Rina Recica është 14 vjeç dhe është një nga nxënëset e shkëlqyera të vitit të saj në shkollë. Përveç studimeve, ajo është edhe shumë e përfshirë me çështje dhe problematika sociale si mbrojtja e mjedisit dhe të drejtat e njeriut. Me kalimin e viteve, ajo dhe miqtë se saj kanë kontribuar rregullisht në veprimtari vullnetare në shkollën e saj. “Ne organizojmë rregullisht nismën për pastrimin e oborrit të shkollës dhe kemi bërë postera kundër bullizmit. Por, gjithnjë kam pasur ndjesinë që nuk po bëjmë mjaftueshëm dhe që mund të bëjmë më tepër,” shpjegon Rina.
Kjo ndryshoi kur një organizatë jofitimprurëse e quajtur TOKA iu qas shkollës për të organizuar klube të të nxënit nëpërmjet shërbimit (klube për punë vullnetare) me ndihmën e dy prej mësuesve të tyre. “Kjo na ndihmoi shumë,” shprehet Rina “duke qenë se tani zhvillojmë veprimtari më të rregullta dhe më të mirë-koordinuara, si dhe patëm mundësinë të njohim persona të tjerë në shkollë që zhvillojnë veprimtari vullnetare për të cilët nuk kishim dijeni më parë”.
Programi i të nxënit nëpërmjet shërbimit filloi në Kosovë pesë vite më parë dhe në tre vitet e fundit është zbatuar me mbështetjen e Bashkimit Evropian. Shkurtimisht, programi synon të ndihmojë të rinjtë të përfshihen më shumë në vullnetarizëm ndërkohë që përvetësojnë njohuri, vlera dhe aftësi të reja; si mendimi kritik, komunikimi, zgjidhja e problemeve, aftësitë sociale, vendimmarrja, drejtimi dhe përmirësimi i vetë-efikasitetit dhe ndërgjegjësimit për qytetari aktive.
Hatixhe Zeka, që është menaxherja e programit shpjegon se shumë vende e kanë vullnetarizmin të përfshirë në sistemin e tyre formal të arsimit nëpërmjet programeve të të nxënit nëpërmjet shërbimit. Megjithatë, Kosova është një nga ato vende që nuk e kanë vullnetarizmin pjesë të arsimit të tyre formal. “Arsyeja përse filluam këtë program është shumë e thjeshtë. Synimi ynë ishte t’i bënim të rinjtë më aktivë për sa i përket çështjeve që lidhen me komunitetin dhe të kontribuojmë edhe në arsimin e tyre informal,” shprehet Hatixhe.
Në fillim, programi filloi me një thirrje për pjesëmarrje të hapur për të gjithë mësuesit në të gjithë Kosovën, e ndjekur nga gjashtë ditë trajnim për kandidatët e përzgjedhur rreth mënyrave të koordinimit dhe fillimit të veprimtarive vullnetare në shkollë. Më pas, mësuesit e trajnuar u rikthyen në shkollat e tyre dhe filluan të organizonin klubet vullnetare me nxënësit e tyre. Veprimtaritë vazhduan me takime javore, ku mësuesit dhe nxënësit filluan të flasin për veprime konkrete vullnetarizmi. Me mbështetjen e programit, gjatë takimeve, mësuesit provuan të përdornin module të caktuara trajnimi në mënyrë që anëtarë e klubit të tyre të përgatiten më mirë për veprimtaritë e vullnetarizmit.
Moduli i parë kishte të bënte me reflektimin për aftësitë dhe kapacitetet e pjesëmarrësve, moduli i dytë prezantoi ciklin e përgatitjes për veprimin vullnetare, duke përfshirë analizën e nevojave të komunitetit dhe si të zhvillojmë ide që trajtojnë problemet, dhe moduli i tretë reflektonte rreth sukseseve dhe boshllëqeve të projektit. Klubet vullnetare në secilën prej shkollave të përzgjedhura takohen rregullisht përgjatë disa muajve dhe përveç se mësojnë aftësi të reja, secili nga klubet zbaton të paktën një projekt vullnetar deri në fund të programit. Gjithashtu, secili nga projektet u mbështet financiarisht me një kontribut simbolik sipas nevojës.
