Të luftojmë ndotjen përtej kufirit | WeBalkans | EU Projects in the Western Balkans

Të luftojmë ndotjen përtej kufirit

Bashkitë ndërkufitare në Maqedoninë e Veriut dhe Serbi bashkojnë forcat për luftën kundër ndotjes

SCROLL DOWN

Zonat kufitare të Likovës në Maqedoninë e Veriut dhe të Preshevës në Serbi janë të dyja bashki me popullsi të vogël: Likova ka 13,000 banorë, ndërsa Presheva 27,000. Duke qenë se shumica e banorëve të tyre jetojnë në zona rurale, ata kanë kulturë, tradita e sistem ekonomik të ngjashëm dhe lidhje të forta familjare e miqësie. Sidoqoftë, kanë edhe të njëjtin problem të rëndësishëm: një nivel të lartë ndotjeje që vjen nga vend-grumbullimet e paligjshme të mbeturinave.  Në bashkinë e Preshevës gjenden 11 vend-grumbullime të paligjshme mbeturinash dhe shtatë të tilla në Likovë.

Të dyja bashkitë kanë një sistem për grumbullimin e mbetjeve, që është organizuar nëpërmjet kompanive të shërbimit publik. Sidoqoftë, këto kompani nuk i mbulojnë krejtësisht bashkitë e tyre përkatëse. Kompania Pisha në Likovë mirëmban dhjetë fshatra nga 22 fshatrat e banuara në zonën ku është rënë dakord të grumbullohen mbetje, ndërsa kompania Moravica në anën serbe të kufirit mbulon 11 fshatra nga 34 të tilla të banuara në bashki. Problemi në rritje i fshatrave, të cilave nuk u është ofruar shërbim, nuk u arrit të shqyrtohej në nivel bashkiak për shkak të mungesës së fondeve dhe koordinimit dhe për këtë arsye, dy bashkitë vendosën të kërkonin mbështetje të jashtme për të menaxhuar problemin.

“Duke marrë parasysh përmasat relativisht të vogla të bashkive, numri i njerëzve me sëmundje ngjitëse ishte shumë i lartë dhe për ne ishte e dukshme që një ndër arsyet kryesore për këtë ishin vend-grumbullimet e paligjshme të mbeturinave dhe mjedisi i ndotur.”

Aleksandar Gumberovski, menaxher i projektit, bashkia Likovë

Të bashkojmë forcat për një mjedis më të mirë

Aleksandar Gumberovski është menaxher projekti me bashkinë e Likovës. Ai shpjegon se, në bazë të të dhënave zyrtare, të marra nga Spitali Rajonal në Vranjë, numri i personave me sëmundje ngjitëse në bashkinë e Preshevës ishte 20 në vitin 2017, 30 në vitin 2018 dhe 35 vetëm në gjysmën e parë të vitit 2019. Në anën e tij të kufirit, në Likovë, numri i njerëzve me sëmundje ngjitëse ishte 23 në vitin 2017, 38 në vitin 2018 dhe 42 vetëm në gjysmën e parë të vitit 2019, gjë që dëshmon për rritje të vazhdueshme të infektimit edhe atje. “Duke marrë parasysh përmasat relativisht të vogla të bashkive, numri i njerëzve me sëmundje ngjitëse ishte shumë i lartë dhe për ne ishte e dukshme që një ndër arsyet kryesore për këtë ishin vend-grumbullimet e paligjshme të mbeturinave dhe mjedisi i ndotur,” thotë Aleksandar-i.

Për shkak të madhësive të tyre dhe ekonomisë kryesisht rurale, asnjëra prej bashkive nuk zotëron fonde të mjaftueshme për të mbuluar në mënyrën e duhur të gjitha shërbimet për banorët dhe kjo është arsyeja pse nuk arritën të ofronin shërbime për grumbullimin e mbetjeve për të gjithë qytetarët . Sidoqoftë, duke qenë se në bashkinë e Likovës pati një përvojë të mirë mbështetjeje nga donatorët, ata bashkuan forcat me bashkinë fqinje të Preshevës në anën serbe të kufirit dhe vendosën të aplikonin për financim nga BE-ja, që t’i ndihmonte me këtë problem.

Ata krijuan bashkarisht një projekt të titulluar “Më Pak Mbeturina, Më Pak Rrezik, Më Shumë Shëndet” dhe morën mbështetje nga programi i Bashkëpunimit Ndërkufitar Maqedoni e Veriut – Serbi, të financuar nga BE-ja. Nëpërmjet projektit, ata blenë dy kamionë të mëdhenj për grumbullimin e mbetjeve, 20 kontejnerë më të mëdhenj për grumbullimin e mbetjeve dhe mbi 1700 kazanë të vegjël për t’i shpërndarë në familjet e rajonit.

“Këto bashki janë të pazhvilluara dhe ka mungesë fondesh për thuajse çdo sektor. Për këtë arsye, mbështetja e BE-së luan rol shumë të rëndësishëm për zgjidhjen e problemeve tona, madje ndonjëherë edhe për ato më të thjeshtat.”

Aleksandar Gumberovski, menaxher i projektit, bashkia Likovë

Përveç mbështetjes me pajisje, projekti do të nisë gjithashtu edhe një fushatë ndërgjegjësimi me fletëpalosje dhe video, për të ndryshuar zakonet e qytetarëve që lidhen me mjedisin, duke i inkurajuar të përdorin kazanët e sapo-blerë për mbetjet e tyre.

Ky nuk është projekti i parë i financuar nga BE-ja nga i cili ka përfituar bashkia e Likovës. Aleksandar-i shpjegon se, bashkia është në kufi edhe me Bullgarinë dhe Kosovën dhe për këtë arsye, ata kanë qenë pjesë e programeve të tjera për bashkëpunim ndërkufitar. “Këto bashki janë të pazhvilluara dhe ka mungesë fondesh për thuajse çdo sektor. Për këtë arsye, mbështetja e BE-së luan rol shumë të rëndësishëm për zgjidhjen e problemeve tona, madje ndonjëherë edhe për ato më të thjeshtat,” thotë ai.

Lidhur me projektin

Projekti i bashkëpunimit ndërkufitar “Më Pak Mbeturina, Më Pak Rrezik, Më Shumë Shëndet”, i financuar nga BE-ja, nisi në fillim të vitit 2021 dhe do të vazhdojë deri në fund të vitit 2022. Vlera e përgjithshme e projektit arrin mbi 250,000 euro, rreth 85% prej të cilave janë financuar nga BE-ja. Objektivat specifikë të këtij projekti përfshijnë:

rritjen e kapacitetit për të menaxhuar rreziqet e krijuara nga njeriu dhe ato të lidhura me asgjësimin e mbetjeve të ngurta dhe me mbrojtjen e mjedisit; rritjen e kapacitetit dhe përmirësimin e qasjes së institucioneve ndaj shërbimeve për organizimin e mbetjeve; rritjen e ndërgjegjësimit tek banorët vendas për pasojat e ndotjes; dhe uljen e sëmundjeve ngjitëse.

Photo credits: “Less Garbage, Less Risk, More Health” project

Please wait while your video is being uploaded...

Don't close this window!

Subscribe to the newsletter

I have read and understood the terms of the privacy statement.