Të rikthehesh në shtëpi pas 20 vitesh | WeBalkans | EU Projects in the Western Balkans

Të rikthehesh në shtëpi pas 20 vitesh

Programi i bashkëfinancuar nga BE-ja mbështet një refugjat nga Bosnja dhe Hercegovina për të rifilluar jetën në fshatin e tij të lindjes.

SCROLL DOWN

Lufta në Bosnje dhe Hercegovinë shkaktoi tragjedi për qindra mijëra familje. Shumë humbën të njerëzit e tyre të dashur apo punën e tyre dhe u detyruan të linin vendlindjet dhe fshatrat e tyre, për të mos u kthyer më. Davorin Savić nga fshati Bačevići, afër Mostarit, është një nga ata që u detyruar të linte shtëpinë e tij brenda natës dhe të gjente strehim gjetkë. Por, Davorin është edhe një nga ata me fat që ka arritur të kthehet në fshatin e tij dhe të fillojë një jetë të re aty.

Qyteti i Mostarit ishte një ndër qytetet e shumta multi-etnike në Bosnje dhe Hercegovinë ku kroatët, boshnjakët dhe serbët jetonin në harmoni. Por kjo harmoni u prish me fillimin e luftës në vitin 1992, e cila zgjati deri në vitin 1995. Mijëra njerëz u vranë dhe mbi një milion të tjerë u zhvendosën, duke e bërë atë konfliktin më shkatërrues në Evropë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore.

“Ishte e vështirë të jetoje si refugjat, por në një farë mënyre arritëm të mbijetonim. Morëm me qira një vend për të jetuar, dhe më së shumti punoja në tregun vendas me një pagë të ulët.”

Davorin Savić, përfitues

Më në fund, në shtëpi

Konflikti në Mostar filloi dhe u zhvillua me shpejtësi, ndaj, Davorini së bashku me familjen e tij, duhej të largoheshin sa më shpejt, duke lënë pas shtëpinë dhe plaçkat e tyre në fshat. Meqenëse ishin pakicë serbe, ata u shpërngulën në Serbi. Kujtimet e Davorinit janë ende të freskëta, se si në vitin 1992 ai la shtëpinë e familjes së tij, së bashku me vëllanë dhe nënën e tij, për t’u larguar drejt Beogradit. “Ishte e vështirë të jetoje si refugjat,” kujton ai. “Por në një farë mënyre arritëm të mbijetonim. Morëm me qira një vend për të jetuar, dhe më së shumti punoja në tregun vendas me një pagë të ulët.”

Ai jetoi në Beograd për 18 vjet, por në vitin 2010, më në fund, familja u kthye në Bačevići, ku u përballën me faktin se shtëpia e tyre ishte shkatërruar plotësisht. Por fati i tyre do të ndryshonte. “Takuam disa fqinjë të cilët na treguan për programin e rindërtimit të shtëpive për të kthyerit,” shpjegon Davorini. “Menjëherë aplikuam në Programin Rajonal të Strehimit.”

Ai pranon se jeta në Bosnje dhe Hercegovinë nuk është e lehtë, veçanërisht për të kthyerit dhe personat e zhvendosur brenda vendit. Megjithëse përpara luftës ai kishte punuar në shoqërinë energjetike, ai e kishte të vështirë të gjente një punë në shoqërinë e vjetër pas kthimit të tij në BH. Ai ende nuk ka një punë me pagë të sigurt apo sigurim shëndetësor.

“Nuk e kisha imagjinuar kurrë se do të kthehesha në fshatin tim dhe do të prodhoja perime në një serë dhe do të punoja tokën.”

Davorin Savić, përfitues

Por, pavarësisht gjasave, Davorin arrin të sigurojë një jetë dinjitoze për veten, nënën dhe familjen e vëllait të tij, i cili ndërroi jetë vitin e kaluar. Kjo është kryesisht falë shtëpisë së rindërtuar me mbështetjen e Programit Rajonal të Strehimit si dhe serës dhe traktorit të vogël të siguruar me mbështetjen e Shërbimeve të Ndihmës Katolike. “Nuk e kisha imagjinuar kurrë se do të kthehesha në fshatin tim dhe do të prodhoja perime në një serë dhe do të punoja tokën,” qesh ai. “Por është fantastike. Shes prodhimet e mia në tregun e Mostarit.”

Duke reflektuar mbi jetën e tij sot, Davorin komenton me ngazëllim rreth miqësisë së tij me fqinj nga etni të ndryshme. Në kontrast nga situata kur iu desh të ikte nga Bačevići, tani ai shprehet, “Ne jetojmë bashkë, ndihmojmë njëri-tjetrin dhe festojmë të gjitha festat.”

Rreth projektit

Rreth 1800 njësi banimi janë dorëzuar deri më tani në Bosnje dhe Hercegovinë si pjesë e Programit Rajonal të Strehimit. Objektivi përfundimtar është që të ndërtohen mbi 3,000 njësi banimi deri në qershor 2023.  Rreth 291 milionë euro janë alokuar deri më tani për Programin Rajonal të Strehimit, nga të cilat më shumë se 76 milionë euro janë për projekte në BH. Me 235 milionë euro, Bashkimi Evropian është donatori kryesor i Programit.

Photo credits: Regional Housing Programme

Please wait while your video is being uploaded...

Don't close this window!

Regjistrohu në buletinin informativ

I have read and understood the terms of the privacy statement.