Ahmedi është një ndër shumë profesionistët e arteve pamore dhe dizajnit të komunikimit në Bosnjë-Hercegovinë. Pavarësisht kësaj, ai ndoqi një rrugë të pazakontë në profesionin e tij. Në shkollë të mesme, Ahmedi ka studiuar teologji. “Në fakt, kur isha në shkollë të mesme, nuk mendoja se isha i talentuar dhe kjo ndikoi në mirëqenien time psikologjike. Ndihesha në depresion pasi nuk arrija të vendosja se çfarë do të studioja në universitet.” – shprehet ai.
Kur ishte në shkollë të mesme, Ahmedi nuk ishte i sigurt se çfarë profesioni dëshironte të kishte në të ardhmen, por pak kohë përpara se të diplomohej, miku i tij më i mirë i tha se do të aplikonte në programin e studimit të arteve pamore dhe dizajnit të komunikimit në Universitetin Ndërkombëtar të Sarajevës. Ahmedi vendosi të bënte të njëjtën gjë ndonëse nuk ishte i sigurt se kishte talent në këtë fushë të re. Siç e shpjegon ai, këtë vendim e mori duke u i shtyrë nga një instinkt i brendshëm. Dhe si për çudinë e tij, ai u përzgjodh. Me sa duket, kishte talent.
Puna e palodhur të shpërblen
Kursi përfshinte lëndë të ndryshme, si: dizajn grafik, fotografi, montazh videosh, dhe pikturë. Të gjitha këto lëndë ishin të panjohura për Ahmedin. “U përfshiva plotësisht në çdo lëndë. Nuk kisha shumë njohuri paraprake, por nuk më mungonte dëshira për të mësuar e për të eksploruar. Punova ditë e natë për të mbushur boshllëqet në njohuri.” – thotë ai.
Puna e tij e palodhur ia vlejti. Ahmedi fitoi një bursë nga universiteti, që mbulonte 50% të tarifës së shkollimit. Me përmirësimin dhe rritjen e vetëbesimit të tij, ai filloi të bënte plane për të përmirësuar aftësitë e tij nëpërmjet përvojës ndërkombëtare. Por ai nuk i kishte mundësitë financiare, ndaj i nevojitej mbështetje.
Gjuha zyrtare në Universitetin Ndërkombëtar të Sarajevës ishte anglishtja, e cila nuk ishte pika e fortë e Ahmedit. Ndaj, ai vendosi të ndiqte një kurs gjuhe për personat që nuk flisnin anglisht. Ai shpjegon se pjesëmarrja në këtë kurs kontribuoi në zgjerimin e horizontit dhe mendësisë së tij, pasi përveç mësimit të gjuhës, kursi përfshinte edhe tema, si të menduarit kritik dhe planifikimi i karrierës. Profesori gjithashtu e prezantoi me programin ERASMUS+ që ofron bursa për studentët, të cilët dëshirojnë të studiojnë jashtë vendit. Ahmedi e shfrytëzoi këtë mundësi pa një pa dy.
Mbresa turke
Atij iu dha mundësia të vazhdonte studimet në Universitetin Anadolu në Eskisehir, Turqi. Ahmedi shpjegon se asokohe ishte i kënaqur kudo që të shkonte. Nuk kishte dëgjuar kurrë më parë rreth këtij universiteti dhe madje as nuk e kërkoi në Google. “Kur mbërrita, kuptova se ishte zgjedhja më e mirë në jetën time, pasi rashë në dashuri me qytetin, universitetin, dhe njerëzit. M’u duk sikur nuk isha në këtë planet. Ata pesë muaj ishin pesë muajt më të bukur të jetës sime.” – thotë Ahmedi.
Një nga elementet që vlerëson më shumë nga përvoja e tij në universitetin e Eskisehirit është qasja e profesorëve, që ishin shumë mbështetës dhe të gatshëm për ta ndihmuar. Ai kujton që studentët si ai përkraheshin edhe më tepër. Ahmedi i zhvilloi konsiderueshëm kapacitetet e tij profesionale gjatë qëndrimit në Universitetin Anadolu, por pati edhe përfitime të tjera.
Rritja e vetëbesimit
Ahmedi thotë se përpara se të shkonte në Eskisehir ishte më i mbyllur. Përvoja në Eskisehir e ndryshoi. Kur u kthye në Sarajevë, ai e kuptoi se sa kishte ndryshuar. Ai filloi të aplikonte në programe dhe projekte vullnetare dhe u bë pjesëtar i rregullt i shërbimit vullnetar të universitetit.
“Duke parë sa mirë shkuan gjërat me programin Erasmus ku u përfshiva, unë vendosa të lidhesha me programe të tjera të BE-së. Së fundmi u bëra anëtar i rrjetit të studentëve të Erasmus-it. Mund të tingëllojë klishe, por u bëra më mendjehapur. Ndryshova për mirë,” – thotë Ahmedi.
Ahmedi u diplomua këtë verë dhe aktualisht po punon me kohë të pjesshme, por synon të gjejë një punë më kohë të plotë që lidhet me profilin e tij. Në të ardhmen ai shpreson që të ngrejë biznesin e tij.
ERASMUS+ është program i BE-së për të mbështetur arsimin, trajnimin, rininë dhe sportin në Evropë. Buxheti prej 14.7 miliardë eurosh ofron mundësi për mbi 4 milionë evropianë që të studiojnë, të trajnohen, dhe të fitojnë përvojë jashtë vendit.
Photo Credits: Ahmed Hodzic
Please wait while your video is being uploaded...
Don't close this window!