Rrugëtimi i një gruaje të fortë rome, e cila mbështet djalin e saj me aftësi të kufizuara | WeBalkans | EU Projects in the Western Balkans

Rrugëtimi i një gruaje të fortë rome, e cila mbështet djalin e saj me aftësi të kufizuara

Një projekt i financuar nga BE-ja mbështet riintegrimin e të kthyerve në Ballkanin Perëndimor.

SCROLL DOWN

Për 25 vjet, Blerta Lushnjari nga Shqipëria ka udhëtuar nëpër vende të ndryshme, me qëllim që të siguronte kujdes të përshtatshëm shëndetësor për djalin e saj. Antonio ka lindur me një aftësi të kufizuar dhe vuan nga një sërë sëmundjesh, dhe vendlindja e Blertës, Elbasani, as nuk ka kapacitet për një diagnostikim të përshtatshëm, dhe as nuk ofron shërbime mjekësore falas për personat me aftësi të kufizuara. Me situatën e saj ekonomike, Blerta e kishte të pamundur të paguante mjekë privatë.

Pa një diagnozë të saktë, çdo gjë ishte e frikshme. Blerta nuk mundej të kujdesej siç duhej për Antonion pa ditur se cilat terapi ose barna mund t’ia lehtësonin dhimbjen. Ajo nuk dinte as se si do të ofronte një jetesë të denjë në të ardhmen. Në kërkim të një vëmendjeje më të mirë mjekësore, ata u larguan jashtë vendit dhe arritën të merrnin një diagnozë të saktë: paraplegji dhe aftësi e kufizuar e lehtë intelektuale, si dhe kujdes të përshtatshëm. Megjithatë, pa lejen e qëndrimit, atyre iu desh të ktheheshin në Shqipëri. “Kur ishim jashtë vendit, mjeku e vizitonte Antonion një herë në javë dhe i bënte fizioterapi. Por kur erdhëm në Shqipëri, nuk kishte asnjë shërbim të tillë. Për këtë arsye, gjendja e tij u përkeqësua.”

“Jeta ishte më e vështirë. Nuk i ushqeja dot fëmijët e mi. Ishim të pastrehë, zhvendoseshim nga një i afërm te tjetri: një javë qëndronim te shtëpia e njërit, një javë tjetër te shtëpia e tjetrit.”

Blerta Lushnjari

Shumë persona nga Ballkani Perëndimor shkojnë jashtë vendit për mundësi pune, por anëtarët e komunitetit rom përballen me sfida të veçanta riintegrimi pasi kthehen. Sfida më e shpeshtë që raportohet nga të kthyerit në rajon, duke përfshirë Shqipërinë, është punësimi, duke vijuar me mungesën e strehimit të përshtatshëm dhe aksesin në arsim. Në Shqipëri, nuk kishte një program mbrojtjeje sociale, që synonte të kthyerit në veçanti. Në Elbasan, Blerta nuk kishte as shtëpi, as një vend pune, por dy fëmijë për të rritur. Mungesa e arsimit formal e vështirësoi gjetjen e një pune fitimprurëse, dhe i solli sfida me dokumentacionin e nevojshëm për një jetë të qëndrueshme. “Jeta ishte më e vështirë. Nuk i ushqeja dot fëmijët e mi. Ishim të pastrehë, zhvendoseshim nga një i afërm te tjetri: një javë qëndronim te shtëpia e njërit, një javë tjetër te shtëpia e tjetrit.” – shprehet Blerta.

Pavarësisht këtyre sfidave, Blerta kishte energji pozitive, që vërehej në ngrohtësinë dhe kujdesin për familjen e saj: qëllimi i saj kryesor ishte plotësimi i nevojave të fëmijëve të saj. Ajo ka marrë pjesë në shumë veprimtari të OJF-ve për gratë dhe integrimin e tyre në Shqipëri, si dhe ka qenë veçanërisht e përfshirë në një program të formimit profesional për gratë e kthyera. Projekti titullohej “Strengthening national and local systems to support the effective socio-economic integration of returnees in the Western Balkans”, financohej nga BE-ja dhe zbatohej nga UNDP-ja. Mirjeta Ramizi nga UNDP Shqipëri shpjegon se Blerta ka qenë pjesë aktive e shumë veprimtarive të projektit. Një nga veprimtaritë ishte ideja e biznesit për prodhimin dhe marketimin e sapunit natyral artizanal. Së bashku me gra të tjera, Blerta u trajnua në këtë zanat dhe përfitoi lëndën e parë dhe ndihmë me marketimin. Kjo veprimtari që ndihmon në krijimin e të ardhurave është në fillesat e saj dhe po ecën mirë, por, sipas Mirjetës, zonjat dhe zonjushat kanë ambicie më të mëdha, dhe shoqëria e tyre e sapothemeluar synon të zgjerohet në treg.

