Promovimi i të drejtave të njeriut në një mjedis tradicional | WeBalkans | EU Projects in the Western Balkans

Promovimi i të drejtave të njeriut në një mjedis tradicional

Një organizatë në Shqipëri po ndihmon promovimin e të drejtave të njeriut dhe vullnetarizmit rinor, me mbështetjen e një projekti të financuar nga BE-ja.

SCROLL DOWN

Bashkia e Dibrës ndodhet në një rajon malor, në brigjet e lumit të Drinit të Zi, në verilindje të Shqipërisë, pranë kufirit me Maqedoninë e Veriut. Dibra është prekur ndjeshëm nga emigracioni, veçanërisht ai i të rinjve, që thonë se nuk mund të gjejnë punë në Dibër. Sidoqoftë, një organizatë lokale joqeveritare, Local Action Group (LAG), ka vite që punon për ta bërë vendin më interesant për të rinjtë, duke u ofruar një mundësi për të dhënë kontributin e tyre për shoqërinë dhe për të qenë më aktivë.

Erblina është një 21-vjeçare nga Dibra, që aktualisht po studion për mjekësi në Tiranë. Ajo ka qenë pjesë e Local Action Group që në moshën 16 vjeç dhe akoma vazhdon të kontribuojë kur vjen në shtëpi për pushime. Ajo shpjegon se ka qenë aktiviste që në klasën e nëntë. ”Kam përfituar shumë nga vullnetarizmi: më ka ndihmuar të bëhem kjo që jam sot. Kur ofron ndihmë dhe sheh se kontributi yt jep rezultate, ndihesh shumë mirë,” thotë ajo.

“Vendosëm që duhej të bënim diçka për të mbushur zbrazëtinë, nëpërmjet mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave të njeriut.”

Kimete Mazari, NGO Local Action Group Dibër

Rritja e kapacitetit për të nxitur veprimtarinë brenda zonës

Local Action Group u themelua në vitin 2016. Në atë kohë, Kimetja punonte si mësuese dhe njëkohësisht për Kryqin e Kuq Ndërkombëtar. Ajo shpjegon se Dibra është një ndër rajonet më të varfra të Shqipërisë, ku, përveç varfërisë, ka edhe probleme me mentalitetin tradicional, që ndikon te të drejtat e njeriut. Ajo vuri re se nuk po bëheshin shumë përpjekje për ta trajtuar këtë problem. “Vendosëm që duhej të bënim diçka për të mbushur zbrazëtinë, nëpërmjet mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave të njeriut,” thotë ajo.

Duke qenë se përfaqësonin një organizatë lokale në një zonë të thellë, Kimetja dhe miqtë e saj nuk kishin përvojën e duhur për të drejtuar një OJQ apo mundësi për të fituar aftësitë e nevojshme. Fatmirësisht, atyre iu dha një mundësi nga projekti ‘Technical Assistance to Civil Society Organisations’ (TACSO), i financuar nga BE-ja, misioni i të cilit është të rrisë kapacitetet dhe të fuqizojë rolin e organizatave të shoqërisë civile në Ballkanin Perëndimor.

Me njohuritë e fituara nëpërmjet TACSO-s, LAG-u ka arritur të zbatojë dhe të japë kontributin e tij për komunitetin, nëpërmjet projekteve që përqendrohen te të drejtat e njeriut dhe tematika të tjera. Projekti i tyre i parë, që përqendrohej te parandalimi i dhunës në familje dhe që gjithashtu ishte financuar nga BE-ja, ishte një ndër më të rëndësishmit për Kimeten. Ajo shpjegon se, meqenëse Dibra është një rajon tepër tradicional, gratë ngurronin të flisnin hapur rreth rasteve të dhunës familjare dhe abuzimit nga burrat në familjet e tyre. “Gratë në zonat rurale e kanë shumë të vështirë të flasin hapur për dhunën apo të kërkojnë ndihmë. Fakti që përfaqësonim një organizatë lokale na ndihmoi shumë për këtë aspekt, pasi pranoheshim më lehtë në ambientet familjare, bënim vizita nga shtëpia në shtëpi, flisnim me shumë gra vulnerabël dhe i përkrahnim ato në mënyra të ndryshme.

“Projekti EU TACSO na është gjendur pranë që ditën e parë dhe ka qenë çelësi i suksesit tonë.”

Kimete Mazari, NGO Local Action Group Dibër

Për Kimeten, suksesi më i madh i organizatës mund të jetë përfshirja e të rinjve në aktivitetet e tyre. Organizata ka aktualisht mbi 300 vullnetarë aktivë që japin kontribut rregullisht. “Dibra nuk ka organizata rinore apo përfaqësim të rinisë në nivel vendor. Duke i përfshirë në aktivitetet e organizatës sonë, u dhamë mundësinë të ndihmojnë të tjerët, por edhe të shprehen,” thotë Kimetja.

Sidoqoftë, Kimetja thekson se pa mbështetjen e TACSO-s, nuk do të ishte realizuar mbase asnjë prej këtyre projekteve. TACSO-ja e trajnoi ekipin e saj në mënyra të ndryshme, duke përfshirë këtu shkrimin e propozimeve të projekteve, menaxhimin financiar të projekteve, metodat më të mira për të përdorur vullnetarët, teknikat e komunikimit të mbulimit digjital dhe shumë aftësi të tjera. Ajo thotë:- “Projekti EU TACSO na është gjendur pranë që në ditën e parë dhe ka qenë çelësi i suksesit tonë.”

Lidhur me projektin

‘Technical Assistance to Civil Society Organisations in the Western Balkans and Turkey’ (TACSO) është një projekt rajonal, i financuar nga BE-ja, që rrit kapacitetet dhe fuqizon rolin e organizatave të shoqërisë civile (OShC-ve). Projekti ndihmon OShC-të të marrin pjesë në mënyrë aktive në proceset demokratike në rajon dhe gjithashtu krijon një mjedis të sigurt për shoqërinë civile dhe zhvillimin e pluralizmit të medias.

Projekti po zhvillohet në Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Serbi dhe Turqi. TACSO-ja është pjesë e ‘Civil Society Facility EU mechanism’, që ofron mbështetje për OShC-të në vendet që nuk janë bërë akoma pjesë e BE-së. OShC-të luajnë një rol të rëndësishëm për Bashkimin Evropian dhe shihen si pjesëmarrësit kryesorë që mbështesin procesin e aderimit të vendit të tyre.

 

Photo credits: LAG

Please wait while your video is being uploaded...

Don't close this window!

Subscribe to the newsletter

I have read and understood the terms of the privacy statement.