Gazetarëve u jepet më shumë kohë për të thënë të vërtetën | WeBalkans | EU Projects in the Western Balkans

Gazetarëve u jepet më shumë kohë për të thënë të vërtetën

Gazetaria investigative është një instrument me vlerë për të cilin BE-ja mendon se ja vlen të investohet.

SCROLL DOWN

Në Kosovë, konsumi i lajmeve digjitale përjetoi rritje para disa vitesh. Për shkak se pandemia i detyroi njerëzit të kalonin më tepër kohë brenda, fuqia e platformave digjitale është rritur dhe këto platforma janë burimet më të zakonshme të informacioneve të rreme ose ngatërruese.

Numri i portaleve të lajmeve online në Kosovë u rrit gjatë zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2017, sipas Arta Berishës, një gazetare e njohur, e cila ka mbuluar fenomenin e lajmeve të rreme. Në atë periudhë, ajo sapo kishte filluar të jepte mësim në gazetari. “Si gazetare, më shqetësonte mungesa e standardeve në këto portale”, thotë ajo.

“Dëshironim të ofronim një platformë për gazetarët që nuk janë në gjendje të krijojnë materiale në mënyrë të pavarur; duke u mundësuar të punojnë pa u ndikuar nga reklamuesit apo presioni i përditshëm i krijimit të përmbajtjeve në redaksitë e tyre”.

Albulena Sadiku, BIRN

Krahasuar me tregun e SHBA-së, ku përmbajtja e lajmeve të rreme u krijua për përfitim financiar, informacioni ngatërrues në Kosovë synon kryesisht përfitime politike. “Përmbajtjet e pajisura me tituj interesantë dhe informacione të anshme dhe të paverifikuara janë të shumta dhe prodhohen thjesht për interesa politike nga përfaqësues të medias me lidhje në mbarë spektrin politik në Kosovë”, thotë Berisha, e cila ka shkruar gjerësisht për këtë temë që prej vitit 2017. Kjo situatë konfirmohet në një studim të Parlamentit Evropian ku referohet dhe puna e Berishës, dhe ku arrihet në përfundimin se keqinformimi në Ballkanin Perëndimor krijohet dhe shpërndahet nga aktorët vendas për qëllime të brendshme. Ky studim rreth keqinformimit, i kryer në periudhën 2018 – 2020, paraqet tri sfida kryesore të keqinformimit: sfidat e jashtme ndaj besueshmërisë së BE-së; keqinformim lidhur me pandeminë e COVID-19-ës; dhe ndikimin e keqinformimit te zgjedhjet dhe referendumet.

Një grup prej 12 artikujsh të shkruar nga Berisha hedhin dritë mbi këtë fenomen të përhapur gjerësisht në median digjitale, ku mbulohen një sërë temash, duke filluar nga zgjedhjet deri te verifikimi i fakteve dhe financimi i pajustifikuar qeveritar i mediave të caktuara me potencial për të ndikuar politikat e tyre editoriale. Në artikujt e saj, ajo përqendrohet te portalet e lajmeve, që janë anëtarë të Këshillit të Shtypit dhe që kanë publikuar vazhdimisht ngjarje me përmbajtje informacionesh të rreme me potencial për të dëmtuar reputacionin e një individi ose subjekti. Transmetuesi publik, RTK, nuk bënte përjashtim.

“Përmbajtjet e pajisura me tituj interesantë dhe informacione të anshme dhe të paverifikuara janë të shumta dhe prodhohen thjesht për interesa politike nga përfaqësues të medias me lidhje në mbarë spektrin politik në Kosovë”.

Arta Berisha, gazetare investigative

Berisha ishte një ndër 46 gazetarët që kanë publikuar gjetjet e tyre për një sërë temash me interes publik si pjesë e një programi të financuar nga BE-ja për fuqizimin e gazetarisë investigative dhe lirisë së shprehjes në Kosovë. Skema, e zbatuar nëpërmjet programeve dhe granteve, u bëri të mundur gazetarëve të zhvillonin hetime të thelluara gjatë një periudhe prej gjashtë muajsh.

“Dëshironim të ofronim një platformë për gazetarët që nuk janë në gjendje të krijojnë materiale në mënyrë të pavarur; t’u bëjmë të mundur të punojnë pa u ndikuar nga reklamuesit apo presioni i përditshëm i krijimit të përmbajtjeve në redaksitë e tyre”, thotë Albulena Sadiku nga Rrjetit Ballkanik i Raportimit Investigativ – BIRN.

Artikujt investigativë kanë shkaktuar debat publik dhe mediatik, e madje edhe diskutime parlamentare për çështjet me interes të madh publik. Krahas kësaj, gazetarët kanë marrë çmime për punën e tyre, sikurse ishte dhe rasti i një shkrimi për të drejtat e fëmijëve që u vlerësua me çmim nga koalicioni i OJF-ve aktive në këtë fushë. Artikujt e Arta Berishës janë gjithashtu të publikuar gjerësisht nga media vendase dhe më tej. Të gjitha këto kontribuojnë për rritjen e besueshmërisë në gazetari, thotë ajo. “Lajmet e rreme shkaktojnë humbje të besimit te gazetaria”. Berisha shton se kjo cenon aftësinë tonë për të identifikuar burimet e besueshme të informacionit. Ajo organizoi një ekspozitë ku paraqiteshin pjesëza të shtypura nga hulumtimi i saj, me qëllim ndërgjegjësimin e komunitetit mediatik lidhur me këtë çështje. “Asnjë nga përfaqësuesit mediatikë që ishin pjesë e hulumtimit tim nuk u paraqit”.

Rreth programit 

BIRN dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës zbatuan projektin “Kontribut për forcimin e gazetarisë së pavarur hulumtuese dhe të dobishme për publikun, si dhe lirinë e shprehjes në Kosovë”, i financuar nga një grant i BE-së. Një Program ndihmoi me financimin e 20 gazetarëve individualë, ndërsa skema e nëngranteve ofroi mbështetje për 48 përfitues, duke përfshirë 26 gazetarë individualë (12 prej të cilëve gra) dhe 22 organizata mediatike, 16 prej të cilave të vendosura në komunitete jomaxhoritare. Ndërkohë, një program stazhi u ofroi mundësi 57 stazhierëve, 41 prej të cilëve ishin gra. Nëpërmjet këtij projekti u krijuan 440 artikuj gazetarie, shumica e të cilëve u ripublikuan në mediat në mbarë Kosovën dhe në rajon.

 

Photo credits: BIRN, Arta Berisha, Europe House Pristina

 

Please wait while your video is being uploaded...

Don't close this window!

Subscribe to the newsletter

I have read and understood the terms of the privacy statement.