Të ecësh në hapat e Nënë Terezës | WeBalkans | EU Projects in the Western Balkans

Të ecësh në hapat e Nënë Terezës

Restaurimi i një shtegu malor pelegrinazhi që lidh Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut u jep një shtysë ekonomive vendore dhe trashëgimisë së përbashkët kulturore.

SCROLL DOWN

Letnica është një fshat në juglindje të Kosovës me më pak se 5000 banorë. Megjithatë, për disa javë gjatë stinës së verës, popullsia e fshatit rritet në mbi 30,000. Arsyeja për këtë është pelegrinazhi për statujën e Madonës së Zezë, apo Zojës së Letnicës.

Kjo statujë është më shumë se 300 vjeçare dhe historia e saj e ka zanafillën në Shkup, kryeqyteti i Maqedonisë së Veriut. Pas tërheqjes së ushtrisë austriake nga qyteti në shekullin e gjashtëmbëdhjetë dhe kthimit të Shkupit nën sundimin osman, disa nga katolikët e qytetit u strehuan në Letnicë, duke marrë me vete edhe statujën e Madonës së Zezë. Në shekullin e nëntëmbëdhjetë, Fulgencio Carev, kryepeshkopi i Shkupit, organizoi një pelegrinazh vjetor në Letnicë.

“Me prejardhje nga Prizreni i Kosovës dhe rritur në Shkup, fëmijëria e Nënë Terezës është një shembull i përsosur i trashëgimisë së përbashkët kulturore që duhet t’i bashkojë njerëzit nga të dyja vendet dhe më gjerë.”

Adea Mekuli, Menaxhere Projekti

Në gusht të vitit 1928, një nga pelegrinët ishte e reja Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, e cila e kishte bërë udhëtimin që në moshën shtatë vjeçare. Anjeza lindi dhe jetoi në Shkup, por ishte pikërisht në Letnicë, gjatë Festës së të Ngriturit të Zojës së Bekuar në Qiell, ku dëgjoi thirrjen e Zojës së Letnicës, Zojës së Zezë, dhe mori vendimin për t’u bërë misionare dhe për t’u shërbyer të varfërve të botës. Atë vit ajo u largua nga Shkupi për t’u bashkuar me motrat e Lorettos dhe lundroi drejt Indisë me emrin Motër Maria Teresa.

Shpalosja e potencialit kulturor dhe ekonomik

Shtegu ndërkufitar i pelegrinazhit që përshkoi Nënë Tereza ishte i mbyllur dhe i pashfrytëzuar për dekada të tëra, dhe për shkak të mosmirëmbajtjes, njerëzit filluan të përdornin automjete për të ardhur në Letnicë. Fondacioni i Kosovës për Trashëgimi Kulturore pa Kufij (CHwB) dhe organizata e tyre partnere, Fondacioni për Zhvillimin e Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme në Shkup, evidentuan se restaurimi dhe rihapja e shtegut malor do të ishte një mundësi e mirë për promovimin e trashëgimisë kulturore dhe zhvillimin ekonomik të rajonit, veçanërisht lidhja me jetën e Nënë Terezës.

Adea Mekuli është menaxhere për projektin. “Nënë Tereza është e njohur në mbarë botën, por pakkush e njeh të renë Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, përpara se të bëhej e famshme”, shprehet ajo. “Me prejardhje nga Prizreni i Kosovës dhe rritur në Shkup, fëmijëria e Nënë Terezës është një shembull i përsosur i trashëgimisë së përbashkët kulturore që duhet t’i bashkojë njerëzit nga të dyja vendet dhe më gjerë.”

Mbështetja jetike e BE-së

Ideja u mbështet nga BE-ja dhe kërkimi dhe mbledhja e informacionit mbi jetën e hershme të Nënë Terezës ishte një nga komponentët kryesorë të projektit ‘Gjurmëve të Nënë Terezës’, i cili u financua nëpërmjet programit të BE-së për bashkëpunim ndërkufitar mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

Krahas restaurimit dhe vendosjes së shenjave të rrugës së pelegrinazhit si një shteg ecjeje, dhe mbledhjes dhe publikimit të informacionit mbi jetën e hershme të Nënë Terezës, projekti gjithashtu kontribuoi në restaurimin e vendeve të trashëgimisë kulturore si Muzeu Nënë Tereza në Prizren, vendi i pelegrinazhit në fshatin Letnicë dhe Manastiri i Shën Panteleimonit në Nerezin e Epërm në Shkup.

“Projekti do të ketë ndikim në edukimin e mëtejshëm kulturor të njerëzve që jetojnë në zonën ndërkufitare si dhe në zhvillimin e mëtejshëm ekonomik të rajonit ndërkufitar.”

Adea Mekuli, Menaxhere Projekti (CHwB)

Adea shpjegon se mbështetja e BE-së ishte kyçe për zbatimin e projektit, me ndikime më të gjera që do të jehojnë në mbarë rajonin. “Projekti do të ketë ndikim në edukimin e mëtejshëm kulturor të njerëzve që jetojnë në zonën ndërkufitare si dhe në zhvillimin e mëtejshëm ekonomik të rajonit ndërkufitar,” shprehet ajo.

Shtegu i Nënë Terezës tashmë është i hapur për vizitorët që duan të ecin ose të bashkohen me pelegrinazhin e vjetër, ndërsa gjatë rrugës mund të mësojnë më shumë për një nga figurat më ikonike të shekullit të njëzetë.

Rreth projektit

Objektivi kryesor i projektit të financuar nga BE-ja “Shtegu Kulturor ‘Gjurmëve të Nënë Terezës’” ishte forcimi i bashkëpunimit ndërmjet organizatave të shoqërisë civile dhe të tjerave në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut përmes njohjes së vlerave të përbashkëta dhe rritjes së përbashkët ekonomike.

Photo credits: Kosovo Foundation for Cultural Heritage without Borders (CHwB)

Please wait while your video is being uploaded...

Don't close this window!

Subscribe to the newsletter

I have read and understood the terms of the privacy statement.