Biznes në një çantë shpine | WeBalkans | EU Projects in the Western Balkans

Biznes në një çantë shpine

Financimi i BE-së ka ndihmuar një sipërmarrëse nga Bosnje dhe Hercegovina në rrugëtimin e saj për të ngritur një biznes që mbështet rrugëtimet e të tjerëve

SCROLL DOWN

Azra Hodžić nga Bosnje dhe Hercegovina ka qenë gjithmonë një udhëtare entuziaste. Përpara pandemisë së COVID-19-ës, ajo udhëtonte për punë dhe për kënaqësi, dhe kishte vizituar vende të shumta. Udhëtimet e bëjnë të lumtur dhe një udhëtim në Berlin para disa vitesh u kthye në pikënisjen e papritur të një nisme të re biznesi.

Azra po kërkonte një çantë shpine që ta përdorte në këtë udhëtim, por edhe kur të kthehej në shtëpi. Ajo nuk po gjente dot një model që përmbushte nevojat e saj të posaçme, ndaj, sapo u rikthye në Sarajevë, projektoi një model që i përshtatej qëllimit të saj dhe e qepi bashkë me të atin.

”Të gjithë më komplimentuan për çantën e shpinës dhe më pyetën se ku e kisha marrë. Kur u thashë se e kisha bërë vetë, njëra nga shoqet më pyeti nëse mund të bëja një për të”.

Azra Hodžić

Çanta e parë e shpinës që Azra projektoi dhe qepi me babanë e saj ishte një model i thjeshtë, por ishte pikërisht ajo që i duhej. Çanta u ra menjëherë në sy kolegëve të saj në shoqërinë ku punonte. ”Të gjithë më komplimentuan për çantën e shpinës dhe më pyetën se ku e kisha marrë. Kur u thashë se e kisha bërë vetë, njëra nga shoqet më pyeti nëse mund të bëja një për të”, thotë Azra.

Pas porosisë së parë, erdhën kërkesa të tjera, deri sa Azra kuptoi se kjo mund të kthehej në një punë konkrete. Ajo krijoi një faqe në media sociale ku reklamonte modele me një sërë dizajnesh. Gjithashtu, asaj i lindi një ide shumë krijuese për emrin e biznesit të saj. Ranac do të thotë ‘çantë shpine’ në gjuhën boshnjake, dhe St do të thotë ‘shën’. Kjo ishte arsyeja për emrin e shoqërisë ST RANAC të Azra-s, por ajo vuri re se, kur këto dy fjalë bëheshin bashkë, merrnin dhe një kuptim tjetër. Stranac në gjuhën boshnjake do të thotë ‘i huaj’.

Biznesi eci mirë për dy vite. Azra projektonte dhe i ati qepte. Megjithatë, rritja e vazhdueshme e numrit të porosive e detyroi Azra-n të gjente një zgjidhje për t’u zgjeruar më tej. Ajo nuk kishte trajnimin e duhur për menaxhimin e biznesit dhe as pajisjet e mbështetjen për marketing dhe reklamim.

“Më parë, nuk kisha mundësi të blija sasi të mëdha materialesh bazë, pasi varesha prej fitimeve nga porositë. Me mbështetjen e BE-së, kalova në nivel tjetër. Tani mund t’i përgjigjem një kërkese më të madhe nga klientët dhe jam gati të kem një shoqëri të madhe”

Azra Hodžić

Një shok i tregoi për programin EU4Business, që mbështet shoqëritë e reja dhe sipërmarrësit aspirantë për menaxhimin dhe rritjen e biznesit. Azra aplikoi dhe mori trajnimin e nevojshëm të menaxhimit të biznesit, që zgjati për më shumë se dy muaj. Gjithashtu, ajo mori dhe një makinë qepëse industriale të re, që i bëri të mundur babait të saj të prodhonte më shumë produkte për një kohë më të shkurtër, si dhe mbështetje financiare për blerjen paraprake të materialeve bazë në sasi të madhe.

“Më parë, nuk kisha mundësi të blija sasi të mëdha materialesh bazë, pasi varesha prej fitimeve nga porositë. Me mbështetjen e BE-së, kalova në nivel tjetër. Tani mund t’i përgjigjem një kërkese më të madhe nga klientët dhe jam gati të kem një shoqëri të madhe”, thotë Azra.

Teksa bota kërkon për mënyra të reja të udhëtimit në realitetin e COVID-19-ës, Azra ka pritshmëri se biznesi i saj do të rritet më tej. Ajo planifikon ta zgjerojë gamën e produkteve që ofron dhe, së shpejti, t’u ofrojë punësim në shoqërinë e saj dhe personave të tjerë. Ajo ka hasur padyshim sfida, por me pasionin dhe punën e saj të palodhur, si dhe me pak ndihmë nga BE-ja, ka arritur t’ia dalë.

Rreth EU4Business

EU4Business synon të stimulojë zhvillimin e sipërmarrjes, sektorët për eksport dhe turizmin dhe bujqësinë në Bosnje dhe Hercegovinë. Programi financohet bashkërisht nga Bashkimi Evropian (15 milionë euro nga fondet e paraaderimit) dhe qeveria gjermane (1.1 milionë euro). Projekti zbatohet nga GIZ (Korporata gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar), Organizata Ndërkombëtare e Punës dhe Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara dhe do të përfundojë në mars të vitit 2022.

Photo credits: ST. RANAC

Please wait while your video is being uploaded...

Don't close this window!

Subscribe to the newsletter

I have read and understood the terms of the privacy statement.