Mbrojtja e të drejtave të njerëzve në lëvizje | WeBalkans | EU Projects in the Western Balkans

Mbrojtja e të drejtave të njerëzve në lëvizje

Me mbështetjen e Bashkimit Evropian, një OJQ malazeze ka përkrahur emigrantët me shërbime ligjore falas.

SCROLL DOWN

Irfani* është një 30 vjeçar me origjinë nga Maroku, por  ai thotë për vendlindjen e tij se “Të drejtat e njeriut nuk respektoheshin, nuk kishte vende pune: ekonomia ishte e dobët. Gjithçka ishte si mos më keq!”. Ai u arratis nga Maroku në vitin 2011 dhe u drejtua fillimisht për në Turqi, duke përdorur një fluturim të zakonshëm. Së shpejti, iu desh ta linte atë shtet dhe më pas, pati kontaktin e parë me kontrabandistët. Ata e transferuan për në Greqi e më pas në Shqipëri, derisa më në fund mbërriti në Malin e Zi. “Jeta ime ishte në duart e kontrabandistëve. Ata mund të kishin bërë ç’të donin me mua; nuk mund të bëja asgjë. I lodhur nga arratisja, mbërrita në Malin e Zi dhe nuk kisha fuqi të vazhdoja më tutje,” shton Irfani.

Irfani tanimë jeton në Malin e Zi prej më shumë se 10 vitesh. Shumë shpejt pas mbërritjes, ai gjeti një punë në një hotel, ku ra në dashuri me një malazeze me emrin Jovana*. Tani janë të martuar dhe kanë dy fëmijë të mrekullueshëm. Ndërkohë, Irfani mësoi edhe gjuhën malazeze dhe, në shumë aspekte, u ndje vërtet pjesë e shoqërisë në shtëpinë e tij të re. Sidoqoftë, kjo nuk vlente për aspektin ligjor. Ai kishte të drejtë të aplikonte për shtetësi malazeze, por për shkak të ndërlikimeve ligjore dhe faktit që ligje të caktuara janë në konflikt me njëri-tjetrin, ai akoma nuk është në gjendje ta ushtrojë këtë të drejtë. Për ta zgjidhur këtë problem, ai trokiti në derën e Qendrës Ligjore të OJQ-së malazeze, që ofron ndihmë ligjore për të huajt që kërkojnë azil në Malin e Zi, nëpërmjet një projekti të financuar nga BE-ja, të titulluar “Avokati Im – Ndihmë Ligjore Profesionale Falas për Migrantët”, në bashkëpunim me Caritas-in. Tani ai po merr ndihmë ligjore nga ata në lidhje me këtë çështje.

“Ngaqë numri i migrantëve që duan të qëndrojnë në Malin e Zi është i vogël, qeveria akoma nuk ka një politikë për integrimin e tyre në aspektin edukativ dhe të punësimit.”

Luka Kovačević, Drejtor i Qendrës Ligjore të OJQ-së

Shërbime ligjore falas për ata në nevojë

Luka Kovačević-i është drejtori i Qendrës Ligjore të OJQ-së, e cila u themelua në vitin 2007, me synimin për të mbështetur të shpërngulurit dhe refugjatët e luftërave në ish-Jugosllavi. Në atë kohë, Mali i Zi nuk kishte as infrastrukturën ligjore më bazike për azilkërkuesit dhe as një plan qeveritar për t’u ofruar përkrahje azilkërkuesve apo refugjatëve. Fillimisht, Luka dhe ekipi i tij e mbështetën qeverinë për t’i kapërcyer këto pengesa dhe, më pas, qeveria prezantoi infrastrukturën ligjore që është në fuqi deri më sot.

Por, ndërkohë, filluan të vinin në Malin e Zi migrantë nga pjesë të tjera të botës që kishin nevojë për përkrahje. Sipas statistikave të Qendrës Ligjore të OJQ-së, mbi 95% e refugjatëve në vend po e përdorin Malin e Zi si rrugë tranziti dhe vetëm një numër i vogël i tyre vendosin të qëndrojnë, duke qenë se shumica synojnë shtete me mundësi më të mira ekonomike. Por ata që qëndrojnë, kanë nevojë për përkrahje. Luka shpjegon se qeveria nuk mund të bëjë shumë për t’i ndihmuar. “Ngaqë numri i migrantëve që duan të qëndrojnë në Malin e Zi është i vogël, qeveria akoma nuk ka një politikë për integrimin e tyre në aspektin edukativ dhe të punësimit.”

Mbështetja e ofruar për këta migrantë dhe të tjerë që e shohin Malin e Zi vetëm si një rrugë tranziti, është arsyeja pse OJQ-ja e Lukës nisi projektin e financuar nga BE-ja, “Avokati Im – Ndihmë Ligjore Profesionale Falas për Migrantët”, në bashkëpunim me Caritas-in.

“Kemi bërë mbi 146 vizita në terren: kemi qenë në të gjitha bashkitë malazeze, duke vizituar dhe ndihmuar migrantët në vendet zyrtare dhe jozyrtare të grumbullimit. Migrantët që ndihmuam vitin e shkuar, vinin nga Afganistani, Algjeria, Irani, Maroku e vende të tjera.”

Luka Kovačević, Drejtor i Qendrës Ligjore të OJQ-së

Nëpërmjet këtij projekti, u mbështetën 677 përfitues, që nga migrantët e parregullt dhe njerëzit që kërkonin mbrojtje ndërkombëtare në Mal të Zi, e deri tek të kthyerit që ktheheshin në bazë të marrëveshjeve të ri-pranimit. Krahas ndihmës ligjore falas, migrantëve iu shpërndanë 350 pako ndihmash humanitare. “Kemi bërë mbi 146 vizita në terren: kemi qenë në të gjitha bashkitë malazeze, duke vizituar dhe ndihmuar migrantët në vendet zyrtare dhe jozyrtare të grumbullimit. Migrantët që ndihmuam vitin e shkuar, vinin nga Afganistani, Algjeria, Irani, Maroku e vende të tjera,” thotë Luka.

Lidhur me projektin

Projekti i financuar nga BE-ja, “Avokati Im – Ndihmë Ligjore Profesionale Falas për Migrantët”, nisi në fillim të vitit 2020 dhe përfundoi më korrik 2021. Vlera financiare e projektit arriti mbi 130,000 euro. Projekti synon të mbrojë të drejtat e kategorive të ndryshme të migrantëve, nëpërmjet ofrimit të ndihmës ligjore, informacionit, konsultimit, ndihmave humanitare, mbështetjes psiko-sociale si dhe përpjekjeve për të rritur kapacitetin e organizatave të shoqërisë civile vendase dhe institucioneve përkatëse për të ndjekur politikat për menaxhimin e migrimit, integrimin e të huajve të cilëve u është siguruar mbrojtje ndërkombëtare dhe ri-integrimin e të kthyerve pas ripranimit.

*Emri është ndryshuar për të ruajtur privatësinë

Photo credits: NGO Legal Centre

Please wait while your video is being uploaded...

Don't close this window!

Subscribe to the newsletter

I have read and understood the terms of the privacy statement.