Në gjurmët e rrëqebullit të Ballkanit në rrezik zhdukjeje | WeBalkans | EU Projects in the Western Balkans

Në gjurmët e rrëqebullit të Ballkanit në rrezik zhdukjeje

Një ekip gazetarësh të Maqedonisë së Veriut fitojnë çmimin prestigjioz të BE-së për hetimin e tyre të kërcënimeve me të cilat përballet rrëqebulli i rrezikuar.

SCROLL DOWN

Rrëqebulli i Ballkanit është një lloj maceje e egër që klasifikohet si një specie në rrezik kritik zhdukjeje. Besohet se vetëm rreth 45 individë nga kjo specie ekzistojnë ende në rajon. Gjuetia pa leje, degradimi i terrenit dhe aktivitetet e ndërtimit janë kërcënime serioze për macen më të madhe të rajonit.

 

Rrëqebulli i Ballkanit mund të gjendet në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri dhe Kosovë. Edhe pse gjuetia apo lëndimi i rrëqebullit të Ballkanit ndalohet me ligj në të tria shtetet, një hetim zbuloi se situata është shumë më ndryshe në praktikë. Një ekip gazetarësh nga radioja maqedonase MOF doli në përfundimin se, në fakt, kjo kafshë nuk mbrohet siç duhet dhe gjendet në rrezik serioz zhdukjeje.

Hetimi i tyre zgjati disa muaj dhe prodhoi një artikull, të titulluar “Në ndjekje të gjurmëve të rrëqebullit të Ballkanit – një artikull investigativ me dy pjesë”. Artikulli paraqet një pamje të zymtë të situatës së rrëqebullit të Ballkanit që rrezikohet vazhdimisht nga gjuetia e paligjshme. Ekipi investigativ gjeti rrëqebuj të balsamosur në muret e restoranteve pranë habitatit natyror të kafshës, rrëqebuj që mbaheshin në kafaze si tërheqje për turistët dhe dyshime për përfshirjen e zyrtarëve të policisë në gjueti. Për më tepër, hetimi tregoi se, përveç kërcënimeve nga gjuetia e paligjshme, rrëqebulli i Ballkanit po rrezikohet gjithashtu nga hedhja e paligjshme e mbetjeve dhe nga aktivitetet e ndërtimit si rrugët dhe hidrocentralet në parqet natyrore dhe përreth tyre.

”Në rajonin tonë kemi legjislacion të shkëlqyer në letër, por shpesh ky legjislacion nuk vihet në zbatim siç duhet.”

Jasmina Jakimova, gazetare

Njohja e përpjekjeve

Ekipi i gazetarëve që drejtoi dhe botoi artikullin investigativ përbëhej nga Bojan Shashevski, Daniel Evrosimoski, Emilija Petreska dhe Jasmina Jakimova. Jasmina shpjegon se frymëzimi i tyre erdhi nga dëshira për të treguar një histori që rrallëherë raportohet dhe gjithashtu për të hetuar nëse ligjet për mbrojtjen e natyrës dhe kafshëve të egra po zbatoheshin siç duhet. ”Në rajonin tonë kemi legjislacion të shkëlqyer në letër, por shpesh ky legjislacion nuk vihet në zbatim siç duhet.”

Bazuar te reagimet nga lexuesit, artikulli korri një sukses të madh dhe gjithashtu fitoi Çmimin e BE-së për Gazetarinë Investigative në Maqedoninë e Veriut për vitin 2021. Çmimi u dha nëpërmjet projektit të financuar nga BE-ja, të quajtur “Fuqizimi i Lajmeve Cilësore dhe Gazetarisë së Pavarur në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi,” dhe juria e përshkroi artikullin si produkt të një studimi të shkëlqyer.

Në ceremoninë e çmimeve, Emilija Petreska nga radioja MOF tha, “Është zhgënjyese të marrësh vesh se, edhe pas më shumë se një viti që kur publikuam artikullin, institucionet akoma nuk kanë reaguar ndaj zbulimeve. . . Çfarë të ardhmeje po planifikojmë nëse vazhdojmë të shkatërrojmë ekosistemet, habitatet natyrore të rrëqebullit të Ballkanit dhe trashëgiminë natyrore që kemi dhe – si rrjedhim – veten?”.

“Çmimi kishte rëndësi të madhe për ne, jo për paratë, por për njohjen: është një ndjesi e mrekullueshme të dish se përpjekjet e tua janë bërë të ditura”

Jasmina Jakimova, gazetare

Jasmina shpjegon se, duke qenë se ishin një organizatë e vogël mediash, ekipi i saj u habit kur u thanë se kishin fituar çmimin e parë. “Çmimi kishte rëndësi të madhe për ne, jo për paratë, por për njohjen: është një ndjesi e mrekullueshme të dish se përpjekjet e tua janë bërë të ditura,” thotë ajo.

Çmimet e BE-së për gazetarinë investigative kanë si synim të përgjithshëm kremtimin dhe promovimin e rezultateve të jashtëzakonshme të gazetarëve investigativë nga shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë, si dhe rritjen e shikueshmërisë së gazetarisë cilësore investigative nga publiku i këtyre shteteve.

Lidhur me projektin

Synimi i projektit të financuar nga BE-ja për “Fuqizimin e Lajmeve Cilësore dhe Gazetarisë së Pavarur në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi,” është të shtojë besimin e qytetarëve te media dhe të krijojë një mjedis të sigurt për gazetarët, që këta të fundit të mund të prodhojnë lajme të pavarura nëpërmjet trajnimit, mentorimit, ndihmës teknike dhe financiare, si dhe botimit. Projekti është zhvilluar që në vitin 2019 në shtetet kandidate të mundshme si Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Turqia.

Photo credits : Radio MOF

Please wait while your video is being uploaded...

Don't close this window!

Subscribe to the newsletter

I have read and understood the terms of the privacy statement.