Të rinjtë nga Serbia dhe Kosova pyesin njëri-tjetrin “Si të shoh unë ty?” | WeBalkans | EU Projects in the Western Balkans

Të rinjtë nga Serbia dhe Kosova pyesin njëri-tjetrin “Si të shoh unë ty?”

Një projekt i financuar nga BE-ja ndihmon të rinjtë të shohin përtej paragjykimeve dhe të shprehin përvojën e tyre syhapëse në filma të shkurtër.

SCROLL DOWN

Dy organizata kulturore, Dokufest në Prizren dhe Fond B92 në Beograd, janë bërë bashkë për të mbledhur të rinj nga Kosova dhe Serbia për të parë nëse besimet e tyre kundrejt njëri-tjetrit janë me vend. Deri më tani, rreth 40 të rinj patën mundësi të sfidonin paragjykimet e tyre në projektin “How do I see you?” [Si të shoh unë ty?]

Një 24-vjeçar nga Prizreni, Ismail Myrseli, shpjegon arsyen e pjesëmarrjes së tij në këtë aktivitet: “Doja të dija se për çfarë interesohet një i ri nga Serbia dhe zbulova, si ngjashmëri, ashtu dhe opinione të kundërta për shoqëritë tona”. Gjatë udhëtimit, Myrseli kaloi kohë me persona nga Kruševac në Serbi, një vend që, për habinë e tij, ngjasonte shumë me qytetin e tij. Një pjesë të shkurtër të kohës ai shpjegoi gjërat që bënte në Kosovë. Pjesën tjetër të kohës, foli për çështjet më me rëndësi për të: interesi për filmat, teatrin dhe kulturën. “Unë besoj se, nëse e mbushim hendekun e informacionit me vlera universale, nuk u lëmë hapësirë ndasive”.

“Doja të dija se për çfarë interesohet një i ri nga Serbia dhe zbulova, si ngjashmëri, ashtu dhe opinione të kundërta për shoqëritë tona”.

Ismail Myrseli, Participant from Kosovo

Dhe vërtet, organizatorët siguruan që pjesëmarrësit në projekt të ishin të përqendruar te kultura, si mënyrë për të hulumtuar dhe për të shprehur përvojën e tyre në mënyrë krijuese. U zhvilluan workshop-e, vizita në site kulturore dhe, në fund, u krijuan video që i përgjigjeshin pyetjes së thjeshtë se si takimi ballë për ballë me bashkëmoshatarët ndryshoi mënyrën se si e shohin njëri-tjetrin. Për shkak të kufizimeve nga koronavirusi, grupi i parë i vitit 2020 mundi të zhvillonte vetëm telefonata video përmes internetit, por krijimtaria e tyre në krijimin e filmave spikati te videot e shkurtra që krijuan për njëri-tjetrin.

Menaxherja e projektit “How do I see you?”, Zana Arapi Xheladini, thotë se këto projekte janë pikërisht ato që u nevojiten të rinjve për t’u njohur vërtet me njëri-tjetrin, si në Kosovë, ashtu dhe në Serbi. Mungesa e informacionit ishte shtysa e idesë së projektit, siç shpjegon ajo. Gjithçka nisi kur anëtarët e ekipit të Dokufest-it ndoqën një festival në Serbi dhe të rinjtë atje u habitën nga ato që po ndodhnin në Prizren, që deri më atëherë nuk i kishin ditur. Zana shton se një pjesë e rëndësishme e projektit është monitorimi i mediave për narrativa kontradiktore dhe ndarja e tyre me pjesëmarrësit e projektit për të krahasuar pikëpamjet e ndryshme.

 

“Ne jemi thjesht të rinj, që argëtohemi dhe na pëlqejnë takime dhe filma të tillë”.

Sara Ećimović, pjesëmarrëse nga Serbia

Një pjesëmarrëse nga Serbia shprehet se kjo përvojë ishte një ndër më të mirat e jetës së saj. Sara Ećimović, 23 vjeçe, u lidh menjëherë me një bashkëmoshatar nga Kosova. Përpara se të takoheshin, komunikuan në telefon për ditë me radhë, duke ndarë interesat e përbashkët, si filmat evropianë. “Mësova rreth familjes së tij, muzikës që krijonte dhe planeve të tij për të ardhmen”, thotë Ećimović, e cila ishte pjesë e grupit të parë që mori pjesë në festivalin Dokufest të filmave të shkurtër dhe dokumentarëve në Prizren.  “Më në fund, arrita të vizitoj Prizrenin dhe Kosovën”, shton ajo. Më vonë, në vitin 2021, ajo dhe pjesëmarrësit e tjerë do të shfaqin videot e tyre në festivalin Slobodna Zona në Beograd. Kjo falë të njëjtit program të shkëmbimit kulturor.

Ajo e përmbyll duke thënë se “Ne jemi thjesht të rinj, që argëtohemi dhe na pëlqejnë këto takime dhe filma”.

Rreth projektit

Projekti “How do I see you?” është konceptuar dhe zbatuar nga dy organizata të shoqërisë civile nga Kosova dhe Serbia: Dokufest dhe Fond B92. Organizatat besojnë se pikëpamjet e të rinjve mbizotërohen nga paragjykimi dhe pasojat e konfliktit, të cilat janë pengesa që cenojnë mobilitetin e të gjithë rajonit. Projekti është financuar nga fondet e para-aderimit të Bashkimit Evropian, si pjesë e Programit të Shoqërisë Civile dhe Medias për Kosovën 2018-2019.

Photo credits: Dokufest / Fund B92

Please wait while your video is being uploaded...

Don't close this window!

Subscribe to the newsletter

I have read and understood the terms of the privacy statement.