Shtëpia e rinovuar e gjyshit me një funksion të ri | WeBalkans | EU Projects in the Western Balkans

Shtëpia e rinovuar e gjyshit me një funksion të ri

Një projekt i financuar nga BE-ja, që promovon arkitekturën tradicionale, ndihmon fshatarët në rajonin kufitar Shqipëri-Mal i Zi për turizëm të suksesshëm.

SCROLL DOWN

Ushqim shtëpie dhe pa menu, me gjithçka të shërbyer të freskët nga kopshti ose pemëtorja: kjo është ajo që u ofrohet vizitorëve që qëndrojnë në bujtinën e familjes Kljajić në fshatin Lubnice, në Malin e Zi. Ata qëndrojnë në një shtëpi mbi njëqindvjeçare, me orendi dhe dekor tradicional. Bujtina drejtohet nga Maja dhe Milan Kljajić, së bashku me katër fëmijët e tyre. Rrugëtimi i tyre në sipërmarrjen në turizëm nuk ka qenë gjithnjë i lehtë. Ata janë përballur me sfida, rastësi, por dhe kënaqësi nga rezultati përfundimtar dhe buzëqeshjet e mëdha në fytyrat e vizitorëve.

Krahas bukurive natyrore dhe kuzhinës së pasur, fshati Lubnice ka dhe një arkitekturë tradicionale të bollshme. Kjo vjen nga kultura dhe historia shumë e pasur e rajonit dhe vonesat e modernizimit, çka do të thotë se shumë nga shtëpitë e vjetra janë ruajtur në fshatrat e zonës ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi.

“Të them të drejtën, nuk ma merrte mendja se kjo shtëpi e vjetër do të kishte ndonjë dobi. Megjithatë, im shoq, Milan-i, këmbënguli dhe, pak kohë më pas, u bëmë pionierët e turizmit rural në rajonin tonë”.

Maja Kljajić

Nga bujqësia në shkallë të vogël në sipërmarrjen në turizëm

Deri dhjetë vjet më parë, Maja dhe Milan-i nuk kishin asnjë synim të përfshiheshin në turizëm. Milan-i prodhonte mjaltë organik dhe familja i siguronte të ardhurat përmes kësaj veprimtarie dhe prodhimeve të tjera të vogla bujqësore, që i shisnin në tregjet e qytezave përreth. Veç shtëpisë ku jetonin, kishin dhe një shtëpi tjetër 100-vjeçare. Milan-i e kishte trashëguar nga babai dhe gjyshi i tij. Shtëpia përdorej si depo për ushqime dhe orenditë që nuk u nevojiteshin më.

Si pjesë e veprimtarisë së prodhimit të mjaltit, Milan-i udhëtonte në mbarë rajonin për të ndjekur seminare dhe prej kësaj i lindi ideja ta kthente shtëpinë e vjetër në një bujtinë për turistët. “Të them të drejtën, nuk ma merrte mendja se kjo shtëpi e vjetër do të kishte ndonjë dobi. Megjithatë, Milan-i, këmbënguli dhe, pak kohë më pas, u bëmë pionierët e turizmit rural në rajonin tonë”, thotë Maja.

Shtëpia ishte në gjendje të keqe dhe familjes Kljajić i duhej të investonte për ta rinovuar. Problemi ishte se ata nuk i kishin mundësitë për këtë. Fillimisht, u mbështetën nga një organizatë dhuruese për rregullimin e çatisë, që ishte urgjente, dhe kryen disa riparime të tjera të vogla. Pas kësaj, mund të prisnin vizitorë. Maja-s i kujtohen vizitorët e parë, një grup çiklistësh bullgarë, të cilët i kishin pritur në vitin 2014. Ajo mban mend se nuk kishte fjetur natën e mbërritjes së tyre, pasi kishte merak se nuk do të mund të zgjohej në kohë për t’u përgatitur mëngjesin. “Na dukej e pabesueshme. Nuk ishim mësuar me vizitorë; i gjithë fshati ishte i entuziazmuar dhe i habitur”, thotë Maja.

Pas grupit të parë erdhën dhe të tjerë, deri sa shtëpia nisi të rezervohej për të gjithë sezonin. Megjithatë, rritja e popullaritetit u shoqërua me sfida. Shtëpia e vjetër nuk ishte rinovuar plotësisht dhe kishte probleme, ndaj familjes i nevojitej ndihmë për promovim.

“Mbështetja nga BE-ja ishte shumë e rëndësishme. Krahas parave për rinovimin përfundimtar të shtëpisë, na u dha mbështetje dhe për ta promovuar shtëpinë tonë pritëse nëpërmjet broshurave dhe mediave sociale. Kjo pati ndikim të ndjeshëm për rritjen e mëtejshme të punës sonë”.

Maja Kljajić

Financimi i nevojshëm u mundësua nga një projekt bashkëpunimi ndërkufitar i financuar nga BE-ja, i quajtur “Ruajtja e peizazheve kulturore në Shqipëri dhe Mal të Zi”. Ky financim e ndihmoi familjen të përfundonte rinovimin e shtëpisë, duke ruajtur elementet e saj tradicionale kulturore dhe historike. “Mbështetja nga BE-ja ishte shumë e rëndësishme. Krahas parave për rinovimin përfundimtar të shtëpisë, na u dha mbështetje dhe për ta promovuar shtëpinë tonë pritëse nëpërmjet broshurave dhe mediave sociale. Kjo pati ndikim të ndjeshëm në rritjen e mëtejshme të punës sonë”, thotë Maja.

Tashmë, Maja dhe Milan-i planifikojnë ta vazhdojnë këtë veprimtari dhe në vitet e ardhshme. Gjithashtu, ata shpresojnë se të paktën njëri nga fëmijët e tyre do të ketë të njëjtin pasion me ta dhe do ta mbajë bujtinën hapur.

Rreth projektit

Projekti i bashkëpunimit ndërkufitar i financuar nga BE-ja, i quajtur “Ruajtja e peizazheve kulturore në Shqipëri dhe Mal të Zi”, filloi në vitin 2018 dhe përfundoi në vitin 2020. Projekti ka në fokus përmirësimin e konkurrueshmërisë së sektorit të turizmit duke përfshirë trashëgiminë kulturore dhe natyrore. Ai ka kontribuar në promovimin e arkitekturës tradicionale të zonës ndërkufitare te vizitorët vendas dhe ndërkombëtarë, përmes ekspozitave, mediave sociale dhe një sërë artikujsh në revista të posaçme për temën e elementeve tradicionale në arkitekturën moderne dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore. Projekti u zbatua nga Agjencia për Zhvillim Rajonal për Bjelasica, Komovi dhe Prokletije dhe Muzeu Polimski nga Mali i Zi, në bashkëpunim me EuroPartners Development dhe Këshilli Rajonal i Shkodrës në Shqipëri.

Photo credits: Kljajić family

Please wait while your video is being uploaded...

Don't close this window!

Subscribe to the newsletter

I have read and understood the terms of the privacy statement.