Aventurat natyrore në Ballkanin Perëndimor me Nolin dhe kompaninë e tij | WeBalkans | EU Projects in the Western Balkans

Aventurat natyrore në Ballkanin Perëndimor me Nolin dhe kompaninë e tij

Një sipërmarrës i ri nga Kosova rrit kompaninë e tij për turizmin rural me mbështetjen e Bashkimit Evropian.

SCROLL DOWN

Nol Krasniqi është anëtar i ekipit kosovar të ngjitjes në shkëmbinj, aktivist mjedisor dhe guidë turistike malore. Ai jeton në qytetin e Pejës në Kosovë, i cili është i rrethuar nga Bjeshkët e Nëmuna – një nga vargmalet më mbresëlënëse në Ballkanin Perëndimor. Po të shohësh shkëmbinjtë gëlqerorë, është shumë e thjeshtë të kuptosh përse këto male janë atraksion për kaq shumë turistë.  Noli ka punuar vetë si guidë turistike malore që kur ka qenë 18 vjeç dhe në vitin 2014 ai vendosi ta kthejë punën e tij me kohë të pjesshme në një biznes me kohë të plotë, së bashku me partnerin e tij të biznesit, Virtytin.

Një ofertë më e mirë 

Noli shpjegon se ata filluan të mendonin për biznesin e turizmit malor kur numri i vizitorëve në qytet dhe në malet përreth filloi të rritet dhe operatorët e parë turistikë iu bashkuan tregut.  “Ata po ofronin shumë pak mundësi turistike. Ne menduam se mund të ofronin diçka më të mirë dhe lançuam kompaninë,“ shprehet ai. Gjashtë vite më pas, ‘Balkan Natural Adventure’ është një konkurrent i rëndësishëm në sektorin e turizmit malor jo vetëm në Kosovë, por edhe për vendet fqinjë si Shqipëria dhe Mali i Zi.

“Mbështetja e ofruar nga Bashkimi Evropian ishte një etapë e rëndësishme për qëndrueshmërinë ekompanisë sonë”

Nol Krasniqi

Strategjia e re e tregut 

Kompania ka mirëpritur mbi 700 grupe turistësh Megjithatë, përveç suksesit ata kanë hasur edhe vështirësi dhe sfida. Që në fillim, transporti i turistëve ka qenë një problem i madh për shkak të kostos dhe besueshmërisë së shërbimit. Fillimisht ata punësuan autobusë të vegjël ose taksi në varësi të numrit të vizitorëve në grup. Por kjo ishte thjesht një zgjidhje afatshkurtër.

“Madhësia mesatare  e grupeve me vizitorë është rreth tetë persona. Tregu nuk ofronte zgjidhje fort të mira për këtë madhësi grupi: shpesh na është dashur të marrim me qira minibusë me 20 vende ose të marrim me qira dy makina. Nuk ishte frytdhënëse financiarisht,“ shprehet Noli. Për më tepër, kompanitë e makinave me qira nuk ishin gjithnjë të besueshme dhe kjo e bënte akoma dhe më sfidues organizimin e transportit.  “Ne po përqendroheshim në turizmin malor dhe më pas pamë se vizitat kulturore po shtoheshin – na duhej shumëllojshmëri.”

Tri vite më parë, partneri në biznes i Nolit, Virtyti, pa një thirrje të hapur të lançuar nga Bashkimi Evropian në rrjetet sociale për mbështetjen e kompanive, duke përfshirë ato që punojnë në fushën e turizmit. Duke qenë se ‘Balkan Natural Adventure’ kishte nevojë për mbështetje, ata vendosën të aplikonin. Ata kërkuan ndihmë për reklamim ndërkombëtar të kompanisë, për studime për zhvillimin e  vizitave kulturore dhe blerjen e një fugoni me tetë vende për pasagjerë për të zgjidhur problemin e tyre me transportin.  Propozimi i tyre u miratua dhe atyre iu bashkë-financuan të gjitha nevojat nga Bashkimi Evropian. “Mbështetja e ofruar nga Bashkimi Evropian ishte një etapë e rëndësishme për qëndrueshmërinë e kompanisë sonë. Përveç rritjes së besueshmërisë dhe numrit të shërbimeve tona, ne punësuam më shumë njerëz. Tani kemi tri persona që punojnë me kohë të plotë në departamentet e shitjes dhe administrimit dhe kemi 15 anëtarë të personelit me kohë të pjesshme që punojnë si guida turistike dhe shoferë,“ shprehet Noli.

Ai e përshkruan ekipin e tyre aktual si profesional dhe shpjegon se ai përfshin guida nga Shqipëria dhe Mali i Zi. “Fillimisht patëm probleme me gjetjen e personave të përkushtuar ndaj punës si guida. Megjithatë, pasi patëm disa shembuj të mirë ku guidat fitonin rrogën e një viti në katër muaj, gjërat filluan të ndryshojnë.“

Po të mos kishte qenë për pandeminë e COVID-19-ës, ‘Balkan Natural Adventure’ do të kishte mirëpritur 500 grupe turistësh këtë vit. Kjo do të kishte qenë një rritje e rëndësishme. Pavarësisht pandemisë, Noli dhe partneri i tij parashikojnë një të ardhme të shndritshme për kompaninë e tyre: në dhjetë vitet e ardhshme, ata presin të shtojnë 40 guida turistike dhe shoferë me kohë të pjesshme dhe të rritin ë stafin e tyre me kohë të plotë në dhjetë persona.

“Gjithnjë e më tepër persona po e shikojnë turizmin e qëndrueshëm si të ardhmen e tyre”

 

Nol Krasniqi

“Pas fushatës reklamuese, gjatë vitit 2020 patëm më shumë rezervime seç kishim pasur në të tri vitet e fundit së bashku.  COVID-i pati efektet  e tij, por fatmirësisht pjesa më e madhe e klientëve i shtynë rezervimet e tyre: ata nuk i anuluan ato, kështu që investimi ynë nuk humbi,“ thekson Noli.

Por kemi ende sfida të tjera përpara nesh. Ndër kryesoret përfshijnë ndërtimet e paligjshme në male, hidrocentralet dhe ndotjen e ajrit. Megjithatë, Noli mbetet optimist. “Gjithnjë e më tepër persona po e shikojnë turizmin e qëndrueshëm si të ardhmen e tyre,” shprehet ai.

Photo credits: Balkan Natural Adventure

Please wait while your video is being uploaded...

Don't close this window!

Subscribe to the newsletter

I have read and understood the terms of the privacy statement.