Prodhimi i ushqimeve të lehta me energji diellore | WeBalkans | EU Projects in the Western Balkans

Prodhimi i ushqimeve të lehta me energji diellore

08 Jul 2022

Kompania Voćar nga Brčko u themelua mbi 30 vjet më parë. Në gjuhën boshnjake, emri i kompanisë do të thotë “kultivues frutash” dhe farat e kompanisë u mbollën nga Avdo Musić-i shumë dekada më parë. Ai ishte një ndër prodhuesit më me famë të kumbullave në rajon dhe shiste kumbulla natyrale dhe të thata në tregjet vendase. Në vitin 1989, kur Jugosllavia socialiste filloi të liberalizohej ekonomikisht dhe qytetarët lejoheshin të hapnin kompani private, djali i tij Meho vendosi ta çonte biznesin një hap më tej duke regjistruar dhe hapur zyrtarisht kompaninë Voćar. Voćar-i tanimë prodhon një gamë të gjerë ushqimesh të lehta, që nga vaferët e kokoshkat e deri tek gjalpi i kikirikut. Slogani i kompanisë është “Për një shije më të mirë jete!”.

Tani, kompania drejtohet nga nipi i Avdos, Esed Musić-i. Esedi shpjegon se rrugëtimi nga rritja e kumbullave deri tek prodhimi i ushqimeve të lehta ishte mjaft i vështirë. Si shumë familje të tjera gjatë luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë, edhe e tyrja humbi thuajse gjithçka dhe, kur mbaroi lufta, iu desh të niste çdo gjë nga fillimi. Pikërisht gjatë kohës që rinisën punën, u erdhi ideja të provonin të zgjeronin gamën e produkteve të tyre. “Në atë kohë nuk kishte thuajse fare prodhim në Bosnjë dhe Hercegovinë: gjithçka vinte nga jashtë shtetit. Papritmas, u krijua një treg i madh, kështu që vendosëm ta shfrytëzonim këtë mundësi dhe të përqendroheshim tek zëvendësimi i produkteve të importuara,” thotë Esedi.

“Po të kishim instaluar vetë një sistem panelesh diellore, do të kishim një barrë shumë të madhe financiare mbi supe. Mbështetja nga Bashkimi Evropian ishte vërtet thelbësore: na dha shtysën që na nevojitej për të vazhduar me planifikimin e punës tonë dhe zhvillimit afatgjatë.”

Esed Musić, Pronar, Voćar

Pas luftës, Voćar-i nisi punën me pesë punonjës, ndërsa tani ka 60 punonjës me orar të plotë dhe shumë bashkëpunëtorë të jashtëm që përfitojnë nga bashkëpunimi me kompaninë. Pas 30 vjetësh, kompania prodhon mbi 100 produkte të ndryshme që u ofrohen klientëve në Bosnjë dhe Hercegovinë, por edhe atyre në Shtetet e Bashkuara, Australi, shtetet e Bashkimit Evropian, etj.

Sidoqoftë, pandemia ndikoi tek operacionet e kompanisë njëlloj si tek ekonomia globale. Esedi thotë se gjatë krizës filluan të mendonin si të shkurtonin shpenzimet që të mund të ruanin qëndrueshmërinë financiare. Shpenzimi i parë që u erdhi ndërmend ishte fatura e energjisë elektrike, por çdo investim kishte kosto dhe nuk dukej shumë praktike tentimi i investimit në një kohë të atillë.

Megjithatë, në vitin 2021, me ndihmën e projektit EU4AGRI, të financuar nga BE-ja, një ëndërr e vjetër e parealizuar e kompanisë Voćar u bë realitet, duke qenë se arritën të investonin për një sistem panelesh diellore që u dha mundësinë të plotësonin rreth 65% të nevojave totale të energjisë elektrike. “Po të kishim instaluar vetë një sistem panelesh diellore, do të kishim një barrë shumë të madhe financiare mbi supe. Mbështetja nga Bashkimi Evropian ishte vërtet thelbësore: na dha shtysën që na nevojitej për të vazhduar me planifikimin e punës tonë dhe zhvillimit afatgjatë,” thotë Esedi.

“Produktet tona prodhohen me ndihmën e energjisë së gjelbër dhe për këtë jemi shumë krenarë.”

Esed Musić, Pronar, Voćar

“U vendosën panele diellore në çatitë e godinave tona të prodhimit dhe magazinave, që ishin ideale për shkak tëvendndodhjes dhe formës së çative,” shpjegon Esedi. “Centrali ynë fotovoltaik zë një hapësirë prej 1000 m2 dhe prodhon 150 KW energji elektrike, gjë që na jep shumë dorë për pavarësinë tonë energjitike. Shpenzimet e ngritjes së centralit fotovoltaik arrinin rreth 83,000 euro, nga të cilat 54,000 euro u mundësuan nga projekti EU4AGRI dhe 29,000 euro nga Voćar-i.

Një vlerë tjetër e këtij projekti ishte reduktimi i emetimit të dioksidit të karbonit (CO2) me rreth 76%, duke ulur kështu edhe ndikimin negativ në mjedis. Siç thotë Esedi, “Produktet tona prodhohen me ndihmën e energjisë së gjelbër dhe për këtë jemi shumë krenarë.”

Rezultatet e deritanishme e kanë nxitur Voćar-in të plotësojë nevojat e energjisë elektrike ekskluzivisht nga burimet e ripërtërishme edhe në të ardhmen. Esedi shpjegon, “Kemi edhe çati të tjera të pashfrytëzura që plotësojnë kriteret për instalimin e një centrali fotovoltaik dhe duam të arrijmë 100%pavarësi energjitike. Në këtë mënyrë, do të mund të kontribuojmë edhe më tepër për mbrojtjen mjedisore”.

Lidhur me projektin

Projekti EU4AGRI është një nismë katër-vjeçare (2020-2024) që synon modernizimin e sektorit agro-ushqimor, hapjen e vendeve të reja të punës bashkë me ruajtjen e vendeve aktuale dhe mbështetjen e rimëkëmbjes nga kriza e COVID-19-ës në Bosnjë dhe Hercegovinë. Vlera totale e projektit të financuar nga BE-ja është mbi 20.25 milion euro dhe është vënë në zbatim me bashkëpunimin dhe bashkë- financimin e Agjencisë Çeke të Zhvillimit dhe Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në BH.

Deri më tani, projekti EU4AGRI ka mbështetur fermerët dhe ndërmarrjet e BH-së me 45 investime me vlerë rreth 5,5 milion euro, mbi 3,2 milion euro prej të cilave u financuan nga Bashkimi Evropian.

Mëso më shumë

Photo credits: EU4 AGRI

Please wait while your video is being uploaded...

Don't close this window!

Subscribe to the newsletter

I have read and understood the terms of the privacy statement.