Të ndryshojmë mënyrën e të bërit të gjërave | WeBalkans | EU Projects in the Western Balkans

Të ndryshojmë mënyrën e të bërit të gjërave

25 Feb 2022

Vendosja e unazave dhe shiritave te shpendët është një mënyrë e rëndësishme për të grumbulluar informacion për itineraret e migrimit të specieve të shpendëve, vendet e tyre të ndalimit, zonat e dimërimit dhe shpejtësitë e migrimit. Kjo ndihmon për gjurmimin e lëvizjeve të shpendëve dhe historikun e jetesës së tyre, që nga jetëgjatësia, shkaqet e vdekjes dhe besnikëria ndaj vendlindjes, e deri tek vendet ku ndërtojnë foletë dhe gjetja e partnerëve. Shumëllojshmëria e të dhënave të grumbulluara na ndihmon të kemi një ide më të qartë për secilën popullatë dhe nëse këto janë në vështirësi apo në lulëzim e sipër – informacion shumë i nevojshëm për mbrojtjen e popullatave të shpendëve dhe biodiversitetit.

 

Qendra për Mbrojtjen dhe Studimin e Shpendëve (CZIP), një OJQ malazeze, beson se ky aktivitet shkencor mund të jetë edhe shumë argëtues dhe për këtë arsye, vendosi të përfshijë publikun e gjerë, bashkë me fëmijët. “Kuptuam se shumë qytetarë të Malit të Zi e perceptojnë shkencën si diçka shumë të ndërlikuar, për të cilën nuk mund të gjejnë asnjë lloj informacioni… Kështu që vendosëm t’i përfshijmë dhe t’u vërtetojmë të kundërtën!”- thotë Nevena Petković nga CZIP-ja.

Vendosja e unazave të shpendët na ndihmon të kuptojmë më mirë speciet migruese

Vendosja e unazave te shpendët përfshin kapjen e shpendëve me ndihmën e një rrjete speciale dhe ngjitjen e një unaze të vogël metalike në njërën prej këmbëve të tyre, duke regjistruar kështu llojin e shpendit, moshën, seksin, gjatësinë e krahëve, peshën dhe së fundmi, gjendjen e tij. Të gjitha këto janë shumë të rëndësishme për klasifikimin e specieve dhe për të kuptuar më mirë gatishmërinë e tyre për të vazhduar migrimin. Unazat kanë të gdhendur një kod referimi që lejon që shpendët të identifikohen individualisht në rast se kapen sërish.

“Shpesh themi se stacionet tona për vendosjen e unazave janë vendet ku shpendët mund të pajisen me pasaporta malazeze pa asnjë shpenzim, stres apo nevojë për vizë. Ne duam që shpendët të ndihen të sigurt dhe t’u ofrojmë mbrojtjen e duhur,”- buzëqesh Nevena. Ajo shpjegon se qëllimi më i rëndësishëm pas vendosjes së unazave te shpendët është mbrojtja e habitateve të tyre. Në rastet kur CZIP-ja grumbullon informacion për migrimin, shkencëtarët e saj mund të identifikojnë edhe vendet ku shpendët ushqehen, pushojnë apo ngrenë foletë dhe mund të ndërmarrin veprimet e nevojshme për lobimin dhe advokimin për mbrojtjen e këtyre habitateve.

“Donim ta bënim shkencën të afërt për qytetarët në mënyrë që të gjithë të mund të marrin pjesë, të kontribuojnë dhe të mësojnë diçka të re në të njëjtën kohë.” 

