Furnizim me ujë të sigurt për vite me radhë | WeBalkans | EU Projects in the Western Balkans

Furnizim me ujë të sigurt për vite me radhë

Nga i pamjaftueshëm në të qëndrueshëm: si një projekt i mbështetur nga BE-ja e shpëtoi kryeqytetin e Kosovës nga mungesa e ujit.

SCROLL DOWN

Prej më se tri dekadash, Musa Hasani ka punuar si një operator telefonik në një shoqëri rajonale e ujësjellësit në Prishtinë. Puna e tij duket e thjeshtë: ai u përgjigjet telefonatave të klientëve dhe i përcjell ankesat në seksionet përkatëse të ujësjellësit. Por, rreth vitit 2000, kjo punë e thjeshtë u bë e tensionuar dhe stresuese.  Musai kujton se merrte mbi 200 telefonata në ditë, shumica e të cilave ishin ankesat e pareshtura të klientëve lidhur me mungesën e ujit.

Pas luftës në vitin 1999, kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, u përball me një migrim të madh të njerëzve të ardhur nga vende të tjera të Kosovës. Një infrastrukturë e shërbimeve publike që ishte projektuar për rreth 150,000 banorë, tashmë duhej të përballej me një popullsi prej mbi 300,000 banorësh. Gjatë dekadës në vijim, ndërprerjet e ujit mund të zgjasnin për më shumë se dhjetë orë në ditë në çdo lagje të Prishtinës. “Njerëzit ishin të zemëruar, pasi kjo kishte një ndikim të konsiderueshëm në cilësinë e jetës së tyre. Ata na e përcillnin këtë zemërim përmes telefonit”, kujton Musai.

“Në muajin mars 2014, liqeni i Badovcit kishte ujë të mjaftueshëm që mund të zgjaste për një muaj ndërsa Batllava për dy. Nëse nuk do të kishim një periudhë me reshje të dendura shiu gjatë muajit prill, Prishtina dhe komunat përreth do të kishin mbetur pa ujë të pijshëm”.

Sokol Xhafa, Drejtor, Kompania Rajonale e Ujësjellësit, Prishtinë

Një përrallë e dy liqeneve

Sokol Xhafa është Drejtor i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit të Prishtinës. Ai kujton se në vitin 2010 kompania ndërmori disa ndërhyrje që deri diku e përmirësuan situatën. Por nevojitej një zgjidhje afatgjatë. Në atë kohë, burimet e vetme të shpërndarjes së ujit ishin dy rezervuarë artificialë afër Prishtinës: Liqenet e Batllavës dhe Badovcit. Sasia e ujit në këto liqene varet nga reshjet e shiut. Dhe meqenëse ndryshimet klimatike kanë ndikuar në nivelet e ujit të liqeneve, furnizimi mund të luhatet ndjeshëm nga akumulimi i tepërt i ujit në nivelet e thatësirës.

Në vitin 2014, kosovarët përjetuan mungesën më të rëndë të ujit në tri dekada. “Në muajin mars 2014, liqeni i Badovcit kishte ujë të mjaftueshëm që mund të zgjaste për një muaj ndërsa Batllava për dy. Nëse nuk do të kishim një periudhë me reshje të dendura shiu gjatë muajit prill, Prishtina dhe komunat përreth do të kishin mbetur pa ujë të pijshëm”, shprehet Xhafa.

Por, situata ndryshoi për mirë me mbështetjen e projektit të Ujësjellësit Rajonal të Prishtinës prej 35 milionë euro si dhe një grant prej 5 milionë eurosh nga BE-ja. Falë këtij investimi dhe financimi, të kanalizuar përmes Kuadrit të Investimeve të Ballkanit Perëndimor, projekti e shpëtoi Prishtinën nga problemet e mungesës së ujit për vite me radhë dhe siguroi një furnizim të qëndrueshëm me ujë për rajonin përreth. Projekti përfshinte zhvillimin e një burimi të ri uji nga Liqeni i Ujmanit.Infrastruktura mundëson që uji të kanalizohet nga Kanali i Ibrës drejt impiantit të sapondërtuar të trajtimit të ujit në Shkabaj. Impianti i ri përfshin një laborator, një dhomë operacioni dhe zyra, seminare dhe hapësira sociale.

 “Nëse nuk do të kishim impiantin e ri, do të duhej të kishim shpallur gjendjen e emergjencës, dhe si rrjedhojë, Prishtina dhe komunat përreth do të përballeshin çdo ditë me ndërprerje të rregullta të ujit deri në 12 orë përgjatë dy viteve të fundit.”

Sokol Xhafa, Drejtor, Kompania Rajonale e Ujësjellësit, Prishtinë

“Vitet 2019 dhe 2020 ishin vitet me sezonin më të gjatë të thatësirës prej kohësh. “Nëse nuk do të kishim impiantin e ri, do të duhej të kishim shpallur gjendjen e emergjencës, dhe si rrjedhojë, Prishtina dhe komunat përreth do të përballeshin çdo ditë me ndërprerje të rregullta të ujit deri në 12 orë përgjatë dy viteve të fundit”, shprehet Sokol Xhafa.

Furnizimi me kosto efikase dhe i qëndrueshëm

Uji nxirret nga burimi natyror dhe kanalizohet përmes një tubacioni ku uji qarkullon lirshëm drejt një stacioni ku pompohet në impiantin e ujit për t’u trajtuar, përpunuar dhe filtruar. Ujësjellësi në Shkabaj ka një kapacitet prej 700 l/s: mjaftueshëm për të siguruar furnizim me ujë me kosto efikase dhe të qëndrueshëm për komunat e Prishtinës, Obiliqit, Fushë Kosovës, Graçanicës dhe Podujevës.

Musa Hasani pa dyshim e ka vënë re ndryshimin e bërë nga ky projekt, me më shumë kënaqshmëri të konsumatorëve dhe cilësi më të madhe të jetesës për banorët e Prishtinës dhe rajonit të saj, si dhe më pak telefonata zemërimi për të menaxhuar. Infrastruktura e re ka sjellë gjithashtu përparime teknologjike, të cilat u mundësojnë autoriteteve të monitorojnë nivelet e ujit të Liqeneve të Badovcit dhe Batllavës, duke siguruar kështu qëndrueshmërinë e burimeve ujore të rajonit.

Rreth projektit

Projekti i Ujësjellësit Rajonal të Prishtinës ka përfituar nga një investim i kombinuar i granteve dhe kredive të kanalizuara përmes Kuadrit të Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF). Investimi përfshinte 5 milion euro mbështetje granti nga Bashkimi Evropian, një hua prej 20 milion euro nga Banka për Zhvillim KfW në emër të Ministrisë Gjermane për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik dhe një kontribut prej 10 milion euro nga Kompania Rajonale e Ujit.

 Rreth WBIF

Kuadri i Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF) është një platformë koordinimi i donatorëve që mbledh fonde nga burime të ndryshme, duke përfshirë Komisionin Evropian. WBIF ofron financim dhe asistencë teknike për investimet strategjike në sektorët e energjisëmjedisitsocialtransportit, dhe infrastrukturës digjitale. Ai gjithashtu mbështet nismat për zhvillimin e sektorit privat.  WBIF është një nismë e përbashkët e BE-së, institucioneve financiare, donatorëve dypalësh dhe qeverive të Ballkanit Perëndimor.

Photo credits: WBIF, Regional Water Company Pristina, Arbër Gjoni

 

Please wait while your video is being uploaded...

Don't close this window!

Subscribe to the newsletter

I have read and understood the terms of the privacy statement.