Atmosfera e xhazit rikthen në jetë hapësirat kulturore | WeBalkans | EU Projects in the Western Balkans

Atmosfera e xhazit rikthen në jetë hapësirat kulturore

Nismat muzikore që lindën gjatë pandemisë, lulëzojnë me anë të mbështetjes së BE-së

SCROLL DOWN

Kur të rinjtë e Pejës në Kosovën perëndimore u nxitën të organizonin evente të reja për të përfshirë më shumë qytetarë kulturalisht, ata improvizuan me ato që kishin: një godinë të vjetër kinemaje, artistë të mirënjohur dhe vullnetarizëm. Dhe kështu, nisma e udhëhequr nga OJQ-ja Anibar u përqendrua te zhanri muzikor themelet e të cilit u ngritën mbi improvizimin – xhazi. Si për ta bërë këtë nismë edhe më të pasigurt, seria e tyre e koncerteve të xhazit ishte planifikuar të fillonte në fund të vitit 2020, në mes të pandemisë së COVID-19-ës. Sidoqoftë, pavarësisht të gjitha pengesave, lindi aktiviteti kulturor më i ri në qytet, Peja Jazz.

“Gjithmonë i kisha thënë vetes se, do të kthehesha në Pejë vetëm nëpërmjet eventeve kulturore.”

Dardan Selimaj, Peja Jazz

Personi kryesor për realizimin e  Peja Jazz-it ishte Dardan Selimaj, përgjegjës për shumë evente kulturore në Kosovë gjatë njëzetë viteve të fundit. Për të, ideja e xhazit në Pejë ishte e vështirë të refuzohej. “Gjithmonë i kisha thënë vetes se, do të kthehesha në Pejë vetëm nëpërmjet eventeve kulturore,” thotë Dardani për qytetin, nga i cili vjen familja e tij dhe ku ka pak evente të kësaj natyre. “Në qytete më të vogla, ku në pjesën më të madhe të vitit nuk ndodh asgjë, brezi i ri meriton të marrë pjesë në koncerte, të cilat mund t’i frymëzojnë të bëhen dikushi në jetë – muzikantë apo pjesë e një bande muzikore – dhe në këtë mënyrë të tejkalojnë kufijtë,” thotë Dardani. Në të shkuarën, një numër i madh muzikantësh që ishin rritur në Pejë zgjodhën një rrugëtim të ngjashëm. Ata shërbyen si frymëzim për Dardanin dhe e shtynë të pranonte rolin e përgjegjësit për një event si Peja Jazz-i.

Përtej idesë frymëzuese, ishte i pashmangshëm fakti që do të kishte shumë pengesa rrugës, veçanërisht në një vit kur nisi një pandemi. Koncertet duhet të përfundonin brenda orëve të para të mbrëmjes dhe kishin një numër të limituar vendesh për t’u ulur, në mënyrë që të respektonin rregullat në fuqi të sigurisë publike. Sidoqoftë, ky kontekst kishte edhe avantazhet e veta.

“Duke qenë se 2020-a ishte një vit kur artistët i ndërprenë të gjitha shfaqjet, çdo gjë mbeti në vend në skenën kulturore, kështu që ata u bënë më kreativë dhe krijuan vepra të reja,” thotë Dardani, me zë të entuziazmuar se do të njihte xhevahiret muzikore  të krijuara gjatë muajve të izolimit.

“Ne shfaqëm katër koncerte dhe secili prej tyre me albume të reja: të gjitha brenda edicionit të parë,” thotë ai, me bindjen se një ndodhi e tillë është e vështirë të përsëritet. Sidoqoftë, një element që u arrit të përsëritej një vit më vonë, në edicionin e dytë, ishte përkushtimi ndaj koncerteve cilësore. Gjatë kësaj kohe, duke qenë se performuesit rajonalë dhe ata të vendosur në BE mund të udhëtonin, Peja Jazz-i kaloi përtej kufijve të Kosovës.

 “Fakti që Peja Jazz-i është organizuar nën patronazhin e Anibar-it, është në favor të qëndrueshmërisë së tij, si nga pikëpamja organizative, ashtu edhe për frymëzimin e performuesve të ardhshëm.”

Dardan Selimaj, Peja Jazz

Investimi për organizatat, jo për individët, për evente të shëndetshme kulturore

Mbajtja e një eventi muzikor ndikon në jetën kulturore të një qyteti të vogël si Peja në shumë mënyra. Së pari, zhvillimi i Peja Jazz-it në kinemanë e vetme në qytet ndihmoi për parandalimin e ndërhyrjeve të mundshme në godinën madhështore. Së dyti, i hapi rrugën qytetit drejt përfitimeve të tjera të ndërthurura, si turizmi dhe shkëmbimet kulturore. Ç’është më e rëndësishmja, u kthye në një mundësi për të transformuar brezat më të rinj, duke i ndërgjegjësuar më shumë për potencialin e tyre, nëpërmjet kontaktit me artistë të njohur.

“Fakti që Peja Jazz-i është organizuar nën patronazhin e Anibar-it, është në favor të qëndrueshmërisë së tij, si nga pikëpamja organizative, ashtu edhe për frymëzimin e performuesve të ardhshëm,” thotë Dardani, i cili është i gatshëm t’ua transmetojë njohuritë e tij të menaxhimit vullnetarëve në eventet muzikore. Ai u referohet sukseseve që ka korrur Anibar-i në fushën e animacionit, ku të rinjtë kanë kaluar nga mësimi i hapave fillestarë tek shfaqja e animacioneve në festivalet e përvitshme. Anibar-i po mëson nga përvojat lidhur me prezantimin e aktiviteteve të reja kulturore në qytete si Peja dhe tanimë ka partneritet me organizata të tjera në Kosovë e më gjerë për të përmirësuar gjendjen aktuale të hapësirave kulturore. Me financimin e BE-së, synimi i tyre është të jenë më të përgatitur si aktorë kulturorë për menaxhimin e infrastrukturës publike, si dhe të rrisin bashkëpunimin me qeveritë vendore për përdorimin e qëndrueshëm të infrastrukturës, politikave dhe financave publike.

Lidhur me projektin

Projekti i Partneritetit Qytetar-Publik për Qeverisjen Novatore të Infrastrukturës Publike në Pejë, Prizren dhe Mitrovicë synon të përmirësojë gjendjen aktuale të hapësirave kulturore, si dhe të krijojë hapësira të reja anë-e-kënd Kosovës. Përveç shumë roleve të tjera, projekti shërben edhe si një ndërhyrje e rëndësishme për demokratizimin e politikave kulturore dhe urbane në Kosovë dhe u ofron më shumë qytetarëve pjesëmarrje në jetën publike.

Photo credits: Peja Jazz

Please wait while your video is being uploaded...

Don't close this window!

Subscribe to the newsletter

I have read and understood the terms of the privacy statement.