Biznes i ri gjatë një krize ekonomike | WeBalkans | EU Projects in the Western Balkans

Biznes i ri gjatë një krize ekonomike

Një biznes i ngritur nga një i ri sipërmarrës në Serbi po shënon rritje pavarësisht klimës sfiduese të biznesit.

SCROLL DOWN

Strahinja Tirnanić, 31 vjeç, është një sipërmarrës nga Serbia. Ai e filloi karrierën e tij si administrues uebi në një shoqëri që menaxhon një portal punësimi online, dhe shumë shpejt i ngjiti shkallët e suksesit duke u ngritur në detyrë si Menaxher Marketingu dhe PR dhe Zhvillues Biznesi.

Në këtë çast, ai kuptoi se mund të ngrinte dhe të drejtonte një biznes të tijin. “Idenë e drejtimit të një biznesi e kam pasur prej kohësh. Pas gjashtë vjetësh përvojë në biznes, arsim të vazhduar, dhe një bazë të mirë me kontakte biznesi, vetëbesimi im u rrit. Vendosa se kishte ardhur koha ta hidhja këtë hap në sipërmarrje.” – thotë ai.

Hedhja e këtij hapi

Sipas kërkimeve të tij, tregut i mungonin shërbimet e konsulencës në marketing dhe menaxhim. Ishin pikërisht fushat ku ai kishte më tepër aftësi. Ai zhvilloi një plan biznesi, dha dorëheqjen, dhe regjistroi shoqërinë e tij të konsulencës, me specializim në këto fusha. Megjithatë, si shumë të rinj sipërmarrës në Ballkanin Perëndimor, atij i nevojitej mbështetje, në veçanti për të eksploruar tregjet e reja jashtë Serbisë dhe për të mësuar se si menaxhohen projektet në distancë.

Promovimi në kohën e duhur në median sociale e prezantoi me programin e financuar nga BE-ja, Erasmus për të Rinjtë Sipërmarrës (EYE). “Në Facebook lexova rreth një dite informimi për programin në qytetin tim. Duke qenë se po shkoja në Zvicër për pushime, i kontaktova organizatorët dhe iu kërkova që të caktonim një takim pasi të kthehesha. Ata ranë dakord, dhe ndërkohë që po nisesha për në Gjenevë, ndjeva se po fillonte rrugëtimi im në biznesin ndërkombëtar!”

“Vendosa se kishte ardhur koha ta hidhja këtë hap në sipërmarrje.”

Strahinja Tirnanić, sipërmarrës

Projekti që mbështeti Strahinjan quhej StartUp2. Lehtëson shkëmbimin, të nxënit, dhe rrjetëzimin e sipërmarrësve të rinj. Shkëmbimi realizohet gjatë qëndrimit jashtë vendit me një sipërmarrës me përvojë, që e ndihmon sipërmarrësin e ri të përvetësojë aftësitë e nevojshme për të drejtuar një firmë të vogël.

Kjo ishte pikërisht ajo që kërkonte Strahinja.

Drejt Sllovenisë
Ai zgjodhi të vizitonte Slloveninë për shkëmbimin e tij, dhe përzgjodhi Klubin e Biznesit Luksemburg – Slloveni (LSBC) si organizatën pritëse. Atë e tërhoqi shumëllojshmëria e veprimtarive, mënyrat e reja të punës, si dhe mjedisi krijues dhe ndërkulturor. “Isha i sigurt se do të ishte një sfidë e shkëlqyer për mua, dhe prisja me padurim që të eksploroja Slloveninë dhe mjedisin e biznesit.” Ai qëndroi në Slloveni për tre muaj dhe pati një përvojë, që ai e quan si periudha më e bukur e karrierës dhe jetës së tij. Duke pasur këshilltarë në mbarë botën, LSBC-ja ka përvojë fantastike në veprimtaritë në distancë. Një ndër gjërat më të rëndësishme që Strahinja thotë se ka mësuar gjatë shkëmbimit ishte se si t’i menaxhonte njerëzit në distancë. Gjithashtu, ai i përmirësoi aftësitë e tij digjitale për të rritur produktivitetin dhe efikasitetin. Megjithatë, është rrjeti i njerëzve ai që Strahinja e konsideron si vlerën më të madhe nga shkëmbimi.

Rrjetet krijojnë biznese
Gjatë qëndrimit të tij, Strahinja mori pjesë në shumë aktivitetet biznesi dhe punoi për zgjerimin e rrjetit të tij. Si rrjedhojë, sistemi i tij për Menaxhimin e Marrëdhënieve me Klientët tanimë përfshin emrat e 60 drejtuesve që ka takuar në aktivitete të ndryshme. Një emër që e krenon në veçanti është sipërmarrësi amerikan i mirënjohur në mbarë botën dhe themeluesi i shumë bizneseve, Jeff Hoffman! Strahinja u kthye me pesë klientë dhe partnerë nga Sllovenia me të cilët bashkëpunon ende. Një nga këta partnerë është PGB.global, një biznes i ri për teknologjitë digjitale, i cili sipas tij është klienti më i madh. Që prej asaj kohe, ai ka punësuar dy kolegë të rinj, është zhvendosur në zyra të reja, dhe ka fituar dy klientë të rinj. Pavarësisht pandemisë së shkaktuar nga COVID-19, Strahinja ka parë rritje të konsiderueshme gjatë gjashtë muajve të fundit. Ai i jep merita të veçanta projektit StartUp2 për suksesin e tij. “Unë besoj se suksesi është rezultat i aftësisë sonë për të punuar në distancë dhe fokusit tonë në tregun ndërkombëtar. Këto janë ato që mësova në LSCB në Slloveni.” – thotë ai.

“Unë besoj se suksesi është rezultat i aftësisë sonë për të punuar në distancë dhe fokusit tonë në tregun ndërkombëtar. Këto janë ato që mësova në LSCB në Slloveni.”

Strahinja Tirnanić, sipërmarrës

Strahinja është një nga të rinjtë e shumtë që kanë përfituar nga StartUp2. Deri tani, projekti ka mbështetur 128 sipërmarrës nga vende të ndryshme me trajnime në detyrë, ka lehtësuar dhe ka konsoliduar biznese të reja të suksesshme, si dhe ka ndihmuar firmat e mëdha në hyrjen e tyre në tregje evropiane. Drejtohet nga një konsorcium prej tetë partnerësh nga Finlanda, Franca, Italia, Letonia, Portugalia, Serbia, Spanja, dhe Mbretëria e Bashkuar, si dhe bashkërendohet nga CESIE (Qendra Evropiane e Studimeve dhe Nismave) nga Italia. Qendra për Zhvillimin e Biznesit nga Kragujevac është partneri i projektit në Serbi.

StartUp2 mbështetet nga Erasmus për të Rinjtë Sipërmarrës (EYE), që është një program shkëmbimi ndërkufitar që iu jep sipërmarrësve të rinj apo aspirantë mundësinë të mësojnë nga sipërmarrës me përvojë, që drejtojnë biznese të vogla në vende të tjera pjesëmarrëse. Vendi pritës përfiton nga pikëpamje dhe mundësi të reja për të krijuar lidhje me partnerë të huaj dhe për të mësuar rreth tregjeve të reja. Serbia merr pjesë në program, krahas vendeve të tjera në Ballkanin Perëndimor.

Photo Credits: Strahinja Tirnanić

Please wait while your video is being uploaded...

Don't close this window!

Subscribe to the newsletter

I have read and understood the terms of the privacy statement.