Po të japim më shumë dashuri, gradualisht do i japim fund urrejtjes | WeBalkans | EU Projects in the Western Balkans

Po të japim më shumë dashuri, gradualisht do i japim fund urrejtjes

Personat e famshëm në Serbi po i bashkohen betejës kundër gjuhës së urrejtjes online, drejtuar LGBTQ-së dhe grupeve të tjera të shënjestruara

SCROLL DOWN

“Bllokoje urrejtjen. Jep dashuri” është slogani i një nisme të re të Bashkimit Evropian/Këshillit të Evropës (CoE), e cila synon të luftojë gjuhën e urrejtjes, duke përfshirë këtu edhe sasinë në rritje të materialeve negative online, veçanërisht në mediat sociale. Duke pranuar që dallimi midis lirisë së shprehjes dhe gjuhës së urrejtjes dhe përcaktimit se çfarë është e përshtatshme dhe ku nevojiten filtrat do të jetë një betejë e vështirë, fushata synon t’u mësojë përdoruesve të mediave sociale t’u kushtojnë vëmendje përmbajtjeve që postojnë në faqet e tyre apo në platformat e tjera publike.

Nisma ka si qëllim të trajtojë forma të ndryshme të gjuhës së urrejtjes që shënjestrojnë komunitete të caktuara dhe grupe sociale vulnerabël. Si kudo në Ballkanin Perëndimor, edhe në Serbi fushata ka përfshirë figura publike që veprojnë dhe flasin në rolin e ambasadorëve të ndryshimit. Njerëzit që janë të famshëm për arritjet e tyre në arte, aktrim, sporte dhe fusha të tjera, po i inkurajojnë audiencat dhe ndjekësit e tyre të diskutojnë dhe të përqafojnë sjelljet pozitive në shoqëri të shumëllojshme, të përpiqen të ndryshojnë stereotipet dhe të promovojnë barazinë. Drejtuesit e fushatës besojnë se kjo mund të sjellë një ndryshim që është nevojitur prej kohësh në opinionin publik dhe të reduktojë gjuhën problematike online.

“U bëjmë thirrje njerëzve të mendohen dy herë para se të postojnë diçka online: kini parasysh se narrativat toksike mund të përhapen shumë shpejt, por pasojat e tyre mund të jenë fatale, sepse mund të nxisin urrejtjen dhe madje të inkurajojnë përdorimin e dhunës ndaj një individi apo një grupi, pavarësisht qëllimit që mund të keni pasur në fillim.”

Ninoslav Mladenović, Këshilli i Evropës

Ninoslav Mladenović-i nga departamenti i KE-së kundër diskriminimit, është një anëtar i ekipit që po punon për projektin “Promovimi i Diversitetit dhe Barazisë në Ballkanin Perëndimor”. Ai shpjegon se, është e rëndësishme që ky mesazh të shpërndahet tek njerëzit, të cilët nuk janë në dijeni të dëmit që po shkaktojnë (mbase të paqëllimshëm) dhe t’u bëjnë të ditur se si pohimet e tyre mund t’i ndikojnë të tjerët. “U bëjmë thirrje njerëzve të mendohen dy herë para se të postojnë diçka online: kini parasysh se narrativat toksike mund të përhapen shumë shpejt, por pasojat e tyre mund të jenë fatale, sepse mund të nxisin urrejtjen dhe madje të inkurajojnë përdorimin e dhunës ndaj një individi apo një grupi, pavarësisht qëllimit që mund të keni pasur në fillim.”

Të mendojmë për gjurmën digjitale

Fushatës rajonale të KE-së iu dha një dimension shtesë në Serbi, ku përdoruesve online të medias iu bë një pyetje-slogan: “Çfarë gjurme digjitale lini?”. Kjo ka bërë që përdoruesit të mendohen para se të publikojnë diçka, duke u rikujtuar se kjo e fundit qëndron aty dhe nuk zhduket menjëherë, pavarësisht nëse inkurajon dhunë apo simpati.

