Promovimi i një jetese më të gjelbër në Kosovë | WeBalkans | EU Projects in the Western Balkans

Promovimi i një jetese më të gjelbër në Kosovë

Organizata “Keep it Green” dhe rrjeti i saj i vullnetarëve po rrisin ndërgjegjësimin rreth ndotjes industriale dhe çështjeve të tjera mjedisore në qytetin industrial të Obiliqit.

SCROLL DOWN

Vetëm 10 minuta larg me makinë nga kryeqyteti, Prishtinë, qyteti i vogël i Obiliqit është qendra e industrisë së minierave në Kosovë. Me vetëm 6,800 banorë, Obiliqi është shtëpia e tre minierave të qymyrgurit dhe 2 stacioneve të energjisë që prodhojnë pjesën më të madhe të elektricitetit në Kosovë.

Ky është një rajon që mbështetet ndjeshëm në punësimin nga impiantet energjetike, pasi 5,000 njerëz nga Obiliqi dhe fshatrat përreth punojnë në këtë industri. Pa dyshim, këto veprimtari të minierave dhe industriale kanë shkaktuar dëme të thella mjedisore.

“Teksa po pinim kafen, filluam të bisedonim rreth të gjitha problemeve [mjedisore] me të cilat po përballet komuniteti ynë. E kuptuam që duhej të bënim diçka”.

Guxim Klinaku, Drejtor, Keep It Green

“Keep It Green” është një organizatë rinore me bazë komunitare që punon për të ndërgjegjësuar rreth çështjeve mjedisore në Obiliq dhe efektet që ato kanë në popullatë.

“Rreth 30 për qind e njerëzve në Obiliq vuajnë nga sëmundje respiratore”, shprehet Guxim Klinaku, Drejtor i Keep It Green për EED-në.

Ai shpjegon se si frymëzimi për “Keep It Green” erdhi gjatë një bisede në një kafene në vitin 2015. Klinaku rrëfen: “Teksa po pinim kafen, filluam të bisedonim rreth të gjitha problemeve me të cilat po përballet komuniteti ynë. E kuptuam që duhej të bënim diçka”.

Të nxitësh qytetarët për të mbrojtur mjedisin e tyre

Pas gjashtë vitesh, “Keep It Green” është tashmë një rrjet prej 60 anëtarësh të fokusuar në projekte me bazë komunitetin që nxisin vendasit të interesohen më shumë në mbrojtjen e mjedisit të tyre. Vitet e fundit janë karakterizuar nga disa sfida si pasojë e vështirësive ekonomike me të cilat përballen shumë banorë në këtë rajon industrial. “Është e vështirë t’i bindësh njerëzit që të kujdesen për mjedisin kur ata e sigurojnë jetesën me shumë mund,” pranon Klinaku.

“Keep It Green” është i ndërgjegjshëm për këto realitete, teksa vijon të advokojë për energji më të gjelbër në Obiliq. Përpara periudhës së Covid-19, ata zhvillonin protesta javore përpara impiantit energjetik duke kërkuar zbatimin e legjislacionit mjedisor për Obiliqin. Ata gjithashtu kanë organizuar aksione të shumta komunitare për të përmirësuar qytetin.

Së fundmi, vullnetarët pastruan një park dhe e zbukuruan me punime të artit të rrugës për të krijuar një hapësirë më të këndshme për banorët. Ata drejtuan Festivalin vjetor të Artit të Gjelbër, një festival mbarëqytetas për rritjen e ndërgjegjësimit ndaj çështjeve mjedisore. Gjithashtu, që prej vitit 2016, organizata ka punuar me shkollat vendore duke zhvilluar workshop-e “Redukto, ripërdor, riciklo”, duke u mësuar nxënësve se si të reduktojnë mbetjet.

“Keep It Green” është aktive edhe me organizimin e kampeve verore për të rinjtë duke u përqendruar në temat mjedisore. Objektivi kryesor i këtyre kampeve është të rrisë një brez të ri të liderëve të rinj për aktivizmin mjedisor në Kosovë.

Përballimi i Covid-19

Ashtu si organizata të tjera të ngjashme, “Keep It Green” duhej të gjente mënyra krijuese për t’u përshtatur me pandeminë Covid-19. Ndërkohë që workshop-et “Redukto, Ripërdor, Riciklo” kanë qenë të suksesshme edhe përmes webinareve, organizata duhej të anulonte edicionin e Green Art Fest për vitin 2020. Këtë verë ata po planifikojnë të drejtojnë një nga kampet e tyre të aktivistëve mjedisorë, duke përfshirë 20 pjesëmarrës në një trajnim tre-ditor mbi ndërgjegjësimin për problemet mjedisore.

 “Ky financim vjen në një kohë tepër të rëndësishme për ne. Mjedisi tashmë është një temë shumë popullore…dhe shpresoj se së shpejti vala e gjelbër do të mbërrijë edhe këtu”.

Guxim Klinaku, Drejtor, Keep It Green

Mbështetja nga Fondi Evropian për Demokraci (EED) i mundëson organizatës “Keep it Green” të kalojë nga një operacion me bazë vullnetare, që mbijeton falë entuziazmit, në një organizatë më të qëndrueshme dhe me staf të rregullt. Gjithashtu siguron që aktivitetet e organizatës, si kampi i ndërgjegjësimit për mjedisin, mund të kthehen në aktivitete të përhershme, duke mundësuar më shumë planifikim dhe zhvillim strategjik.

“Ky financim vjen në një kohë tepër të rëndësishme për ne. Mjedisi tashmë është një temë shumë popullore në mbarë botën, me të cilën po përfshihen shumë njerëz të interesuar. Ndërsa momentalisht, gjërat janë më pak të zhvilluara në Kosovë, shpresoj se së shpejti vala e gjelbër do të mbërrijë edhe këtu”, shprehet Klinaku.

Dy fjalë për European Endowment for Democracy

Fondi Evropian për Demokraci (EED) është një organizatë e pavarur grantdhënëse, e ngritur në vitin 2013 nga Bashkimi Evropian (BE) dhe shtetet anëtare të BE-së për të nxitur demokracinë në Fqinjësinë Evropiane, Ballkanin Perëndimor, Turqi dhe më tej. EED mbështet organizatat e shoqërisë civile, lëvizjet pro demokracisë, aktivistët civilë dhe politikë, platformat e pavarura mediatike dhe gazetarët që punojnë për një sistem politik pluralist dhe demokratik.

Ky është një version i shkurtuar i një artikulli të publikuar nga Fondi Evropian për Demokraci. Këtu mund të lexoni artikullin original

Photo credits: Keep it green, European Endowment for Democracy

Please wait while your video is being uploaded...

Don't close this window!

Subscribe to the newsletter

I have read and understood the terms of the privacy statement.