Qytete që lidhen përmes artit | WeBalkans | EU Projects in the Western Balkans

Qytete që lidhen përmes artit

Si po e ndihmon një projekt një artist maqedonas për t’u lidhur me homologët në BE dhe për të promovuar punën e tij jashtë vendit.

SCROLL DOWN

Goce Ilievski është një artist nga Shkupi, Maqedonia e Veriut, që punon me forma të artit kontemporan, tradicional dhe digjital. Ai ka zhvilluar 12 ekspozita solo dhe ka marrë pjesë në ekspozita në grup brenda dhe jashtë vendit, dhe ka fituar shumë çmime për pikturat e tij në vaj, bojëra uji dhe fotografi. Megjithatë, udhëtimi i tij profesional ka pasur peripecitë e veta.

Goce shpjegon se megjithëse familja dhe miqtë e tij kanë qenë gjithmonë mbështetës, është shumë e vështirë të jetosh dhe të fitosh jetesën si artist në Maqedoninë e Veriut.“Tregu këtu është i kufizuar, por për fat të mirë interneti na hap kaq shumë dritare mundësish. Pjesa më e madhe e të ardhurave të mia vjen nga vendet e tjera, dhe duke u fokusuar në internet mund të aplikoj për shumë projekte dhe të promovoj punimet e mia te audienca të reja. Në të kundërt, do të ishte shumë e vështirë që të jetoja vetëm me artin tim.”

Frymëzimin më të madh artistët e marrin nga shkëmbimi me kulturat e tjera, dhe vizitat në vende të tjera të hapin dritare për të shpalosur më gjerë punën tënde. Goce nuk bën përjashtim në këtë aspekt, dhe kur pa njoftimin për të marrë pjesë në projektin CreArt të financuar nga BE-ja, ai aplikoi menjëherë. CreArt (Rrjeti i Qyteteve për Krijimtari Artistike) është një rrjet që përfshin qytete evropiane dhe institucione kulturore publike dhe private. Artistët që morën pjesë në aktivitetet e CreArt u përzgjodhën përmes thirrjeve të hapura, dhe përfituan mundësitë për qëndrim, trajnim dhe promovim në qytetet pjesëmarrëse.

“Pjesa më e madhe e të ardhurave të mia vjen nga vendet e tjera, dhe duke u fokusuar në internet mund të aplikoj për shumë projekte dhe të promovoj punimet e mia te audienca të reja. Në të kundërt, do të ishte shumë e vështirë që të jetoja vetëm me artin tim.”

Goce Ilievski

Frymëzimi dhe lidhjet

Aplikimi i Goce-s ishte i suksesshëm dhe projekti i dha atij mundësinë që të vizitonte Kaunasin, Lituani, ku ai qëndroi për një muaj dhe ekspozoi punimet e tij. “Megjithëse periudha e qëndrimit nuk ishte më e mira, pasi bënte shumë ftohtë, njerëzit ishin shumë të këndshëm dhe të dashur. Më pëlqeu edhe pejsazhi, si dhe mënyra se si funksiononte komuniteti dhe sistemet e tyre infrastrukturore.”

Përpos frymëzimit dhe pasurimit kulturor, ky udhëtim i mundësoi Goce-s të kapërcente shqetësimin e tij kryesor profesional, pra t’i shiste punimet e tij jashtë vendlindjes, Maqedonisë së Veriut.

“Kjo ishte një përvojë shumë e vlefshme, pasi tashmë kam kanale dhe mundësi shtesë për të shitur artin tim përmes lidhjeve dhe aftësive të mia të fituara rishtazi.”

Goce Ilievski

Vizita e tij studimore përfshiu trajnime ku ai mësoi për vendosjen e lidhjeve ndërmjet artistëve dhe agjentëve të shitjeve nga vende të ndryshme, dhe për promovimin e bashkëpunimit të përbashkët artistik midis kufijve.“Kjo ishte një përvojë shumë e vlefshme, pasi tashmë kam kanale dhe mundësi shtesë për të shitur artin tim përmes lidhjeve dhe aftësive të mia të fituara rishtazi,” shprehet Goce, duke shtuar se beson se ky ishte ndoshta përfitimi kryesor i përvojës së tij.

Krijimi i qyteteve “kulturalisht të gjalla”

Partneri koordinues i rrjetit CreArt është një fondacion kulturor spanjoll, Fundacion Municipal De Cultura – Ayuntamiento De Valladolid. Institucioni partner në Maqedoninë e Veriut është qyteti i Shkupit, i cili iu bashkua projektit në fazën e dytë të tij. Goce është një nga 380 artistët dhe 65 kuratorët që kanë marrë pjesë tashmë në aktivitete të rrjetit, që prej prezantimit të tij para tetë vitesh.

 

I financuar nga Programi Creative Europe i Bashkimit Evropian, motoja e CreArt është: “Kur është kulturalisht i gjallë, qyteti është më i shëndetshëm dhe më i lirë”. Kërkimi i kryer nga rrjeti ka treguar vlerën e krijimtarisë artistike për zhvillimin vendas, jo vetëm për krijimin e vendeve të punës, por edhe për tërheqjen e investitorëve dhe kontributin në inovacionin social. Përmes shtimit të mundësive për operatorët kulturorë, kjo platformë bashkëpunuese po luan një rol kyç në zhvillimin krijues, social dhe ekonomik të qyteteve në mbarë Evropën.

 

Photo Credits: Gorjana Jordanovska

 

Please wait while your video is being uploaded...

Don't close this window!

Subscribe to the newsletter

I have read and understood the terms of the privacy statement.