“Fillimi i rrugëtimit me erasmus+, investimi im më i mirë” | WeBalkans | EU Projects in the Western Balkans

“Fillimi i rrugëtimit me erasmus+, investimi im më i mirë”

Nga lufta dhe kriza ekonomike gjatë fëmijërisë në Jugosllavi në të punuarit dhe të studiuarit për një të ardhme të paqtë dhe të begatë në BE.

SCROLL DOWN

Bojana Zimonjić (30), nga Serbia mësoi për herë të parë rreth Bashkimit Evropian në shkollën e mesme gjatë orës së edukimit qytetar. Ajo kishte dëgjuar më parë për të nga lajmet, por shprehet se nuk e dinte vërtet qëllimin e BE-së. Sidoqoftë, qëkur ka qenë fëmijë, gjërat më të rëndësishme për Bojanën kanë qenë paqja dhe mirëqenia.  Ashtu si dhe për shumë fëmijë të tjerë të lindur në Jugosllavi, lufta dhe kriza ekonomike pati ndikim te fëmijëria e Bojanës.

Në shkollën e mesme, ajo mësoi se vlerat themelore të BE-së kanë për qëllim të parandalojnë këto dy probleme duke promovuar paqe dhe mirëqenie ekonomike për të gjithë. “Kjo ide m’u duk fantastike dhe u dashurova me BE-në dhe idenë pas saj,”u shpreh ajo. Më tej Bojana shpjegon se edhe gjatë shkollës së mesme ajo e kishte kuptuar se për të promovuar këto vlera duhet të angazhohesh në mënyrë aktive. Si rrjedhojë, ajo vendosi të studionte Shkenca Politike në universitet.

“E gjithë jeta ime profesionale dhe aspiratat për të ardhmen lidhen me BE-në dhe fillimi i rrugëtimit me programin ERASMUS+ ishte investimi më i mirë i jetës sime.”

Bojana Zimonjić, studente

Mundësi të reja me ERASMUS+
Bojana besonte se vlerat të cilave i ishte bashkuar mund të promovohen më mirë nëpërmjet promovimit të integrimit të BE-së. Kur erdhi momenti për studimet Master, ajo filloi të kërkonte mundësi për të nxënë më tepër rreth Bashkimit Evropian. Në universitetin e Bojanës u lajmërua se Serbia ishte përfshirë në programin ERASMUS+. Sapo mësoi këtë, ajo vendosi të aplikojë për mundësitë arsimore të ofruara nga programi.

Fillimisht asaj iu dha mundësia të përfitonte nga programi Jean Monnet i cili është pjesë e ERASMUS+. Ky program i dedikohet promovimit të ekselencës në studime për BE-në në arsimin e lartë në të gjithë botën për të krijuar lidhje midis akademikëve, studiuesve dhe politikëbërësve të BE-së. Bojana shprehet se të qenit pjesë e Jean Monnet ndikoi dukshëm në cilësinë studimeve të saj në nivelin Master. “Për shembull, lektorë nga BE-ja vinin për të na mësuar rreth vizionit të tyre për integrimin evropian. Edhe tekstet shkollore na u dhanë falas. Kjo nuk është diçka e vogël për studentët e papunë,” shprehet ajo.

Zgjerimi i horizonteve
Sidoqoftë, kjo nuk mjaftoi për Bojanën. Ajo dëshironte të mësonte më shumë rreth politikave dhe integrimit të BE-së, si dhe të zgjeronte perspektivën e saj kulturore; mundësisht në një universitet të BE-së. Ajo zgjodhi të aplikonte për shkëmbimin ERASMUS+ në Universitetin e Konstanz në Gjermani, ku edhe u pranua. “Ishte realizimi i një ëndrre,” u shpreh ajo.

“Ndoqa një lëndë për lidershipin e cila ishte vërtet interesante. Ishte ndryshe nga çdo gjë që mund të kisha nxënë në universitetin në vendin tim. Vërtet që ajo lëndë më ka ofruar një perspektivë të ndryshme rreth mënyrës se si duhet të sillet një lider.”

Bojana Zimonjić, studente

Bojana e përshkruan përvojën e saj në Gjermani si “përvojë shndërruese”. Ajo shpjegon se për të ishte thelbësore që të mësonte më shumë rreth kulturave të ndryshme dhe të përjetonte vetë se çfarë do të thotë të jetosh dhe studiosh në një mjedis shumëkulturor. Të qenit e rrethuar nga njerëz nga vende të tjera në Evropë – dhe në botë – e ndihmoi shumë me këtë.

Për Bojanën, kishte rëndësi edhe që të shikonte se si funksionojnë universitetet në Gjermani si dhe si prezantojnë kurrikulën. “Për shembull, unë ndoqa një një lëndë për lidershipin e cila ishte vërtet interesante. Ishte ndryshe nga çdo gjë që mund të kisha nxënë në universitetin në vendin tim. Vërtet që ajo lëndë më ka ofruar një perspektivë të ndryshme rreth mënyrës se si duhet të sillet një lider.” Bojanës i la mbresa edhe mirëseardhja në universitet dhe në veçanti struktura dhe kujdesi individual për çdo student ndërkombëtar të regjistruar.

Promovimi i frymës të rindërtimit të marrëdhënieve miqësore
Bojana aktualisht punon për Zyrën Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO), që promovon frymën e rindërtimit të marrëdhënieve miqësore dhe bashkëpunimin mes të rinjve në rajonin e Ballkanit Perëndimor. “Përvoja me ERASMUS+ më ka ndihmuar të përshtatem shpejt me mjedisin shumëkulturor të punës në RYCO,” u shpreh ajo. “Besoj se pasi të keni pasur mundësinë të dëgjoni historinë time, mund të hamendësoni se RYCO është themeluar me mbështetjen e Komisionit Evropian.”

Në të ardhmen Bojana planifikon të përfshihet më tepër me administratën e BE-së për të mbështetur idenë pas Bashkimit Evropian. “E gjithë jeta ime profesionale dhe aspiratat për të ardhmen lidhen me BE-në dhe fillimi i rrugëtimit me programin ERASMUS+ ishte investimi më i mirë i jetës sime,” u shpreh ajo.

Photo credits: Bojana Zimonjić

Please wait while your video is being uploaded...

Don't close this window!

Subscribe to the newsletter

I have read and understood the terms of the privacy statement.