Vajzat projektojnë të ardhmen e tyre në TIK | WeBalkans | EU Projects in the Western Balkans

Vajzat projektojnë të ardhmen e tyre në TIK

Mundësi të shtuara për të rinjtë në një sektor në rritje: Programi i mbështetur nga BE-ja ndihmon nisjen e karrierave të Kosovës në teknologji.

SCROLL DOWN

Në Kosovë, papunësia e lartë përbën një sfidë të vazhdueshme, por ky realitet prek veçanërisht të rinjtë: thuajse gjysma e të rinjve nën moshën 24 vjeç janë të papunë dhe shumë prej tyre synojnë për mundësi jashtë vendit. Megjithatë, një dizajnuese grafike 20 vjeçe refuzoi t’i nënshtrohej këtij realiteti të zymtë dhe iu fut punës sapo iu dha mundësia.

“Punoja në një punë të zakonshme kur më njoftuan nga një shoqëri e re TIK për t’u përfshirë në një projekt afatshkurtër. Kur projekti u realizua me sukses brenda afatit përkatës, u krijua mundësia të punësohesha me kohë të plotë, ku dhe punoj aktualisht”, thotë Arbra Shala, një punonjëse e kënaqur e AmamStudio në Prishtinë.

“Më pëlqen mjedisi krijues, që më mundëson ta ilustroj botën siç e shoh”.

Arbra Shala, dizajnuese grafike në AmamStudio

Mentorim profesional i orientuar nga tregu në shkolla

Për Arbrën, procesi i përvetësimit të aftësive të reja është përshpejtuar në dy vitet e fundit, gjatë të cilave ajo ka ndjekur universitetin për dizajn grafik dhe njëkohësisht ka punuar për klientët në studio. Vendosmëria e saj u pikas gjatë një programi trajnimi, në të cilin punëdhënësi i saj aktual ishte mentor.

Krahas nxënësve të tjerë të shkollës së mesme, Arbra mori pjesë në një trajnim njëmujor të posaçëm rreth aftësive të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK), ku përfshihej dizajni grafik, dizajni lëvizës, media sociale dhe multimedia. Shkolla nga e cila vinte ishte një nga dy shkollat e mesme të arsimit dhe formimit profesional të përzgjedhura për të përfituar nga një program i financuar nga BE-ja, që zbatohej nga Innovation Centre Kosovo (ICK).

Pas përfundimit të suksesshëm të trajnimit, nxënësit u caktuan të fitonin përvojë pune përmes stazheve, ku një pjesë e madhe e tyre u punësuan më pas në shoqëri të njohura. “Këtu, më pëlqen mjedisi krijues, që më mundëson ta ilustroj botën siç e shoh. Në çdo dizajnim ose ilustrim, gjenden elemente ekzagjerimi që më karakterizojnë”, thotë Arbra për punën e saj.

Angazhimi i më shumë grave

Në një sektor tradicionalisht mashkullor, rritja e numrit të grave në TIK është e rëndësishme, pasi larmia e fuqisë punëtore është e dobishme për biznesin, por ky sektor ofron edhe shumë mundësi. TIK-u është një nga sektorët më premtues për rritjen ekonomike në Kosovë. Programet e trajnimit të ofruara nga ICK-ja janë shumë të vlefshme dhe të kërkuara, me rezultate mbresëlënëse deri më tani.

Gjashtëdhjetë e një vajza nga 205 nxënës gjithsej dhe 30 mësues nga dy shkolla të mesme të arsimit dhe formimit profesional në Prishtinë dhe Prizren morën pjesë në programin e trajnimit. Ky program bëri të mundur punësimin e 51 të rinjve në TIK, një sektor që po shfaqet si një dritë shprese për brezat e rinj, për të shpalosur potencialin e tyre në vendlindje dhe për të kontribuar drejt një të ardhmeje të ndritur për vendin. Krahas zhvillimit të aftësive, projekti kontribuoi në përmirësimin e ekosistemit të sipërmarrjes, duke mbështetur 70 biznese të reja dhe shoqëri me shërbime konsultimi të posaçme dhe shërbime inkubimi në qendër.

“Besoj vërtet se dizajni grafik mund të jetë profesioni im”.

Arbra Shala, dizajnuese grafike në AmamStudio

Aftësi shumë të kërkuara

“Ky program ka pasur një ndikim të madh, pasi këto aftësi janë shumë të kërkuara”, thotë Dorina Grezda nga ICK-ja. “U kemi bërë të mundur të rinjve të përvetësojnë aftësitë e nevojshme dhe t’i përdorin ato në praktikë gjatë stazheve. Si rrjedhojë, gjasat e tyre të punësimit dhe vetëpunësimit janë rritur dhe të rinjve u është dhënë mundësia ta konsiderojnë TIK-un si karrierë të mundshme”.

Kombinimi i aftësive ka rezultuar i suksesshëm për krijimin e mundësive për të rinjtë, që janë duke përcaktuar drejtimin e karrierës së tyre. I tillë është dhe rasti i Arbrës, së cilës trajnimi i dha mundësinë të zbulonte se dizajni grafik është ajo çka di të bëjë më mirë. Ajo synon të përmirësojë themelet krijuese aktuale dhe të konsolidojë profesionin e saj si dizajnuese grafike profesioniste. “Besoj vërtet se dizajni grafik mund të jetë profesioni im”, thotë ajo me vetëbesim.

Rreth projektit

Projekti ‘Formimi dhe arsimimi me aftësi TIK për tregun për punësim dhe vetëpunësim në Kosovë’ i zhvilluar nga Innovation Centre Kosovo, u krijua nëpërmjet financimit të IPA-së së BE-së. Synimi i projektit ishte krijimi i vendeve të reja të punës dhe lulëzimi i biznesit në Kosovë përmes zhvillimit të aftësive dhe novacionit, si dhe mbështetjes për sipërmarrësit, bizneset e reja dhe ato ekzistuese.

Photo credits: ICK & AmamStudio

Please wait while your video is being uploaded...

Don't close this window!

Subscribe to the newsletter

I have read and understood the terms of the privacy statement.