Sipërmarrësja nga Bosnje dhe Hercegovina, e frymëzuar nga bebet | WeBalkans | EU Projects in the Western Balkans

Sipërmarrësja nga Bosnje dhe Hercegovina, e frymëzuar nga bebet

Një projekt i financuar nga BE-ja mbështet një nënë sipërmarrëse në rrugëtimin e saj për të ngritur një biznes novator.

SCROLL DOWN

Mirna Perendija është një nënë e tri fëmijëve nga Sarajeva, Bosnje dhe Hercegovinë. Ajo punoi për një kohë të gjatë në një sërë punësh, që nga sektori bankar deri në tregti. Trembëdhjetë vjet më parë ajo u bë nënë për herë të parë dhe fëmija i saj, krahas lumturisë dhe gëzimit, shërbeu si zanafillë për një biznes novator. Sot, trembëdhjetë vite më vonë, ajo është pronarja e një shoqërie të vogël që po lulëzon, me mbështetjen e BE-së. Krahas mbulimit të tregut vendas, ajo po planifikon ta hedhë produktin e saj dhe në tregun e BE-së.

Mirna mban mend se, në kohën kur u bë prind, në Bosnje dhe Hercegovinë nuk kishte mbajtëse ergonomike bebesh. Ajo mundi të merrte një të tillë me ndihmën e miqve që jetonin jashtë vendit. Për fëmijën e saj të dytë, vendosi ta qepte vetë transportuesin e bebes dhe atëherë filloi të mendonte se mbajtëset e bebeve mund të ishin ide e mirë biznesi. Ato do të zgjidhnin problemin e shumë prindërve të tjerë, të cilët, sikurse Mirna, ishin të detyruar t’i importonin ose blinin ato nga jashtë me ndihmën e miqve dhe të afërmve.

“Atëherë vendosa se nuk do të punoja më për të tjerët, por do të punoja për të zhvilluar biznesin tim”.

Mirna Perendija, Pronare e DracoMom Carriers

Nga punë me kohë të pjesshme në biznes me kohë të plotë

Fillimisht, Mirna prodhonte mbajtëse bebesh për miqtë, të afërmit dhe kolegët, si punë me kohë të pjesshme nga shtëpia. Megjithatë, me kalimin e kohës kërkesat filluan të shtoheshin, dhe në vitin 2015 ajo mori vendimin ta kthente këtë punë me kohë të pjesshme në një sipërmarrje më të madhe. “Vendosa që nuk do të punoja më për të tjerët, por do të punoja për të zhvilluar biznesin tim”, thotë ajo.

Ajo i përmirësoi vazhdimisht produktet e saj duke modifikuar, përshtatur dhe përsosur modelin dhe funksionalitetin e mbajtëseve të saja të bebeve. Me rritjen e kërkesës, ajo punësoi punonjës me kohë të pjesshme që e ndihmuan me prodhimin. Megjithatë, pas një farë kohe, iu desh të bënte një hap më të madh. Asaj i mungonte informacioni për menaxhimin e biznesit dhe aftësitë për zgjerimin e mëtejshëm të biznesit të saj, dhe i duheshin edhe makineri. Ajo mësoi për projektin EU4Business të financuar nga BE-ja. “E pashë këtë mundësi në Facebook dhe mendova “kjo është pikërisht ajo që më nevojitet”, ndaj vendosa të aplikoja”, thotë Mirna.

“Besoj fort në sipërmarrjet nga gratë dhe mendoj se sipërmarrëset gra mund të bëjnë mrekulli me pak mbështetje. Prandaj, shpresoj se do të mund të punësoj të paktën tri nëna të tjera beqare në shoqërinë tonë, pasi dhe unë kam qenë nënë beqare.”

Mirna Perendija, Pronare e DracoMom Carriers

Me mbështetjen e projektit EU4Business, Mirna u trajnua për aftësitë e menaxhimit të biznesit dhe iu dha një shumë prej €5,000 si mbështetje financiare, me të cilën bleu një makineri më të mirë. Nëpërmjet këtij investimi, ajo arriti të rriste cilësinë dhe sasinë e prodhimit dhe tani mban certifikimet e nevojshme ndërkombëtare për produktet për eksport në shtetet anëtare të BE-së.

Ajo është duke planifikuar zgjerimin e mëtejshëm të biznesit të saj dhe rritjen e mëtejshme të numrit të punonjësve dhe bashkëpunëtorëve. “Besoj fort në sipërmarrjet nga gratë dhe mendoj se sipërmarrëset gra mund të bëjnë mrekulli me pak mbështetje. Prandaj, shpresoj se do të mund të punësoj të paktën tri nëna të tjera beqare në shoqërinë tonë, pasi dhe unë kam qenë nënë beqare”, thotë Mirna.

Rreth projektit

EU4Business synon të stimulojë zhvillimin e sipërmarrjes, sektorët për eksport dhe turizmin dhe bujqësinë në Bosnje dhe Hercegovinë. Buxheti i përgjithshëm i financimit të EU4Business është 16 milionë euro, që financohet bashkërisht nga Bashkimi Evropian (15 milionë euro) dhe qeveria gjermane (1.1 milionë euro). Projekti zbatohet bashkërisht nga GIZ (Korporata gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar), Organizata Ndërkombëtare e Punës dhe Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara dhe do të përfundojë në mars të vitit 2022.

Photo credits:DracoMom Carriers

Please wait while your video is being uploaded...

Don't close this window!

Subscribe to the newsletter

I have read and understood the terms of the privacy statement.