Një recetë e vjetër djathi bie në duart e klientëve të rinj | WeBalkans | EU Projects in the Western Balkans

Një recetë e vjetër djathi bie në duart e klientëve të rinj

Djathëbërësit nga Bosnia dhe Hercegovina shtojnë prodhimin e tyre dhe fuqinë punëtore me anë të mbështetjes së BE-së.

SCROLL DOWN

Kur Tomislav Puđa ishte 20 vjeç, babai i tij ndërroi jetë, kështu që ai mori përsipër të vijonte traditën familjare të bërjes së djathit. Familja Puđa është specialiste për prodhimin e djathit Livno, i cili është një djathë i fortë i bërë nga qumështi i lopës, i deles apo nga përzierja e të dyve. Djathi vjetrohet në mënyrë natyrale nën lëkurën e tij në një kallëp në formë rrote, për të paktën 60 ditë dhe merr një shije të theksuar, e cila mund të jetë paksa e hidhur. Receta u fut në rajonin e Livnos për të kënaqur shijet e fisnikërisë perandorake në kohën e sundimit Austro-Hungarez.

“Babai im gjithmonë e ka pasur ëndërr të zgjeronte biznesin dhe të kishte një baxho të vogël. Unë dhe vëllai im vendosëm ta bëjmë këtë ëndërr realitet.”

Tomislav Puđa, pronari i Eco Cheese Puđa

Nga një artizanat djathi në një ndërmarrje të madhe

Gjyshi dhe gjyshja e Tomislavit e prodhonin djathin në sasi të vogla në qilarin e tyre. Në vitet 1970, ata vendosën ta tregtonin këtë produkt dhe ta shisnin në rajonet turistike përgjatë bregut Adriatik. Edhe pse sasitë nuk ishin të mëdha, shitjet mjaftonin për të mbajtur familjen. Babai i Tomislavit e vazhdoi këtë traditë dhe Tomislavi e ndihmonte.

“Babai im gjithmonë e ka pasur ëndërr të zgjeronte biznesin dhe të kishte një baxho të vogël. Unë dhe vëllai im vendosëm ta bëjmë këtë ëndërr realitet”- thotë Tomislavi.

Baxhoja Puđa Eco Cheese u themelua në vitin 2003 dhe që atëherë, e ka zgjeruar aktivitetin. Sot, baxhoja prodhon mbi dhjetë lloje djathërash dhe ka fituar disa çmime ndërkombëtare për cilësi, ndër të cilat spikat një medalje ari nga Panairi Ndërkombëtar i Djathit i zhvilluar në Austri në vitin 2014.

Në vitin 2019, e shtyrë nga ideja e modernizimit të procesit të prodhimit dhe fuqizimit të pozicionit të baxhos në tregun vendas dhe të huaj, ndërmarrja Puđas iu përgjigj një thirrjeje publike për grante, të publikuar në projektin EU4Business, financuar nga BE-ja dhe qeveria gjermane dhe e vënë në zbatim nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) dhe organizata gjermane për bashkëpunim ndërkombëtar, GIZ. Falë projektit EU4Business, baxhoja i zëvendësoi fuçitë e vjetruara të djathit me të tjera, më të reja dhe moderne, mori makineri për prerje dhe peshim dhe rafte të reja në ambientet e vjetrimit dhe instaloi sisteme për ruajtjen e mikroklimës në baxho. Rikonstruksioni ka kontribuar gjithashtu për cilësinë e përgjithshme të procesit të prodhimit në baxho.

Vlera totale e këtij investimi shkon mbi 380,000 euro, nga të cilat, 150,000 euro u ofruan nga Bashkimi Evropian në formën e granteve. Pajisjet moderne kanë përmirësuar cilësinë dhe procesin e punës, kanë ulur shpenzimet e prodhimit dhe gjithashtu kanë kontribuar për rritjen e produktivitetit. “Teknologjia moderne ka minimizuar gabimet, gjë që është shumë e rëndësishme për sa i përket ruajtjes së cilësisë. Diçka që vumë re menjëherë ishte se pajisjet e reja e shfrytëzojnë më mirë qumështin, gjë që do të thotë se sot ne përftojmë më shumë djathë nga e njëjta sasi qumështi. Si rezultat, konkurrenca e tregut tonë është përmirësuar mjaft,”- thotë Tomislavi. Përmirësimet e arritura nëpërmjet projektit EU4Business krijojnë gjithashtu mundësi të tjera për zgjerimin e prodhimit dhe tregtimit të djathit jashtë kufijve të Bosnie dhe Hercegovinës.

“Njerëzit janë pasuria jonë më e madhe. Në sajë të makinerive të reja, punëtorët tanë kanë kushte më të mira pune dhe mund të punojnë më shpejt e më lehtë.”

Tomislav Puđa, pronari i Eco Cheese Puđa

Në baxho punojnë gjithsej rreth 40 persona, duke përfshirë këtu edhe shtatë të punësuar falë investimit të EU4Business. Punëtorët e rinj rritën nivelet e prodhimit, por siguruan edhe një cilësi më të mirë të kontrollit të produkteve. Siç thotë Tomislavi, “Njerëzit janë pasuria jonë më e madhe. Në sajë të makinerive të reja, punëtorët tanë kanë kushte më të mira pune dhe mund të punojnë më shpejt e më lehtë.

Lidhur me projektin

EU4Business është një projekt i BE-së që synon të fuqizojë kapacitetin e Bosnies dhe Hercegovinës për rritjen ekonomike dhe punësimin, duke nxitur konkurrencën dhe risinë në sektorët e përzgjedhur. Ky projekt ka një buxhet prej 16.1 milion eurosh: 15 milion euro të financuara nga Bashkimi Evropian dhe 1.1 milion euro nga Republika Federale e Gjermanisë.

EU4Business është pjesë e Strategjive për Zhvillim Vendor – Vetëqeverisje Vendore dhe Zhvillim Ekonomik në Bosnie dhe Hercegovinë të Programit të Ministrisë Federale Gjermane për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (BMZ).

Photo credits: EU4 Business ( S. Omerbašić)

Please wait while your video is being uploaded...

Don't close this window!

Subscribe to the newsletter

I have read and understood the terms of the privacy statement.