“Është e rëndësishme të kemi fuqinë e nevojshme për t’i përdorur hapësirat tona publike për të promovuar simpatinë, mirëkuptimin dhe respektin reciprok, pasi kjo është padyshim ajo që i mungon shoqërisë sonë. ”

Slaven Došlo, aktor

Slaven Došlo, një nga figurat më të shquara në botën e aktrimit, iu bashkua fushatës kombëtare si ambasador për të shpërndarë mesazhin e gjithëpërfshirjes. “Është e rëndësishme të kemi fuqinë e nevojshme për t’i përdorur hapësirat tona publike për të promovuar simpatinë, mirëkuptimin dhe respektin reciprok, pasi kjo është padyshim ajo që i mungon shoqërisë sonë,” tha Došlo në një intervistë për mediat, si pjesë e fushatës. Aktori i famshëm ka luajtur role që trajtojnë problematika që ai beson se duhen trajtuar, të tilla si abuzimi i të drejtave të njeriut dhe pabarazia. Kur Slaven Došlo luajti rolin e një personazhi nga komuniteti LGBTI, u përball me një valë kritikash e madje me mesazhe urrejtjeje nga përdorues interneti që e barazuan aktorin me personazhin e tij.

Kjo lloj gjuhe urrejtjeje nuk i habit organizatorët e fushatës “Bllokoje urrejtjen. Jep dashuri”. Sipas një studimi të publikuar nga Qendra për Zgjedhje të Lira dhe Demokraci, përfituese e grantit të KE-së këtë vit, më pak se 20% e qytetarëve në Serbi kanë sjellje pozitive ndaj komunitetit LGBTI, dhe 50% e të intervistuarve kanë sjellje negative. Një ndër rekomandimet e studimit është krijimi i një strategjie që përfshin përdoruesit nën moshën 40 vjeç të mediave online dhe rrjeteve sociale, për të influencuar anëtarët e tjerë të shoqërisë.

Ky rekomandim po vihet tashmë në zbatim në fushatë, nëpërmjet pjesëmarrjes së një grupi specifik influencuesish – Ambasadorëve të Rinj Evropianë ‘kundër urrejtjes’ (YEA). Rrjeti i tyre promovon aktivizimin e të rinjve brenda komuniteteve të tyre vendase, si një forcë e jashtëzakonshme e ndryshimit social. YEA-të kanë marrë pjesë në marshimet LGBTI, shfaqje filmash, diskutime rreth marrëdhënieve brenda së njëjtës gjini dhe metodave për të përmirësuar pozitën e anëtarëve të komunitetit LGBTI, që janë ndër grupet më të diskriminuara të shoqërisë. Rreth 25 Ambasadorë të rinj Evropianë, anëtarë të rrjetit, janë trajnuar nga ekipi i Këshillit të Evropës për të rritur ndërgjegjësimin e tyre për gjuhën e urrejtjes dhe për të përforcuar aftësitë e zhvillimit të narrativave të së drejtave të njeriut gjatë fjalimeve publike dhe bashkëveprimit në mediat sociale.

Për të ndryshuar perceptimet dhe sjelljet ndaj komunitetit LGBTI, nevojitet një nismë shumëdimensionale. Mladenović-i shpjegon se e nisën veprimtarinë në maj, para Ditës së Evropës, dhe vazhduan me vizitat shkollore për të rritur ndërgjegjësimin për dëmet që mund t’i shkaktojë shoqërisë gjuha e urrejtjes.

Krahas aktiviteteve për rritjen e ndërgjegjësimit, KE-ja punon me partnerë për të sjellë ndryshime strukturore dhe të rregullta në sistem. Një shembull është edhe bashkëpunimi me institucionet vendore, me qëllimin e rritjes së kapacitetit të tyre për të normalizuar të drejtat e LGBTI-së në dokumentet e politikave vendore dhe aktet nënligjore.

Jo të gjithë ne mund të bëjmë ndryshime të tilla në nivel politikash, por fushata na rikujton se mund ta bllokojmë urrejtjen dhe të japim dashuri. 

Lidhur me programin

Ky program mbështet pjesëmarrësit më të rëndësishëm vendorë dhe institucionet përfituese në Serbi apo kudo tjetër në Ballkanin Perëndimor, në luftën kundër diskriminimit, gjuhës së urrejtjes dhe krimeve të urrejtjes ndaj minoriteteve, njerëzve të komunitetit LGBTI dhe grupeve të tjera vulnerabël të shoqërisë. Gjithashtu, mbështet edhe përpjekjet e përfituesve nga Serbia dhe Ballkani Perëndimor në kontekstin e hapjes së negociatave me Bashkimin Evropian, në fushën e të drejtave themelore. Programi financohet nga Bashkimi Evropian/ Instrumenti Horizontal i Këshillit të Evropës për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë 2019-2022.

Photo credits: Horizontal Facility for the Western Balkans and Turkey II

Please wait while your video is being uploaded...

Don't close this window!

Subscribe to the newsletter

I have read and understood the terms of the privacy statement.