HAPUR DHE ONLINE | WeBalkans | EU Projects in the Western Balkans

HAPUR DHE ONLINE

Me mbështetjen e BE-së, një organizatë pioniere LGBTI marshon në mbrojtje të komunitetit në Kosovë.

SCROLL DOWN

Si do t’i karakterizonit anëtarët e komunitetit LGBTI (lesbike, homoseksualë, biseksualë, transgjinorë dhe interseks)? Përgjigja e kosovarit të zakonshëm për këtë pyetje përfshin ekstravagancën, flamurin e ylberit dhe Paradën e Krenarisë. Këta stereotipa janë kryesisht rezultat i informacionit të kufizuar të ofruar nga media masive, kombinuar me kufizimet tradicionale që ngadalësojnë procesin e hapjes së shoqërisë. Por, komuniteti LGBTI i Kosovës karakterizohet nga shumë më tepër se sa thjesht Parada e Krenarisë, dhe situata nuk është aq shumëngjyrëshe sa paraqitet në imazhe.

“E organizojmë Paradën e Krenarisë për të rritur ndërgjegjësimin rreth të drejtave të komunitetit LGBTI, por kryesisht për të shprehur shqetësimet tona për shkeljen e këtyre të drejtave. Praktikisht, është një marshim proteste”, thotë Arbër Nuhiu nga CSGD-ja, Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore.

Organizata është një nga organet më të rëndësishme të shoqërisë civile, që punon për përmirësimin e pozitës së komunitetit, dhe është organizatorja kryesore e të gjitha aktiviteteve që zhvillohen për Paradën e Krenarisë. Vitet e fundit, tematika e aktivitetit ka qenë martesa me të njëjtin seks, një e drejtë ligjore e mohuar nga institucionet e Kosovës, megjithëse garantohet në Kushtetutë. CSGD-ja dhe organizata të tjera të të drejtave të LGBTI-së dhe të njeriut kanë lobuar për vite me radhë për përfshirjen e kësaj dispozite në Kodin e ri Civil, por thirrjet e tyre janë injoruar.

“E organizojmë Paradën e Krenarisë për të rritur ndërgjegjësimin rreth të drejtave të komunitetit LGBTI, por kryesisht për të shprehur shqetësimet tona për shkeljen e këtyre të drejtave. Praktikisht, është një marshim proteste.”

Arber Nuhiu, CSGD

“Qasja jonë ka qenë sistematike për arritjen e objektivit tonë. Ne e dimë se çfarë duam dhe si ta arrijmë”, thotë Nuhiu, duke iu referuar punës së advokacisë për komunitetin. Ai falënderon Bashkimin Evropian për mbështetjen e ofruar kur kishin më shumë nevojë. CSGD-ja përfitoi një grant operacional nga BE-ja për të përmirësuar kapacitetet e organizatës, duke i bërë të mundur që t’i shërbente komunitetit më mirë.

Së fundmi, komuniteti LGBTI në Kosovë festoi arritjen e parë kur ja dolën të përfshinin dispozita që zgjerojnë mbrojtjen ligjore të personave LGBTI në Kodin e ri Penal. Ky ishte një sukses i drejtpërdrejtë i advokacisë strategjike. Megjithatë, vazhdon të ketë vështirësi për zbatimin e kuadrit ligjor. Rastet e krimeve të urrejtjes kundër individëve LGBTI zakonisht nuk hetohen siç duhet apo çohen në gjykatë. Komuniteti beson se përmirësimi i radhës duhet të ndodhë tek organet shtetërore që ndjekin, hetojnë dhe ekzekutojnë vendimet. Kjo është arsyeja përse organizatat LGBTI aktivizohen edhe për trajnimin e policisë, prokurorëve dhe gjyqtarëve rreth praktikave më të mira.

Përqendrimi i shërbimit te problemet

Përvoja e CSGD-së përfshin thuajse dy dekada ndërveprimi dhe mbështetjeje ndaj komunitetit. Kjo përvojë tregon se në Kosovë ekzistojnë dy realitete të LGBTI-së: njëri është jeta në kryeqytetin e Prishtinës dhe tjetri është ai në pjesën tjetër të vendit ku situata është e zymtë. Kryeqyteti është vendi ku personat LGBTI kanë fituar një farë lirie, por pandemia e koronavirusit, për arsye që variojnë nga ndërprerja e arsimit deri te humbja e punës, i ka detyruar të kthehen në qytetet e tyre.

“Frika më e madhe e personave LGBTI është mospranimi, së pari nga familjet e tyre. Nuk mund ta imagjinojmë trysninë që përjetojnë në shtëpitë e tyre. Çdo ditë. Së dyti, është frika e mospranimit nga shoqëria”.

Arber Nuhiu, CSGD

“Frika më e madhe e personave LGBTI është mospranimi, së pari nga familjet e tyre. Nuk mund ta imagjinojmë trysninë që përjetojnë në shtëpitë e tyre. Çdo ditë. Së dyti, është frika e mospranimit nga shoqëria”, thotë Nuhiu.

Si rrjedhojë, që prej nisjes së pandemisë, numri i personave që kërkojnë mbështetje këshilluese dhe numri i rasteve të dhunës është rritur. Reagimi i CSGD-së ishte në zhvillim e sipër: një platformë online që ofron këshillim dhe mbështetje juridike profesionale dhe pa pagesë për këdo. Platforma është arritja më e fundit e misionit të CSGD-së që sjell fuqizim të mëtejshëm të komunitetit. Tanimë, organizata është e disponueshme në formë digjitale për çdo kosovar LGBTI në nevojë, kudo që jeton.

Rreth programit 

Bashkimi Evropian financoi organizatën Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore dhe veprimtaritë themelore të saj në kuadër të Instrumentit kombëtar të Shoqërisë Civile 2015. Objektivi i grantit operacional ishte përmirësimi i veprimtarive të advokacisë, profilizimit, rrjetëzimit dhe ndërtimit të koalicioneve. Objektivi global ishte mundësimi dhe stimulimi i demokracisë pjesëmarrëse në Kosovë nëpërmjet krijimit të një mjedisi që promovon partneritetin dhe dialogun ndërmjet shoqërisë civile dhe institucioneve publike, dhe nëpërmjet ngritjes së kapacitetit të OSHC-ve për të qenë aktorë të pavarur efektivë dhe llogaridhënës.

Photo credits: CSGD, EU Office in Kosovo

 

Please wait while your video is being uploaded...

Don't close this window!

Subscribe to the newsletter

I have read and understood the terms of the privacy statement.