhe një aktor i mirënjohur në Mal të Zi. Atij i pëlqen të kalojë kohë me vajzën e tij katër-vjeçare dhe djalin një-vjeçar. Sidoqoftë, pavarësisht dëshirës për të qenë një prind i përkryer, pati probleme komunikimi me vajzën e tij. “Gjatë drekës, vajza ime qëndronte për një kohë të gjatë në tryezë, një problem ky që e hasin shumë prindër, por nuk dija si mund ta zgjidhja më së miri këtë problem,” thotë Mišo.

 

Ai pranon se u përpoq ta zgjidhte vetë këtë çështje në mënyra të ndryshme – që nga ‘korruptimi’ i së bijës me ëmbëlsira, deri te kërcënimi me ndëshkim. Sidoqoftë, kuptoi se kjo metodë nuk po jepte rezultatet e synuara. “Nganjëherë, humbja durimin. Herë të tjera, kisha më tepër durim se ç’duhej dhe në ato raste, vaktet nuk mbaronin kurrë,” thotë ai.

“Vendosa të aplikoj për programin Caring Families, jo vetëm për shkak të këtij problemi specifik, por edhe prej dëshirës së përgjithshme për të qenë një prind më i mirë me fëmijët e mi,” shpjegon ai. Duke përdorur parimet e programit, bashkë me këshillat e ekspertëve dhe bisedat me baballarët e tjerë që kishin marrë pjesë në program, Mišo mësoi si ta motivonte të bijën që të përfundonte vaktin e saj, duke përdorur stimuj pozitivë. “Ajo e pranoi qetësisht këtë situatë të re dhe unë vendosa të ruaja qetësinë, kështu që tani nuk acarohemi më po të vonohemi në tavolinë një orë e gjysmë pas vaktit të drekës.”

“Programet e prindërimit, jo vetëm që ndihmojnë me reduktimin e disiplinës së ashpër, por gjithashtu u mësojnë fëmijëve të mos përdorin dhunën. Prindërit janë një model sjelljeje për fëmijët, prandaj rritja e këtyre të fundit në familje jo të dhunshme mund të kontribuojë për formimin e komuniteteve jo të dhunshme.”

Ida Ferdinandi, Early Childhood Development office, Unicef Montenegro

‘Caring Families’ është një program prindërimi që i nxit prindërit të krijojnë marrëdhënie të sigurta me fëmijët e tyre, por edhe t’i ruajnë ato. Programi financohet drejtpërdrejt nga BE-ja, si pjesë e projektit ‘Early Childhood Development’, i vënë në zbatim nga Unicef-i. Ida Ferdinandi është oficere e ‘Early Childhood Development’ të Unicef-it në Mal të Zi dhe shpjegon se programet e prindërimit janë njohur botërisht si disa prej strategjive kryesore për të parandaluar dhunën ndaj fëmijëve. “Në fakt, programet e prindërimit jo vetëm që ndihmojnë me reduktimin e disiplinës së ashpër, por gjithashtu u mësojnë fëmijëve të mos përdorin dhunën, sepse prindërit janë një model sjelljeje për fëmijët, prandaj rritja e këtyre të fundit në familje jo të dhunshme mund të kontribuojë për formimin e komuniteteve jo të dhunshme.”

Ida shpjegon se në botë ekzistojnë mjaft programe si ky, të bazuar te provat, por zakonisht, është e vështirë të fitosh akses për këto programe, pasi tarifa e licensimit është shumë e lartë. Për këtë arsye, Organizata Botërore e Shëndetit, bashkë me ekspertë të universiteteve të ndryshme dhe Unicef-in, krijuan këtë program specifik (‘Parenting for Lifelong Health’, të quajtur ‘Caring Families in Montenegro’), si një program i licensuar dhe i bazuar te provat, por me burime të hapura për vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, të tilla si Mali i Zi.

