Mbjellja e farave të suksesit | WeBalkans | EU Projects in the Western Balkans

Mbjellja e farave të suksesit

Kthim te rrënjët: një i ri emigrant kthehet në Shqipëri dhe bëhet sipërmarrës i suksesshëm me mbështetjen e BE-së.

SCROLL DOWN

Mikel Hoxha u largua nga Shqipëria për të punuar në ndërtim në Greqi. Ai tregon se iu desh të shkonte në Greqi për shkak të kushteve të vështira ekonomike dhe mungesës së vendeve të punës dhe prospekteve profesionale në atdheun e tij. Ai punoi atje për disa vite në sektorin e ndërtimit, ku puna ishte e vështirë dhe jetesa nuk po bëhej më e lehtë. Për këtë arsye, dhjetë vjet më parë ai vendosi të kthehej te rrënjët e tij në Fier dhe të provonte fatin në vendin e tij. Bashkë me pjesëtarë të tjerë të familjes, ai nisi një biznes të ri, por nuk ia merrte kurrë mendja se do të kishte suksesin aktual.

Menjëherë pas kthimit nga Greqia, ai ndërtoi një serë të vogël. Ideja e tij kishte të bënte me rritjen e perimeve në sasi të vogël, t’ua shpërndante tregjeve pranë dhe të siguronte të ardhura për veten dhe familjen e tij. Në atë periudhë, ai ishte i pari në qarkun e tij për këtë lloj biznesi bujqësor, pasi asnjë nga fshatarët e qytezës së tij dhe zonave përreth nuk kishin sera. Gjithashtu, atij i kujtohet se fillimi ishte tepër i vështirë pasi nuk kishte shumë para për investim dhe nuk pati as mbështetje nga qeveria ose institucione të tjera. Megjithatë, me kalimin e kohës, puna e tij e palodhur dhe qasja novatore qenë të frytshme dhe ai zhvilloi një tjetër lloj biznesi bujqësor që u rrit gradualisht dhe e bëri Mikelin një sipërmarrës të rëndësishëm në zonë.

“I pashë farërat si mundësi e mirë dhe vendosa ta zgjeroj serën për të prodhuar farëra për t’ua shitur fermerëve të tjerë”.

Mikel Hoxha, Fermer

Ç’të mbjellësh, do të korrësh

Një nga parakushtet më të rëndësishëm për bujqësinë është pasja e farërave dhe fidanëve me cilësi të lartë dhe çmime të arsyeshme. Duke qenë se Mikeli nuk kishte para për të importuar farëra, ai filloi t’i kultivonte ato vetë për nevojat e serës së tij të vogël.  Përmes praktikës, ai ia mori dorën dhe fshatarët nga zona përreth, që kishin krijuar serat e tyre, filluan të porosisnin farëra nga ai. “I pashë fidanët si mundësi e mirë dhe vendosa ta zgjeroj serën për të prodhuar farëra për t’ua shitur fermerëve të tjerë”, thotë Mikeli.

Me kalimin e viteve, Mikeli u kthye në një nga sipërmarrësit kryesorë të shitjes së farërave në zonën e tij. Aktualisht, ai prodhon dhe shet mbi 12 milionë fidanë në vit. Krahas kësaj, ai ka eksportuar fidanë shalqiri në Malin e Zi dhe, vitin e kaluar, nisi eksportimin e sasive të vogla të fidanëve drejt Italisë dhe Bullgarisë.

Biznesi ishte në rritje të vazhdueshme, por Mikelit i nevojitej mbështetje për ta zgjeruar më tej. Ai dëgjoi për programin e financuar nga BE-ja Instrumenti i Asistencës së Para-aderimit për Zhvillim Rural (IPARD) dhe, meqenëse përmbushte më së miri kushtet e pranueshmërisë, vendosi të aplikonte.

“Mbështetja nga BE-ja ishte një pikë ku mund të bëja hapin e madh nga të qenët fermer në të qenët një sipërmarrës i vërtetë në biznesin e farërave”.

Mikel Hoxha, Fermer

Kalimi drejt sipërmarrjes

Me mbështetjen e IPARD-it, Mikeli ngriti një tjetër serë moderne prej 4830m2, të pajisur me teknologjinë dhe sistemet e nevojshme që bëjnë të mundur mbjelljen dhe kultivimin vjetor të fidanëve. “Mbështetja nga BE-ja ishte një pikë ku mund të bëja hapin e madh nga të qenët fermer në të qenët një sipërmarrës i vërtetë në biznesin e farërave”, thotë Mikeli.

Mbështetja nga IPARD-i mbuloi 65% të investimit dhe për pjesën e mbetur iu desh të merrte një hua bankare. Mikeli kishte provuar dhe më parë të merrte hua në bankë për zgjerimin e biznesit e tij, por nuk ia kishte dalë. Ai shpjegon se kur iu dha mbështetja nga IPARD-i, bankat ishin të gatshme të mbulonin pjesën e mbetur.

Aktualisht, Mikeli ka 25 të punësuar dhe po planifikon ta zgjerojë fuqinë punëtore në të ardhmen. Gjithashtu, ai bleu dhe tokë të re pasi porositë për fidanë janë në rritje. “Bujqësia është biznes shumë i mirë për sa kohë je i gatshëm të punosh fort dhe të ruash cilësinë e produkteve të tua”, thotë ai.

Rreth programit

Pjesë e Instrumentit të Asistencës së Para-Aderimit (IPA), i projektuar për të mbështetur vendet në proces aderimi në BE, Instrumenti i Asistencës së Para- Aderimit për Zhvillim Rural (IPARD) përqendrohet te zonat rurale dhe sektorët agro-ushqimorë në këto vende. Përmes këtij instrumenti, BE-ja u ofron përfituesve ndihmë financiare dhe teknike për të bërë sektorin e tyre bujqësor dhe zonat rurale më të qëndrueshme dhe për t’i harmonizuar ato me Politikën e përbashkët bujqësore të BE-së.

Photo credits: Mikel Hoxha

Please wait while your video is being uploaded...

Don't close this window!

Subscribe to the newsletter

I have read and understood the terms of the privacy statement.