Si një grua ambicioze dhe punëtore, Blerta i është bashkuar një tjetër programi që përqendrohet te zhvillimi i ideve individuale të biznesit. Që prej kthimit të saj në Shqipëri, ajo e ka siguruar jetesën përmes riparimit dhe rishitjes së mallrave të përdorura. Tani, me mbështetjen e projektit, ajo planifikon që të shndërrojë këtë veprimtari me kohë të pjesshme në një biznes plotësisht të zhvilluar. Projekti po e ndihmon që të hartojë një plan biznesi për hapjen e një dyqani fiks ose lëvizës për të shitur mallra të përdorura.

“Nëpërmjet këtij projekti, ne kemi lidhur partneritete të efektshme vendore dhe kombëtare, si dhe kemi tërhequr vëmendjen drejt nevojave dhe sfidave të të kthyerve dhe komuniteteve të cenueshme.”

Mirjeta Ramizi, UNDP Shqipëri

Në Shqipëri, projekti ofron mbështetje në bashkitë e Beratit, Devollit, dhe Fierit, ku numri i të kthyerve është më i lartë sesa në bashkitë e tjera. Krahas ndihmës së drejtpërdrejtë për të kthyerit, që zbatohet në bashkëpunim me OJF-të partnere, projekti gjithashtu ofron mbështetje për qeverinë vendore dhe qendrore të Shqipërisë në hartimin e strategjive dhe planeve të veprimit, që adresojnë nevojat e të kthyerve. Mirjeta nga UNDP-ja shpjegon se kriza ekonomike e shkaktuar nga lufta në Ukrainë dhe pandemia e COVID-19 e ka zhvendosur vëmendjen e qeverisë drejt këtyre problematikave të menjëhershme. “Nëpërmjet këtij projekti, ne kemi lidhur partneritete të efektshme vendore dhe kombëtare, si dhe kemi tërhequr vëmendjen drejt nevojave dhe sfidave të të kthyerve dhe komuniteteve të cenueshme.” – shprehet ajo.

Djali 17-vjeçar i Blertës tani është shumë më mirë. Ai merr shërbime të rregullta fizioterapie në shtëpi dhe në një qendër vendore, me mbështetjen e projektit të UNDP-së dhe financimin e BE-së dhe Fondit të Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm. Ai ka akses në shërbime më të mira mjekësore dhe vazhdon të jetë i rrethuar nga një familje e dashur, që i kushton vëmendje zhvillimit dhe kujdesit ndaj tij. Vajzës 10-vjeçare të Blertës, Lejes, i pëlqejnë gjuhët e huaja dhe ka fituar disa medalje. Ajo gjithashtu e adhuron kohën që kalon me të vëllanë. Familja ende përballet me vështirësinë e strehimit, pasi është në kërkim të një shtëpie me mjediset bazë, të cilën mund ta përballojnë ekonomikisht. Blerta shprehet: “Ëndrra ime më e madhe është të kem një shtëpi për dy fëmijët e mi, në mënyrë që edhe kur mos të jem më, ata të jenë të organizuar dhe të kenë një jetë të denjë.”

Lidhur me projektin

Projekti “Strengthening national and local systems to support the effective socio-economic integration of returnees in the Western Balkans” është pjesë e Programit të Veprimit Shumëkombësh të Instrumentit të Asistencës së Paraanëtarësimit (IPA) II, i zbatuar nga UNDP-ja, Banka Botërore, dhe Këshilli i Evropës, për të mbështetur të drejtat themelore të romëve dhe të kthyerve të tjerë të cenueshëm në Shqipëri, Maqedoni të Veriut, dhe Serbi. Projekti adreson riintegrimin e një numri domethënës të të kthyerve nga BE-ja gjatë viteve të fundit, që kur vendet e Ballkanit Perëndimor u shpallën “vende të sigurta origjine”. Projekti punon ngushtësisht me institucionet vendore, përgjegjëse për ofrimin e shërbimit të riintegrimit të të kthyerve, me fokus pakicat etnike rome dhe egjiptiane, si dhe me aktorë vendorë të shoqërisë civile dhe komunitetin e bizneseve vendore. Komuniteti i të kthyerve konsiderohet edhe përfitues, edhe partner gjatë zbatimit të projektit, me synim krijimin e ndjesisë së përkatësisë mbi veprimtaritë e zhvilluara.

Photo credits: UNDP

Please wait while your video is being uploaded...

Don't close this window!

Subscribe to the newsletter

I have read and understood the terms of the privacy statement.