Nevena Petković, Inspektore Arsimi, Qendra për Mbrojtjen dhe Studimin e Shpendëve

Afrimi i fëmijëve me shkencën

Deri më tani, projekti ka përfshirë qindra nxënës dhe të rritur nga i gjithë Mali i Zi në aktivitetet e vendosjes së unazave te shpendët. “Me anë të këtij projekti, po mundohemi të përqendrohemi kryesisht tek të rinjtë dhe po punojmë shumë me nxënësit e vegjël, sepse shkollat në Malin e Zi nuk bëjnë prezantime mjedisore dhe fëmijët nuk edukohen sa duhet mbi këto tema, kështu që po mundohemi të bëjmë sa më shumë seminare të jetë e mundur,”- thotë Nevena. “Donim ta bënim shkencën të afërt për qytetarët në mënyrë që të gjithë të mund të marrin pjesë, të kontribuojnë dhe të mësojnë diçka të re në të njëjtën kohë.”

“Mbështetja e BE-së është thelbësore për këtë projekt, duke qenë se  pa ato fonde nuk mund të merrnim pajisjet e nevojshme, të punësonim persona të certifikuar për vendosjen e unazave te shpendët, apo të siguronim transportin dhe akomodimin e qindra fëmijëve dhe qytetarëve që kanë marrë pjesë në aktivitetin e vendosjes së unazave te shpendët.”

Nevena Petković, Inspektore Arsimi, Qendra për Mbrojtjen dhe Studimin e Shpendëve

Aktivitetet e CZIP-së për vendosjen e unazave te shpendët, që përfshijnë pjesëmarrjen e publikut, po vihen në zbatim si pjesë e projektit BIOVAL të financuar nga BE-ja (BIOdiversity VALues – vlerat e biodiversitetit). Përfshirja e qytetarëve në vendosjen e unazave te shpendët ka shpenzime shtesë, të tilla si transporti. Nevena shpjegon: “Mbështetja e BE-së është thelbësore për këtë projekt, duke qenë se  nuk mund të merrnim pajisjet e nevojshme, të punësonim persona të certifikuar për vendosjen e unazave te shpendët, apo të siguronim transportin dhe akomodimin e qindra fëmijëve dhe qytetarëve që kanë marrë pjesë në aktivitetin e vendosjes së unazave te shpendët.”

Një tjetër aktivitet për projektin BIOVAL është edhe Nata Bubo, kur grumbullohen të dhëna mbi bufin-shqiponjë Euro-Aziatik (Bubo bubo), duke përdorur një metodologji që përfshin vizitimin gjatë natës të vendbanimeve të kafshëve të egra, të përzgjedhura paraprakisht, dëgjimin e tingujve të bufëve dhe regjistrimin e të dhënave thelbësore në një format specifik. Nevena thotë: “Shpresojmë të vazhdojmë me projekte e aktivitete të ngjashme. Ky projekt ka pasur dhe vazhdon të ketë një ndikim pozitiv për rritjen e ndërgjegjësimit të qytetarëve e në veçanti, fëmijëve, për mbrojtjen e habitateve të kafshëve të egra dhe shpendëve“

Lidhur me projektin

Objektivat e projektit BIOVAL (BIOdiversity VALues – vlerat e biodiversitetit) kanë për qëllim të rrisin ndërgjegjësimin për mbrojtjen e natyrës tek qytetarët, të mbështesin monitorimin e biodiversitetit dhe të ndryshojnë sjelljen e qytetarëve, duke përfshirë të rinjtë dhe mësuesit e tyre.

Aktivitet kryesore përfshijnë hartimin dhe shpërndarjen e materialeve edukuese dhe promocionale; evente të tilla si: ekspozitat, ekskursionet, pastrimet, mbjelljet, etj.; dhe organizimin e punishteve në shkollë, shkollave në natyrë, kampeve të reja të studimit, konkurseve dhe kuizeve për biodiversitetin. BE-ja ka ofruar mbi 80,000 € për të mbështetur këtë projekt. Kohëzgjatja totale e projektit është18 muaj.

Mëso më shumë

Photo credits: CZIP,Otto Szekeres, EU info centre Montenegro

Please wait while your video is being uploaded...

Don't close this window!

Subscribe to the newsletter

I have read and understood the terms of the privacy statement.