Shijet vendase përballë klientëve botërorë | WeBalkans | EU Projects in the Western Balkans

Shijet vendase përballë klientëve botërorë

Një projekt i financuar nga BE-ja mbështet Shqipërinë dhe Malin e Zi për promovimin e kuzhinës vendase në nivel ndërkombëtar.

SCROLL DOWN

Ivana Babović jeton në fshatin piktoresk Konjuhe pranë Andrijevica në veri të Malit të Zi. Fshati gjendet larg bregdetit dhe vendeve të tjera të Malit të Zi që njihen nga vizitorët. Bujqësia ka qenë burimi kryesor i të ardhurave për Ivanën, katër fëmijët dhe bashkëshortin e saj, deri pesë vjet më parë, kur përfaqësues të Agjencisë së Zhvillimit Rajonal për Bjelasica, Komovi dhe Prokletije vizituan fshatin e tyre. Ata kishin shkuar të flisnin për përfshirjen e mundshme të fshatarëve në biznes përmes një projekti të financuar nga BE-ja. Ivana thotë se kjo habiti atë vetë dhe mikeshat e saj në fshat, pasi fshati i tyre vizitohej rrallë nga të tjerët, aq më pak nga persona që i ftuan të përfshiheshin në biznes.

Krahas bukurive natyrore dhe arkitekturës tradicionale, zona e Ivanës ka dhe një kuzhinë tradicionale të pasur. Kjo vjen si rezultat i begatisë së frutave dhe perimeve organike, që kanë frymëzuar një sërë recetash tradicionale, pak të njohura për personat e jashtëm deri në fillimin e këtij projekti. Disa nga pjatat karakteristike përfshijnë qullin e përgatitur nga misri i bluar në mënyrë tradicionale në mullirin e fshatit; byrekët me lëpjeta dhe djathë të bërë në shtëpi; gjellët me mish organik; dhe rakinë e bërë në shtëpi.

“Kur filluam trajnimin e parë, nuk ishim shumë optimistë për rezultatin dhe persona të tjerë nga fshati ishin dyshues dhe deri diku na vinin në lojë, duke na thënë se ‘po shkoni në shkollë’. Por, kur erdhi vizitori i parë, gjërat ndryshuan.”

 

Ivana Babović, Pritëse në turizmin rural

Një rrugëtim nga fshati drejt klientëve ndërkombëtarë

 Ivana ishte ndër gratë e para që ranë dakord të përfshiheshin në projekt. Ajo ishte mësuar të gatuante për familjen e saj dhe të priste familjarë dhe miq, por të gatuarit dhe pritja e të huajve në këmbim të kompensimit financiar ishte diçka krejtësisht e re për të. “Deri atëherë unë isha një shtëpiake. Nuk dija asgjë për biznesin dhe vendimi për t’u bërë sipërmarrëse nuk ishte i lehtë”, thotë ajo. Megjithatë, projekti i mundësoi mbështetje të plotë me aftësi që kishin të bënin me pritjen profesionale, si sjellja me vizitorët, paraqitja e ushqimit dhe ofrimi i aktiviteteve për turistët.

“Besomëni, kur filluam trajnimin e parë, nuk ishim shumë optimistë për rezultatin dhe persona të tjerë nga fshati ishin dyshues dhe deri diku na vinin në lojë, duke na thënë se ‘po shkoni në shkollë’. Por, kur erdhi vizitori i parë, gjërat ndryshuan”, thotë Ivana. Vizitorja e parë ishte një e re nga Belgjika, e cila qëndroi tri ditë, duke jetuar dhe gatuar me familjen.

Pesë vite më vonë, Ivana dhe familja e saj presin rregullisht vizitorë nga mbarë bota dhe turizmi është kthyer në burimin kryesor të të ardhurave për familjen e saj. Njëra nga vajzat e saj po studion për turizëm dhe është duke menduar për zgjerimin e mëtejshëm të biznesit.

Projekti i Bashkëpunimit Ndërkufitar (CBC) i financuar nga BE-ja për kuzhinën lokale si ofertë turistike e rajonit ndërkufitar përbëhet nga dy elemente kryesore. Ivana dhe familja e saj përfituan nga elementi i rrugëve të gastronomisë, që përfshinte mbështetjen për familjet e fshatit dhe lidhjen e fshatrave në Shqipëri dhe Mal të Zi me njëri-tjetrin për të ofruar një koncept turizmi të integruar të bazuar te rrugët, me fokus te gastronomia.

Një element po aq i rëndësishëm i projektit ishte përfshirja e recetave tradicionale vendase në ofertën turistike duke hulumtuar dhe ruajtur gatimet rajonale dhe duke i përdorur këto gatime në restorantet vendase dhe rrugët e gastronomisë, që përfshinin zhvillimin e pikave të shijimit në shtëpitë rurale. Synimi ishte risjellja e disa prej gatimeve të harruara dhe trajnimi i shefave të kuzhinës dhe kuzhinierëve vendas për t’i përgatitur ato, në mënyrë që këto gatime të mund të përfshiheshin në menutë e hoteleve dhe restoranteve vendase.

“Jemi shumë krenarë për suksesin e librit tonë të gatimit, pasi ky sukses nuk vlen vetëm për projektin tonë, por edhe për vendet e përfshira në këtë projekt.”

Jelena Krivčević, Agjencia e Zhvillimit Rajonal (RDA) për Bjelasica, Komovi dhe Prokletije

Jelena shpjegon se ushqimi është i ngjashëm në të dyja anët e kufirit, e megjithatë ka shije dhe veçori karakteristike. Ky element i rëndësishëm ndërkufitar ka pasuruar projektin dhe ofertën turistike të rajonit.

Libri i gatimit i krijuar nga projekti zuri vendin e dytë në botë në kategorinë e botimeve më të mira të kulinarisë dhe vend të parë në kategorinë e turizmit ushqimor në konkursin e Ditës Botërore të Gastronomisë së Qëndrueshme. Nga muaji qershor deri në shtator, libri është i ekspozuar në Muzeun Alfred Nobel në Suedi. “Jemi shumë krenarë për suksesin e librit tonë të gatimit, pasi ky sukses nuk vlen vetëm për projektin tonë, por edhe për vendet e përfshira në këtë projekt për CBC”, thotë Jelena Krivčević, menaxhere e projektit.

Rreth projektit

Projekti i financuar nga BE-ja, “Kuzhina lokale si ofertë turistike e rajonit ndërkufitar” filloi në vitin 2018 dhe përfundoi në vitin 2020. Synimi i projektit ishte përmirësimi i konkurrueshmërisë së sektorit të turizmit duke përfshirë gastronominë vendase në ofertën e përgjithshme turistike të zonës ndërkufitare. Projekti u zbatua nga RDA Bjelasica, Komovi i Prokletije dhe Organizata Kombëtare e Turizmit nga Mali i Zi, në bashkëpunim me Eco-Partners for Sustainable Development dhe Bashkinë Pukë në Shqipëri.

Photo credits: Regional Development Agency for Bjelasica, Komovi and Prokletije

Please wait while your video is being uploaded...

Don't close this window!

Subscribe to the newsletter

I have read and understood the terms of the privacy statement.