Të ndihesh krenar, më shumë se një herë në vit | WeBalkans | EU Projects in the Western Balkans

Të ndihesh krenar, më shumë se një herë në vit

Të prekësh zemrat e njerëzve përmes aktivizmit në mbështetje të një nga komuniteteve më të diskriminuara në Shqipëri.

SCROLL DOWN

“Vaksina kundër homofobisë është dashnia” ishte slogani i përdorur këtë vit gjatë aktiviteteve që celebronin diversitetin dhe krenarinë e të gjithë personave gej, lesbike, biseksualë, transgjinor, “queer” dhe interseks (LGBTI) në Shqipëri. Ajo ishte një thirrje e komunitetit LGBTI për të kuptuar dhe pranuar atë që Aleanca Kundër Diskriminimit LGBTI e përshkruan si një vit të vështirë, plot pasiguri, frikë dhe izolim gjatë periudhës së pandemisë së koronavirusit. Aleanca është një ndër organizatat kryesore që drejton aktivitetet në Ditën Ndërkombëtare Kundër Homofobisë, Bifobisë dhe Transfobisë (IDAHOT), të cilat zhvillohen gjatë javës që përkon me datën 17 maj.

 

Xheni Karaj, drejtuesja e Aleancës, është një ndër aktivistet kryesore prej më shumë se një dekade. Nismat e këtij viti janë përqendruar në shfaqjet publike dhe performancat artistike. “Komuniteti ynë duhet ta dijë që ne jemi këtu për t’i mbështetur ata, dhe 17 Maji është rasti i duhur për të dalë publikisht,” shprehet Karaj. “Ata nuk duhet të ndihen në turp apo në faj”.

“Familja duhet të jetë një vend i sigurt [për personat LGBTI]. Përmes artit përpiqemi t’u fitojmë zemrat njerëzve në mënyrë që të ndryshojmë mendimin e tyre.”

Xheni Karaj, Drejtuese e organizatës Aleanca Kundër Diskriminimit LGBTI

Ndër aktivitetet kryesore të programit ishte një monodramë “queer” e vënë në skenë në një nga qendrat kulturore të kryeqytetit, Tiranë. Drama trajtonte një nga frikat më të mëdha të personave LGBTI në Shqipëri, duke përfshirë vetëpranimin dhe rëndësinë e pranimit të familjes. “Familja duhet të jetë një vend i sigurt. Përmes artit përpiqemi t’u fitojmë zemrat njerëzve në mënyrë që të ndryshojmë mendimin e tyre,” shprehet Karaj. Ajo është anëtarja e parë e komunitetit LGBTI në vend e cila zbuloi publikisht identitetin e saj seksual si lezbike. Karaj merr motivimin për punën e saj nga guximi i personave LGBTI për të sfiduar shoqërinë konservative shqiptare.

Paralelisht me rritjen e ndërgjegjësimit, organizatat LGBTI kanë përfshirë edhe institucionet publike për t’u angazhuar në mënyrë strategjike për eliminimin e diskriminimit kundër personave LGBTI në mbarë vendin. Studimet zbulojnë se personat LGBTI diskriminohen dhe përjashtohen dy herë më shumë se pjesa tjetër e popullsisë. Me mbështetjen e programit të përbashkët të BE-së dhe Këshillit të Evropës, Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë, organizatat e shoqërisë civile të tilla si Aleanca janë në gjendje të ndërtojnë lidhjen ndërmjet komunitetit dhe institucioneve ligjzbatuese. Një shembull i kësaj është Drejtoria e Policisë së Shtetit që ka caktuar pika kontakti me komunitetin LGBTI dhe ka përmirësuar protokollet për raportimin e rasteve të krimeve të urrejtjes. Mundësitë e dialogut ndërmjet komunitetit dhe policisë nxiten nëpërmjet nismave të programit, në Shqipëri dhe mbarë rajonin.

