Në rrugën e perandorëve romakë | WeBalkans | EU Projects in the Western Balkans

Në rrugën e perandorëve romakë

Një projekt i financuar nga BE-ja po vendos në qendër të vëmendjes së vizitorëve trashëgiminë romake të Ballkanit Perëndimor.

SCROLL DOWN

A e dinit se ndërmjet shekullit të dytë dhe të katërt, qendra politike e Perandorisë Romake nuk ishte në Romë, por në Ilirik? Ky ishte emri i trojeve që shtriheshin nga kufiri perëndimor i Greqisë moderne deri në Alpe në perëndim, dhe nga lumi Danub në veri deri në Detin Adriatik, duke përfshirë atë që sot e quajmë Ballkani Perëndimor.

Vizitorët nuk e njohin të gjithë trashëgiminë e pasur romake të Ballkanit Perëndimor, por një projekt i financuar nga BE-ja po ofron një platformë digjitale për paraqitjen e siteve në Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovinë, Mal i Zi dhe Maqedoni e Veriut, si dhe për tërheqjen e turistëve në rajon.

“Nëse vizitoni Dioklenë, pranë Podgoricës, për shembull, mund t’ju nevojitet dhe akomodim dhe ushqim dhe mund të dëshironi të vizitoni vende të tjera përreth. Ndaj, kemi përfshirë restorante, hotele dhe atraksione natyrore në paketë”. 

Danko Cosic

Roma e lashtë në realitet virtual 

OJF-ja rajonale, Qendra e Danubit për Kompetencë (DCC) hapi me sukses Rrugën e Perandorëve Romakë dhe Verërave të Danubit, dhe u kontaktua nga rrjeti i bashkëpunimit i financuar nga BE-ja, Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, për të krijuar një rrugë të ngjashme në Ballkanin Perëndimor. Qëllimi ishte krijimi i një rruge në një pjesë më pak të njohur të gadishullit të Ballkanit për udhëtarët që dëshirojnë të provojnë diçka të re. Sipas DCC-së, anketat e kohëve të fundit tregojnë se rreth 40% e të gjitha udhëtimeve që lidhen me turizmin i përkasin kategorisë së turizmit kulturor. Megjithatë, Ballkani perëndimor dhe dega Illyricum e Rrugës janë ende relativisht të panjohura për operatorët turistikë evropianë dhe turistët.

Danko Cosic është koordinatori i këtij projekti. Ai shpjegon se janë përzgjedhur nëntë site arkeologjike për t’u përfshirë në Rrugën Illyricum. Këto site përfshijnë qytetin e lashtë të Stobit në Maqedoninë e Veriut, Apoloninë dhe Butrintin në Shqipëri dhe Dioklenë në Malin e Zi.

Projekti ka krijuar një paketë me guida virtuale për t’u njohur me të gjitha vendndodhjet e përfshira. Elementi kryesor i paketës prezantuese për çdo sit arkeologjik është një guidë virtuale, ku përfshihet dhe interpretim zanor. Por, sikurse shpjegon Danko: “Nëse vizitoni Dioklenë, pranë Podgoricës, për shembull, mund t’ju nevojitet edhe akomodim e ushqim, dhe nëse qëndroni më gjatë, mund të dëshironi të vizitoni vende të tjera përreth. Ndaj, kemi përfshirë restorante, hotele dhe atraksione natyrore në paketë”.

“Nëpërmjet këtij projekti, dëshirojmë ta sjellim trashëgiminë romake të Ballkanit Perëndimor, me të gjithë bukurinë e saj, në ekranet kompjuterike të njerëzve, dhe pse jo, t’i nxisim t’i vizitojnë lokacionet”.

Danko Cosic

Bashkarisht me paketat prezantuese për secilin sit, rruga do të jetë e disponueshme në faqen e internetit https://romanemperorsroute.org për vizitorët që dëshirojnë të eksplorojnë rajonin. Illyricum Trail do të transformohet në një platformë funksionale për promovim dhe bashkëpunim ndërmjet siteve kryesore të trashëgimisë dhe palëve të interesit, si organizatat dhe bizneset turistike.

Sipas Danko-s, ndërmjetësit e udhëtimit, agjentët dhe operatorët turistikë janë ende me të vjetrën. Udhëtari bashkëkohor përzgjedh vendet që do të vizitojë dhe rezervon hotelin dhe fluturimin online. Vendndodhjet dhe vendet që dëshirojnë të bëhen ose të jenë konkurruese në treg do të duhet të kenë paketa të përparuara promovuese online. “Kjo është pikërisht ajo që po përpiqemi të bëjmë nëpërmjet këtij projekti. Ta sjellim trashëgiminë romake të Ballkanit Perëndimor, me të gjithë bukurinë e saj, në ekranet kompjuterikë të njerëzve, dhe pse jo, t’i nxisim t’i vizitojnë këto vende dhe të kalojnë kohë këtu”, thotë Danko.

Rreth projektit

Projekti Zhvillimi dhe Promovimi i Turizmit, i financuar nga BE-ja dhe i zbatuar nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, ka vlerë 5 milionë euro. Ky projekt punon për zhvillimin dhe promovimin ndërkombëtar të ofertave të përbashkëta rajonale të turizmit kulturor dhe aventuresk, duke rritur numrin e turistëve që vizitojnë gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor (WB6) dhe duke zgjatur qëndrimin e turistëve në rajon. Në tetor të vitit 2019 u akordua raundi i dytë i granteve me vlerë deri në 54,000 euro secili. Qendra e Danubit për Kompetencë (DCC) është ndër 16 përfituesit e granteve nga raundi i dytë.

Photo credits: Danube Competence Centre

Please wait while your video is being uploaded...

Don't close this window!

Subscribe to the newsletter

I have read and understood the terms of the privacy statement.