Fjalimi i Presidentes von der Leyen gjatë Javës Rome 2023, përmes një video-mesazhi
Fjalimi i Presidentes von der Leyen gjatë Javës Rome 2023, përmes një video-mesazhi
Të nderuar Deputetë të Parlamentit Evropian,
Të dashur përfaqësues të komuniteteve rome,
të rinj romë, të reja rome, akademikë, partnerë socialë, dhe shoqëri civile,
Zonja dhe zotërinj,
Demokracitë tona janë ndërtuar mbi një premtim themelor: Të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët. Nuk duhet të ketë rëndësi se çfarë pamjeje keni, çfarë gjuhe flisni, apo çfarë mbiemri mbani. Demokracitë duhet të funksionojnë për të gjithë ne. E dimë që jo gjithmonë ndodh kështu. Për shumë nga gjashtë milionë evropianë romë këto të drejta të barabarta nuk ofrohen plotësisht. Romët ende hasin vështirësi në gjetjen e një pune apo apartamenti. Ishte e trishtë të shihje kaq shumë romë teksa largoheshin nga Ukraina dhe ndesheshin me vështirësi dhe diskriminim në Bashkimin tonë. Romët në Evropë ende përballen me fyerje dhe shpifje në rrugë, në media, dhe shpeshherë, edhe në diskursin politik. Kjo duhet të ndryshojë. Dhe mundet të ndryshojë. Në demokraci, progresi është gjithnjë i mundshëm. Edhe gjykimet dhe diskriminimet më të rrënjosura mund të çrrënjosen, nëse autoritetet publike dhe shoqëria civile punojnë së bashku dhe ndajnë të njëjtin drejtim, i cili duhet të jetë barazia dhe të drejtat e barabarta.
Kjo është arsyeja përse në vitin 2020, ne parashtruam Kornizën e re Strategjike të BE-së për Komunitetin Rom mbi barazinë, gjithëpërfshirjen dhe pjesëmarrjen. Dhe kemi vërejtur disa ndryshime pozitive në mbarë Bashkimin Evropian. Për shembull, në Rumani, plani evropian i rimëkëmbjes “NextGenerationEU” po i ndihmon familjet rome që të aksesojnë kujdesin shëndetësor dhe mjekun e familjes. Në Belgjikë, të rinjtë romë dhe të rejat rome që kërkojnë një vend pune, trajnohen dhe mentorohen falë fondeve të BE-së. Polonia po punëson çdo ditë e më shumë ndërmjetës kulturorë për të mbështetur fëmijët romë në shkolla. Dhe në Itali, për herë të parë, është shtruar një “pllakë përkujtimore”, Stolperstein, për të kujtua një të ri rom që u dëbua drejt një kampi nazist të përqendrimit. Kjo pllakë përkujtimore u shtrua në sheshin ku ai i binte violinës. Këta janë hapa të rëndësishëm përpara. Drejt gjithëpërfshirjes. Drejt ndërgjegjësimit të rritur rreth trashëgimisë dhe kontributit të komunitetin rom në trashëgiminë tonë kulturore evropiane. Drejt barazisë së plotë për të gjithë evropianët.
Dhe progresi duhet të vazhdojë. Ne duhet t’i mbajmë të drejtat rome në qendër të axhendës sonë politike. Për këtë arsye, janarin e kaluar kryem vlerësimin e parë të strategjive të reja kombëtare për komunitetin rom. Ne nënvizuam nxitjen e nismave dhe praktikave të mira nga mbarë Evropa. Megjithatë, duhet punuar më fort drejt çështjeve kyç, si: lufta kundër antigipsizmit dhe segregimit. Për të përmirësuar cilësinë e jetës së romëve, Strategjia e BE-së për Komunitetin Rom ka përcaktuar objektiva të qarta që duhen përmbushur deri në vitin 2030. Këto objektiva përfshijnë përgjysmimin e hendekut të punësimit dhe hendekut të pjesëmarrjes së anëtarëve të komunitetit rom në të nxënit e fëmijërisë së hershme. Shumë Shtete Anëtare kanë vendosur objektiva kombëtare. Kjo do të na mundësojë që ta monitorojmë dhe ta matim progresin tonë, për të ecur përpara në rrugëtimin tonë drejt barazisë.
Ndërtimi i Bashkimit të barazisë kërkon politikat dhe objektivat e duhura. Por, nuk duhet të harrojmë as shkëmbimet e vazhdueshme me shoqërinë civile. Me komunitetet rome, me OJF-të që luftojnë për të drejta të barabarta, me shoqata kulturore që promovojnë kulturën rome në Evropë. Zëri juaj duhet dëgjuar. Zëri i romëve duhet dëgjuar. Si brenda institucioneve tona, ashtu edhe në debate publike në shoqëritë tona. Ndaj, ju falënderoj për organizimin dhe pjesëmarrjen tuaj në këtë aktivitet të rëndësishëm. Dhe më lejoni t’ju uroj një javë të mbarë kushtuar komunitetit rom!
Faleminderit!
Burimi: DG NEAR
Fotografitë: DG NEAR