Në Malin e Zi, programi ka pesë vjet që zbatohet. Me dy cikle në vit, programi u ka ardhur në ndihmë më shumë se 800 prindërve në shtatë bashki.  700 nga prindërit e kanë përfunduar me sukses programin. Një studim që vlerësoi ndikimin e programit te pjesëmarrësit, tregon se pati një reduktim prej më shumë se 70% të prindërimit të dhunshëm, një reduktim prej 30% të problemeve të sjelljes te fëmijët dhe një reduktim prej 45% të depresionit prindëror. “Ndikimi i projektit është fantastik,” thotë Ida.

Një version online i programit ‘Caring Families’, i titulluar ‘ParentChat’, u testua gjatë periudhës së COVID-19-ës, për të zbutur ndikimin e COVID-19-ës te fëmijët dhe prindërit në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi.

“Po përpiqemi të krijojmë kapacitete burimesh njerëzore, që programi të zhvillohet në mënyrë të qëndrueshme.  Po punojmë edhe me Ministrinë e Shëndetësisë për një strategji zhvillimi në fëmijërinë e hershme, në mënyrë që programi të integrohet në politikat dhe veprimtarinë e qeverisë, si çdo shërbim tjetër i ofruar.

Ida Ferdinandi, Early Childhood Development officer in Montenegro, Unicef

Programi ‘Caring Families’ në Malin e Zi po zbatohet nga qendra kujdesi shëndetësor parësor që kanë zyra këshillimi, si dhe nga kopshtet, shkollat fillore dhe disa organizata të shoqërisë civile. Unicef-i gjithashtu po punon për zgjerimin e programit, që të sigurojë qëndrueshmërinë e tij. Programi po ofron trajnim për lehtësuesit e ri vendas, me qëllim krijimin e një grupi trajnerësh kombëtarë, që të mos mbështeten vetëm tek ekspertët ndërkombëtarë për të zbatuar programin. “Po përpiqemi të krijojmë kapacitete burimesh njerëzore, që programi të zhvillohet në mënyrë të qëndrueshme dhe po punojmë edhe me Ministrinë e Shëndetësisë për një strategji zhvillimi në fëmijërinë e hershme, në mënyrë që programi të integrohet në politikat dhe veprimtarinë e qeverisë, si çdo shërbim tjetër i ofruar,” thotë Ida.

Mišo thotë se modeli i prindërimit ka ndryshuar që nga koha kur ishte fëmijë dhe se baballarët duan të përfshihen më shumë në rritjen e fëmijëve të tyre. “Dua të bëhem një baba që u qëndron pranë fëmijëve të tij gjatë periudhave delikate të jetës së tyre dhe që i udhëzon për vendimet që i presin në jetë,” thotë ai.

Lidhur me projektin

Nisma për zhvillimin në fëmijërinë e hershme në Mal të Zi është një program tre-vjeçar që do të zgjasë deri në korrik të vitit 2023. Financohet nga Bashkimi Evropian me 1 milion euro dhe zbatohet nga Unicef-i, në bashkëpunim me Ministritë e Shëndetësisë, Arsimit, Punës dhe Mirëqenies Sociale. Falë nismës, BE-ja dhe Unicef-i do t’i ndihmojnë autoritetet malazeze të zhvillojnë dhe zbatojnë një strategji kombëtare për zhvillimin në fëmijërinë e hershme të, duke rritur kështu edhe ndërgjegjësimin e përgjithshëm për rëndësinë e zhvillimit në fëmijërinë e hershme. Do të rriten kapacitetet shëndetësore, të mbrojtjes dhe të shërbimeve të edukimit, për t’u ofruar shërbimet e duhura familjeve dhe fëmijëve të vegjël, duke përfshirë këtu edhe fëmijët me aftësi të kufizuara. Prindërit dhe kujdestarët do të kenë mundësinë të fitojnë njohuri dhe aftësi të reja nëpërmjet programit, duke ua lehtësuar kujdesin për fëmijët e tyre në mënyrë pozitive dhe të përgjegjshme.

Photo credits: Dusko Miljanic,Unicef

Please wait while your video is being uploaded...

Don't close this window!

Subscribe to the newsletter

I have read and understood the terms of the privacy statement.