Këshilli i Evropës së fundmi ka përshtatur dhe përkthyer në gjuhën shqipe një manual për të orientuar policinë se si të përgjigjet në mënyrë profesionale ndaj këtyre rasteve dhe ka organizuar aktivitete për të ngritur kapacitetet e policisë. Ky manual nxit ngritjen e një sërë nismash ndjekëse që do të trajtojnë diskriminimin, pabarazinë dhe do të forcojnë gjithëpërfshirjen brenda policisë si dhe marrëdhënien ndërmjet policisë dhe qytetarëve. Këto nisma udhëhiqen nga standardet e BE-së dhe Këshillit të Evropës në respektimin dhe promovimin e të drejtave të njeriut.

 “Hera e vetme që orientimi seksual u përmend gjatë fushatës së zgjedhjeve të përgjithshme ishte kur kundërshtarët politikë donin të fyenin njëri-tjetrin”.

Xheni Karaj, Drejtuese e organizatës Aleanca Kundër Diskriminimit LGBTI

Në kuadër të luftës për një shoqëri të lirë dhe të barabartë për të gjitha identitetet seksuale dhe gjinore, Aleanca vlerëson se sfida kryesore institucionale është me partitë politike. Pothuajse dhjetë vjet më parë, me mbështetjen e Këshillit të Evropës, u propozuan ndryshime në dy ligje kyçe që lejojnë martesën e të njëjtit seks dhe njohjen e gjinisë për personat transeksualë. Megjithatë, Kuvendi asnjëherë nuk i ka marrë parasysh këto.

“Nuk ka aspak vullnet politik,” shprehet Karaj, e cila duket e zhgënjyer por jo e habitur. Aleanca u kërkoi të gjitha partive pjesëmarrëse në zgjedhjet e përgjithshme për vitin 2021 rreth planeve të tyre për përmirësimin e statusit të komunitetit LGBTI, por pati vetëm heshtje. Siç shprehet Karaj, “Hera e vetme që orientimi seksual u përmend gjatë fushatës së zgjedhjeve të përgjithshme ishte kur kundërshtarët politikë donin të fyenin njëri-tjetrin”. OJQ-ja ndërmori një fushatë publike duke drejtuar gishtin te politikanët që përdorën praktika të tilla në fushatën e fundit zgjedhore dhe gjatë vitit të kaluar.

Një atmosferë e tillë do të thotë që anëtarët e komunitetit shkurajohen për të raportuar abuzim, ngacmim dhe dhunë në familje. Megjithatë, sipas Xheni Karaj, personat LGBTI në Shqipëri janë një komunitet rezilient, të cilët mbeten aktivë pavarësisht presionit të madh në jetën e përditshme. Komuniteti ka një shërbim online në mbështetje të komunitetit ku ofrohet këshillim dhe ndihmë ligjore. Solidariteti me njerëzit në nevojë është rritur gjatë pandemisë, kryesisht me ndihmën e donatorëve. Mesazhi që ata të gjithë përcjellin është “Krenar”. Në anglisht përkthehet “Proud”.

Rreth programit

Nisma “Promovimi i diversitetit dhe barazisë në Shqipëri” synon forcimin e mekanizmave të diskriminimit në vend, duke përfshirë promovimin/mbrojtjen më të mirë të të drejtave të personave LGBTI dhe luftimin e gjuhës së urrejtjes, në përputhje me standardet dhe rekomandimet e Këshillit të Evropës. Aktivitetet gjithashtu synojnë të mbështesin negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë me Bashkimin Evropian në fushën e të drejtave themelore.

Programi financohet nga Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës në kuadër të Instrumentit Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë (Instrumenti Horizontal II) 2019-2022, një përpjekje e përbashkët e dy organizatave që u mundëson përfituesve të përmbushin agjendat e tyre të reformës në fushat e të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe demokracisë në përputhje me standardet evropiane.

Photo credits: The Alliance Against LGBTQI Discrimination

 

Please wait while your video is being uploaded...

Don't close this window!

Subscribe to the newsletter

I have read and understood the terms of the privacy statement.