Energji e ripërtërishme për Kosovën | WeBalkans | EU Projects in the Western Balkans

Energji e ripërtërishme për Kosovën

BE-ja mbështet ngritjen e një impianti ngrohjeje qendrore në Gjakovë, me energji të ripërtërishme

SCROLL DOWN

Në vitin 1980, kur u ndërtua, impianti i ngrohjes qendrore Ngrohtorja SHA ishte krenaria e qytetit të Gjakovës. Ky ishte qyteti i vetëm në Kosovë, përveç kryeqytetit, me një sistem modern ngrohjeje qendrore që punonte me karburante të rënda. Sidoqoftë, ngrohja me naftë u bë gjithmonë e më pak e leverdisshme dhe u rrit ndërgjegjësimi për ndotjen që shkaktonte. Si rezultat, në vitet në vazhdim, menjëherë pas luftës së Kosovës në vitin 1999, Ngrohtorja e ndaloi thuajse krejtësisht ngrohjen për qytetarët e Gjakovës, ndërsa më vonë e siguronte vetëm disa orë në ditë.

Në fillimin e dekadës së fundit, lindi një grimcë shprese që kompania mund të ofronte edhe njëherë ngrohje të qëndrueshme, kur, me mbështetjen e BE-së, kompania e ngrohjes qendrore Ngrohtorja nisi një studim realizueshmërie për ofrimin e energjisë cilësore dhe ekologjike të ngrohjes për banorët vendas.

“Kur ideja u bë publike për herë të parë, ishim shumë të entuziazmuar por, në të njëjtën kohë, ndjenim dhe njëfarë skepticizmi, meqenëse për shumë vite kompania nuk kishte ofruar ngrohje cilësore.”

Albana Skivjani, General Manager, Ngrohtorja JSC

Albana Skivjani është menaxherja e përgjithshme e kompanisë. Gjatë kohës që nisi studimi paraprak, ajo nuk ishte menaxhere akoma, por si qytetare e Gjakovës dhe si kliente e kompanisë së ngrohjes qendrore, ajo e mban mend mirë entuziazmin që shihej te populli. “Kur ideja u bë publike për herë të parë, ishim shumë të entuziazmuar, por në të njëjtën kohë, shikonim dhe njëfarë skepticizmi, meqenëse për shumë vite kompania nuk kishte ofruar ngrohje cilësore,”- thotë Albana.

Studimi paraprak vërtetoi se ekzistonte një mundësi e vërtetë që të rivendosej një sistem ngrohjeje qendrore në Gjakovë dhe në të njëjtën kohë, të përdorej një burim energjie ekologjik.

Fjala magjike ishte biomasa!

Ngrohja me biomasë përdor lëndë organike, si karburanti, për stacione energjie për ngrohje apo për prodhim elektriciteti. Në rastin e Gjakovës, plani ishte të përdoreshin mbetje druri (copa druri) dhe mbetje të përftuara nga krasitja e hardhive, të cilat gjenden me bollëk në këtë zonë. Sidoqoftë, pavarësisht disponueshmërisë së biomasës në zonë, e cila mund të përdorej si karburant, projekti nuk ishte i lehtë për t’u realizuar. Shpenzimet për teknologjinë ishin shumë të larta dhe nevojitej edhe një nivel i lartë ekspertize që të funksiononte kjo teknologji. Bashkimi Evropian ndërhyri dhe mbështeti projektin me rreth 15 milion euro.

Impianti i ri, i cili prodhon nxehtësi dhe energji elektrike, u inaugurua në vjeshtën e vitit 2021, duke u bërë kështu një pionier i së ardhmes së energjisë dhe një prej të paktave sisteme bashkëkohore që punojnë me biomasë në Ballkanin Perëndimor. Këtë dimër, energjia e prodhuar nga impianti ka mundësuar ngrohje 24-orë për shumicën e klientëve të kompanisë së ngrohjes qendrore Ngrohtorja SHA.

“Personalisht dhe në emër të gjithë banorëve të qytetit tonë, shpreh mirënjohjen e madhe për BE-në, që nëpërmjet këtij projekti, na siguroi ngrohje për dekadat e ardhshme, duke dhënë kështu një shembull të mirë për qytetet e tjera.”

Albana Skivjani, General Manager, Ngrohtorja JSC

Sipas Albanës, një nga sfidat kryesore ishte të mësohej si të përdorej teknologjia e re, duke qenë se shumica e punonjësve nuk kishin pasur përvoja të mëparshme me të. Sidoqoftë, kjo pengesë u kapërcye me mbështetjen e projektit të financuar nga BE-ja, që ofroi trajnim të specializuar për stafin, që të përdornin këtë teknologji. Albana shpjegon se këtë dimër, për herë të parë pas shumë vitesh, ishin në gjendje të ofronin energji 24-orë për klientët e tyre. “Klientët tanë, bashkë me të gjithë të tjerët në qytet, janë shumë të entuziazmuar, sepse përveç pajisjes me ngrohje, qyteti nuk është më i ndotur si më parë,”- thotë Albana. Ngrohja e vazhdueshme që vjen nga impianti pati rëndësi të madhe veçanërisht këtë vit, për shkak të krizës globale të energjisë, ku çmimet e energjisë u rritën dhe pati ndërprerje të shpeshta të energjisë elektrike.

“Personalisht dhe në emër të të gjithë banorëve të qytetit tonë, shpreh mirënjohjen e madhe për BE-në, që nëpërmjet këtij projekti, na siguroi ngrohje për dekadat e ardhshme, duke dhënë kështu një shembull të mirë për qytetet e tjera,”- thotë Albana.

Lidhur me projektin

Me anë të programit të Instrumentit të Asistencës së Para-anëtarësimit (IPA), të vitit 2015, Bashkimi Evropian investoi mbi 15 milion euro për aktivitete përgatitore dhe për ngritjen e impiantit të ngrohjes me biomasë në qytetin e Gjakovës . Projekti do të ketë një ndikim të madh ekonomik dhe mjedisor në qytet: kostot vjetore të operimit për Ngrohtoren SHA pritet të ulen me 35%-50%, ndërkohë që niveli i përgjithshëm i ndotjes së zonës do të ulet me mbi 90%.

Photo credits: EU office in Kosovo

Please wait while your video is being uploaded...

Don't close this window!

Subscribe to the newsletter

I have read and understood the terms of the privacy statement.