Në pesë vite, projekti arriti të niste 29 klube të të nxënit nëpërmjet shërbimit në 15 bashki në të gjithë Kosovën, duke angazhuar 60 drejtues klubesh për të nxënit nëpërmjet shërbimit me më shumë se 500 anëtarë vullnetarë që iu bashkuan klubeve. Gjatë vitit shkollor u zbatuan 60 projekte të të nxënit nëpërmjet shërbimit në komunitete të ndryshme në të gjithë Kosovën. Si rezultat, mbi 50,000 persona të cenueshëm janë mbështetur në mënyrë direkte dhe indirekte nëpërmjet projekteve që janë zbatuar si pjesë e klubeve të vullnetarizmit. “Ishte vërtet frymëzuese të shikoje përpjekjet dhe pasionin që si mësuesit ashtu edhe nxënësit patën për projektet e vullnetarizmit – dhe ka akoma edhe me shumë interes për klubet e reja që do të nisin së shpejti.” shprehet Hatixhe.
Programi përfshiu edhe studentët nga Fakulteti i Arsimit dhe Departamenti i Psikologjisë nga Universiteti i Prishtinës, që do të bëhen mësuesit dhe psikologët e të ardhmes. Ata përfituan edhe nga teknikat e mësimdhënies informale të ofruara si pjesë e klubeve. Sipas Hatixhesë, ndikimi i përgjithshëm i projektit ishte i trefishtë: mësuesit mësuan metodologji të reja të mësimdhënies që kanë treguar që janë edhe efikase edhe praktike dhe ata i shfrytëzojnë këto përfitime në orët e tyre të zakonshme mësimore; anëtarët e klubit fituan vetëbesim më të lartë në koordimin dhe në aftësitë analitike dhe aftësitë e buta; dhe studentët e Fakultetit të Arsimit dhe Departamentit të Psikologjisë morën eksperiencë të vlefshme në lehtësimin e veprimtarive të të nxënit nga përvoja, si menaxhimi i të rinjve, klubit dhe zbatimi i projektit në komunitetet e tyre.
Hatixhe shpjegon që mbështetja e BE-së për këtë program ishte vendimtar dhe jo vetëm nga pikëpamja financiare. “Mbështetja e BE-së shtoi besueshmërinë dhe rëndësinë e programit te palët e interesit në nivelin e bashkisë dhe atë qendror dhe i dha një shtysë tjetër të rëndësishme në tre vitet e fundit,” shprehet ajo.
Lidhur me projektin
TOKA ka zbatuar programin e të nxënit nëpërmjet shërbimit që nga viti 2017. Në këtë program, TOKA ka përfshirë 2,500 të rinj të moshave 12-17 vjeç prej më shumë se 80 shkolla në 20 komuna të Kosovës. Këta të rinj janë pjesë e klubeve të vullnetarëve të të nxënit nëpërmjet shërbimit që mbështetet nga TOKA. Këto klube drejtohen nga mësuesit ose anëtarë të shoqërisë civile mbi moshën 18 vjeçare, që janë trajnuar në metodologjinë e të nxënit nga përvoja, që e integron të nxënit nga përvoja. Ky program i ekspozon të rinjtë ndaj përvojave konkrete duke zbatuar projektet e të nxënit nëpërmjet shërbimit, duke krijuar kataloge të nevojave të komunitetit të tyre, zgjidhur ose reduktuar problemet e komunitetit të tyre, vendosjes së qëllimeve dhe objektivave, hartimit të buxheteve dhe monitorimit dhe vlerësimit të projekteve. Që nga vitit 2019, projekti është mbështetur nga European Union Office në Kosovë nëpërmjet Instrument for Democracy and Human Rights EIDHR.
Photo credits: TOKA
Please wait while your video is being uploaded...
Don't close this window!