Shpalosja e kajmakut unik të Gackos përpara botës | WeBalkans | EU Projects in the Western Balkans

Shpalosja e kajmakut unik të Gackos përpara botës

Një projekt i financuar nga Bashkimi Evropian po ndihmon një OJF në Bosnjë-Hercegovinë me markën dhe promovimin e kajmakut tradicional me një recetë unike.

SCROLL DOWN

Gacko është një komunë e vogël me rreth 8,000 banorë në juglindje të Bosnjë-Hercegovinës. Njihet kryesisht për minierën e qymyrit dhe termocentralin e saj, që ofron mundësitë më të shumta për vende pune në zonë. Megjithatë, Gacko ka edhe një mënyrë unike dhe karakteristike të prodhimit të kajmakut, një lloj kremi djathi që prodhohet dhe konsumohet në mbarë Ballkanin Perëndimor.

Metoda tradicionale e prodhimit të kajmakut është duke vluar qumështin ngadalë, dhe më pas duke e zierë për dy orë në zjarr shumë të ulët. Pasi hiqet nga zjarri, kremi skremohet dhe lihet të ftohet, si dhe të thartohet paksa, për disa orë ose ditë. Ndryshe nga kjo metodë tradicionale prodhimi, me recetën e Gackos, kajmaku maturohet për disa muaj në një cohë prej lëkurës së deles ose dhisë. Si rrjedhojë, kajmaku i Gackos ndryshon ngjyrë nga i bardhë në të verdhë, merr një trajtë të fortë, por jo të ngurtë, ka një shije paksa të kripur dhe një aromë karakteristike, që e përfton gjatë stazhionimit. Kur hiqet nga coha, djathi është i thatë dhe i thërrmueshëm.

“Kajmaku ynë është një produkt shumë i vyer dhe unik, ndaj ne dëshirojmë ta mbrojmë dhe ta promovojmë.”

Dragana Milović, Kryetare e Shoqatës së Prodhuesve të Kajmakut

Megjithatë, pak njerëz e kanë mundësinë ta shijojnë këtë produkt unik, pasi kryesisht shitet në tregjet ose restorantet e rajonit të Gackos. Duke e pasur parasysh këtë fakt, Shoqata e Prodhuesve të Kajmakut të Gackos ka filluar një nismë për të shpalosur kajmakun e Gackos përpara botës. Dragana Milović është kryetarja e Shoqatës së themeluar në vitin 2021. Në fillim, shoqata përbëhej nga nëntë anëtarë dhe tani ka 24, shumica prej të cilave janë gra nga rajonet rurale. Prodhimi i bulmetit, duke përfshirë kajmakun, është burimi kryesor i të ardhurave për 90% të tyre.

Sipas Draganës, objektivi i Shoqatës është që produkti i tyre të ketë markën e vet dhe të njihet në nivelin vendor dhe rajonal. Për ta arritur këtë objektiv, duhen ndjekur procedura specifike. Procedura e parë është ngritja e një sistemi për gjurmueshmërinë e prodhimit, i cili do të garantonte përcaktimin e markës së produktit nga institucionet kompetente. Shoqata beson se marka e kajmakut do ta bëjë më të njohur, si dhe do të rritë kërkesën dhe çmimin. Aspirata e anëtarëve të Shoqatës është të përmirësojnë situatën e tyre materiale duke prodhuar kajmak, veçanërisht në zona rurale. Rrjedhimisht, duhet të standardizohet prodhimi, e ndërkaq, duhet të ruhet tradita dhe shija e veçantë e kajmakut të rajonit. “Kajmaku ynë është një produkt shumë i vyer dhe unik, ndaj ne dëshirojmë ta mbrojmë dhe ta promovojmë.” – shprehet Dragana.

“Mbështetja që kemi marrë nga BE-ja dhe UNDP-ja përmes projektit ReLOaD2 kishte rëndësi madhore, pasi na ka mundësuar t’i afrohemi qëllimit të markës dhe promovimit të kajmakut të Gackos te më shumë njerëz.”

Dragana Milović, Kryetare e Shoqatës së Prodhuesve të Kajmakut

Së fundmi, Shoqata përfitoi mbështetje për nismën e tyre nga një projekt i financuar nga BE-ja. Programi Rajonal për Demokraci Vendore në Ballkanin Perëndimor 2 (ReLOaD2) zbatohet në 63 qeveri vendore në Ballkanin Perëndimor dhe komuna e Gackos është një nga 13 njësitë partnere të qeverisjes vendore në Bosnjë-Hercegovinë, dhe financohet nga Bashkimi Evropian, nën zbatimin e Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP).

Mbështetja nga projekti përfshinte trajnimin për higjienën dhe cilësinë e qumështit, ushqyerjen e përshtatshme të bagëtive, si dhe ruajtjen e të dhënave mbi foragjeret për bagëtitë dhe sasinë e qumështit. Pjesëmarrësit u trajnuan gjithashtu për metodën e krijimit të një sistemi të gjurmueshmërisë së prodhimit në procesin e prodhimit të kajmakut të Gackos, si dhe për kërkesat e përcaktimit të markës. Krahas kësaj, projekti i ofroi Shoqatës pajisje për përpunimin dhe analizimin e qumështit, çka është një faktor kyç në kontrollin e cilësisë.

Zbatimi i këtij projekti është hapi i parë drejt përcaktimit të markës së kajmakut të Gackos. Është një çështje shumë e rëndësishme si për komunitetin vendas, ashtu edhe për rajonin, pasi blegtoria është burimi kryesor i të ardhurave në rajonin e Gackos. “Mbështetja që kemi marrë nga BE-ja dhe UNDP-ja përmes projektit ReLOaD2 kishte rëndësi madhore, pasi na ka mundësuar t’i afrohemi qëllimit të markës dhe promovimit të kajmakut të Gackos te më shumë njerëz.” – shprehet Dragana Milović.

Lidhur me projektin

Programi Rajonal për Demokraci Vendore në Ballkanin Perëndimor 2 (ReLOaD2) është vazhdim i nismave të mbështetura nga BE-ja, si: Projekti për Forcimin e Demokracisë Vendore (LOD 2009 – 2016) dhe Programi i zgjeruar Rajonal për Demokracinë Vendore në Ballkanin Perëndimor (ReLOaD, 2017-2020). Objektivi i përgjithshëm i projektit është të forcojë demokracitë me pjesëmarrje dhe të nxitë integrimin në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke fuqizuar shoqërinë civile dhe duke nxitur rininë që të marrë pjesë aktive në proceset vendimmarrëse, si dhe duke përmirësuar mjedisin mbështetës ligjor dhe financiar për shoqërinë civile.

Photo credits: ReLOaD2

Please wait while your video is being uploaded...

Don't close this window!

Subscribe to the newsletter

I have read and understood the terms of the privacy statement.