Çiklizëm përgjatë historisë | WeBalkans | EU Projects in the Western Balkans

Çiklizëm përgjatë historisë

Një projekt i financuar nga BE-ja po mbështet rikthimin e një hekurudhe shekullore për çiklizëm dhe turizëm në Bosnje dhe Hercegovinë.

SCROLL DOWN

Në fund të shekullit të 19-të, Perandoria Austro-Hungareze nisi ndërtimin e një hekurudhe që do të lidhte qytetet kryesore të Bosnje dhe Hercegovinës qendrore. Punimet filluan në vitin 1891 dhe, brenda pak viteve, banorët e rajonit mund të udhëtonin me tren.

Për pjesën më të madhe të popullsisë, kjo ishte një përvojë tërësisht e re. Udhëtimi me tren ishte edhe një mundësi e jashtëzakonshme për të parë vendin teksa hekurudha përshkonte lugina malesh, kështjella mesjetare dhe peizazhe të bukura. Hekurudha funksionoi për thuajse 80 vjet, deri kur autoritetet e Jugosllavisë socialiste vendosën të ndalonin linjën, të mbyllnin stacionet dhe të hiqnin binarët e hekurudhës në vitin 1976. Arsyeja ishte ndërtimi i rrugëve të reja dhe rritja e numrit të mjeteve motorike dhe përdorimit të tyre.

“Njerëzit ishin të lidhur emocionalisht me këtë hekurudhë.

Miroslav Matošević

Rikthimi 

Miroslav Matošević jeton në një nga periferitë e qytetit të Travnikut. Shtëpia e tij ndodhet pranë hekurudhës së vjetër dhe ai kujton kur ishte fëmijë dhe luante në binarët e hekurudhës dhe përreth stacionit të braktisur të trenit. “Njerëzit ishin të lidhur emocionalisht me këtë hekurudhë. Mbaj mend historitë që disa gra katolike nga rajoni vendosën shalle të zeza për muaj me radhë në shenjë zije kur u mbyll hekurudha. Sikur të ishte pjesëtar i familjes”, thotë ai.

Miroslav është drejtori i Organizatës Turistike të Kantonit të Bosnjës Qendrore. Bashkërisht me kolegët dhe një organizatë partnere lider, Agjencinë e Zhvillimit REZ, ai ka ndërmarrë një nismë për rikthimin e hekurudhës së vjetër, por me një qëllim tjetër. Ata po punojnë për çeljen e një rruge çiklizmi 100 kilometra të gjatë përgjatë hekurudhës së vjetër dhe kanë aplikuar me sukses për mbështetje nga një projekt i financuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane.

Qëllimi i projektit Rruga e Hekurudhës së Vjetër është zgjerimi i ofertës për turizmin në natyrë në rajon dhe mundësimi i qëndrimit më të gjatë për turistët që vizitojnë Bosnjën Qendrore gjatë verës.

Paraqitja e rajonit

Ky projekt përfshin shtrimin e një rruge biçikletash përgjatë hekurudhës së vjetër, promovimin ndërkombëtar të kësaj rruge dhe rajonit dhe rrjetëzimin me bizneset që ofrojnë shërbime në një sistem miqësor ndaj çiklizmit. Miro-s i pëlqen shumë nisma novatore e këtij përbërësi të tretë, që përfshin krijimin e një aplikacioni mobile miqësor ndaj biçikletave, që do të bëjë të mundur lidhjen e çiklistëve dhe bizneseve vendase, si restorante, hotele e të tjera. Në këmbim të pjesëmarrjes në aplikacion, bizneset do të zbatojnë standarde miqësore ndaj biçikletave, si hapësira për parkimin e biçikletave, hapësira ku çiklistët të mund të ndërrohen, dhe ulje tarifash për çiklistët.

“Është e pabesueshme sa shumë persona u lumturuan dhe na përgëzuan kur shpallëm nisjen e projektit.” 

Miroslav Matošević

Rruga do të ketë të njëjtën shtrirje si hekurudha e vjetër dhe do të kalojë pesë qyteza të Kantonit të Bosnjës Qendrore: Busovača, Donji Vakuf, Jajce, Travnik dhe Vitez. Çiklistët do të mund të ndalojnë dhe t’i vizitojnë këto qyteza, por edhe monumente të trashëgimisë kulturore, si kështjella mesjetare e Travnik-ut.

“Është e pabesueshme sa shumë persona u lumturuan dhe na përgëzuan kur shpallëm nisjen e projektit”. Sigurisht, krahas përfitimit ekonomik, ekziston dhe një lidhje dhe kujesë emocionale”, thotë Miroslavi.

Rruga e Hekurudhës së Vjetër mbështetet nga projekti EU4Business i Bashkimit Evropian dhe zbatohet nga Agjencia për Zhvillim Rajonal (REZ), Shoqata Turistike e Kantonit të Bosnjës Qendrore dhe Nesa Sistem d.o.o. Travnik.

Rreth projektit

Rruga e Hekurudhës së Vjetër mbështetet përmes projektit EU4Business në BH të Bashkimit Evropian dhe Qeverisë Gjermane, dhe zbatohet nga Agjencia për Zhvillim Rajonal (REZ), Shoqata Turistike e Kantonit të Bosnjës Qendrore dhe Nesa Sistem d.o.o. Travnik.

EU4Business synon të stimulojë zhvillimin e sipërmarrjes, sektorët për eksport dhe turizmin dhe bujqësinë në Bosnje dhe Hercegovinë. Buxheti i përgjithshëm i financimit të EU4Business është 16 milionë euro dhe financohet bashkërisht nga Bashkimi Evropian (15 milionë euro) dhe Republika Federale e Gjermanisë (1.1 milionë euro). Projekti zbatohet bashkërisht nga GIZ, ILO dhe UNDP, dhe do të përfundojë deri në muajin mars 2022.

Photo credits:Central Bosnia Canton Tourist Association, Jajce Online, Wikipedia.

Please wait while your video is being uploaded...

Don't close this window!

Subscribe to the newsletter

I have read and understood the terms of the privacy statement.