Adresimi i sfidave me të cilat përballen fëmijët me aftësi të kufizuara në Ballkanin Perëndimor | WeBalkans | EU Projects in the Western Balkans

Adresimi i sfidave me të cilat përballen fëmijët me aftësi të kufizuara në Ballkanin Perëndimor

Një projekt i financuar nga BE-ja mbështet sistemin e ri të vlerësimit për fëmijët me aftësi të kufizuara në Bosnje dhe Hercegovinë.

SCROLL DOWN

Në vitin 2018, UNICEF-i publikoi një raport të titulluar “Everybody Counts” që shpalosi sfidat e konsiderueshme me të cilat përballen fëmijët me aftësi të kufizuara në Ballkanin Perëndimor. Raporti i financuar nga BE-ja theksonte se pavarësisht përpjekjeve të qeverive në rajon, fëmijët me aftësi të kufizuara përballen me pengesa të ndryshme, si aksesi i kufizuar në programet e identifikimit dhe ndërhyrjes së hershme, diskriminimi dhe stigma e rrënjosur shoqërore, kostot e larta financiare për familjet, mungesa e mbrojtjes nga dhuna dhe abuzimi, dhe të tjera. Zbulimi më domethënës i raportit ishte se shoqëria përjashtonte sistematikisht që nga lindja fëmijët me aftësi të kufizuara. Raporti i bënte thirrje qeverive të merrnin veprim, që ato e bënë deri diku.

Nga ana tjetër, UNICEF, me mbështetjen e BE-së, lançoi projekte për të adresuar këtë problem. Një nga këto projekte, i zbatuar në Bosnje dhe Hercegovinë, veçanërisht në kantonin Herzegovina-Neretva, u përqendrua në vlerësimin dhe referimin e fëmijëve me aftësi të kufizuara. Qëllimi i projektit ishte të përmirësonte sistemin, që më parë bazohej në vendimmarrjen e pavarur të ekspertëve për nevojat e fëmijës dhe trajektoren e zhvillimit. Qasja e re e prezantuar nga projekti vendos në qendër të vëmendjes familjet dhe fëmijën.

“Qëllimi ynë është një qasje humane dhe jam i kënaqur që ka prindër që kanë zgjedhur këtë metodë. Ne përqendrohemi te fëmija, familja, ekspertët dhe komuniteti. Shpresoj se përpjekjet tona do të jenë të dobishme.”

Darko Kobetić, konsulent i UNICEF në Bosnje dhe Hercegovinë

Darko Kobetić, profesor rehabilitimi, konsulent i UNICEF në Bosnje dhe Hercegovinë dhe autori i “Analysis of Policies and Practices in the Area of Assessment and Referral of Children with Disabilities at the FBiH Level,” është përfshirë në zhvillimin e sistemit të ri të vlerësimit që në fillesat e tij. “Qëllimi ynë është një qasje humane dhe jam i kënaqur që ka prindër që kanë zgjedhur këtë metodë – thotë ai. Ne përqendrohemi te fëmija, familja, ekspertët dhe komuniteti. Shpresoj se përpjekjet tona do të jenë të dobishme.”

Sistemi i ri i vlerësimit përqendrohet tërësisht te fëmija dhe familja, ku mblidhen të gjitha të dhënat e rëndësishme për çdo fëmijë nga të gjitha palët e interesit të përfshira në rritjen dhe vlerësimin e tyre, duke përfshirë prindërit, logopedistët dhe fizioterapistët. Për më tepër, ndryshe nga më parë, anëtarët e organizatave eksperte në shumë sektorë do të koordinojnë zbatimin dhe punën për hartimin e planeve të personalizuara për secilin fëmijë që merr pjesë. Theksi është në fuqizimin e fëmijës dhe familjes, përcaktimin e aftësive, nevojave dhe interesave të fëmijës. Reagimi fillestar nga prindërit ka qenë pozitiv.

Martina, nëna e katër vjeçarit Noa, ndan eksperiencën e saj pozitive me sistemin e ri të vlerësimit: “Mënyra si zhvillohej vlerësimi i mëparshëm ishte stresuese sepse fëmija im mund të mos ishte në humor atë ditë dhe të mos tregonte asgjë. M’u desh ta sillja dy ose tre herë për vlerësimin dhe kjo ishte shumë e pakëndshme. Nuk mund të përcaktosh asgjë në 10 minuta. Gjëja më e rëndësishme për mua është të shoh që Noa po përparon dhe ne duhet të marrim më të mirën prej tij. Ai ka përparuar dhe ky përparim duhet vlerësuar. Unë besoj se ai mund të arrijë shumë dhe ne duhet të punojmë me të.”

“Në Bosnje dhe Hercegovinë ishin shumë të përqendruar në diagnostikim dhe objektivi parësor i vlerësimit ishte identifikimi i llojit të problemit të fëmijës, që ishte dhe përfundimi i procesit të vlerësimit. Zhvendosja e fokusit drejt interesave dhe nevojave të fëmijës, që është edhe zhvendosja nga paradigma mjekësore në atë të drejtave të njeriut është elementi më i suksesshëm i këtij projekti.”

Darko Kobetić, konsulent i UNICEF në Bosnje dhe Hercegovinë

Sipas Darkos, qëllimi parësor i sistemit të ri është identifikimi i hershëm i problemeve dhe ofrimi i planeve më të mira mbështetëse për familjet dhe fëmijët për të parandaluar institucionalizimin. Ata hartojnë një plan vjetor për fëmijën dhe familjen dhe e përditësojnë atë sa herë që ndryshojnë rrethanat. “Ne përgatisim dhe fëmijët dhe familjet për periudhën transitore, kur ata duhet të regjistrohen në kopsht apo në shkollën fillore, si dhe përgatisim shkollat për regjistrimin e fëmijëve me aftësi të kufizuara, në mënyrë që ato të kenë një qasje më të mirë kur të regjistrohet fëmija,” shpjegon Darko.

Darko beson se ndikimi kryesor i projektit ishte ndryshimi i perspektivës dhe përqendrimi në nevojat e fëmijës dhe familjes. “Në Bosnje dhe Hercegovinë ishin shumë të përqendruar në diagnostikim dhe objektivi parësor i vlerësimit ishte identifikimi i llojit të problemit të fëmijës, që ishte dhe përfundimi i procesit të vlerësimit. Zhvendosja e fokusit drejt interesave dhe nevojave të fëmijës, që është edhe zhvendosja nga paradigma mjekësore në atë të të drejtave të njeriut është elementi më i suksesshëm i këtij projekti,” – shprehet Darko.

Rreth projektit

 Zbatimi i vlerësimit dhe referimit të fëmijëve me aftësi të kufizuara është pjesë e programit “Mitigation of the impact of COVID-19 on the lives of children and parents in the Western Balkans and Turkey” të zbatuar nga UNICEF dhe financuar nga BE-ja nëpërmjet European Commission’s Directorate-General for Neighbourhood Policy dhe Enlargement Negotiations (DG NEAR). Nëpërmjet këtij programi prej 5 milionë euro, 490,000 fëmijë dhe prindër në zonën ku zhvillohet programi pritet të kenë akses më të mirë në shërbimet publike që promovojnë zhvillimin në fëmijërinë e hershme, shëndetësinë dhe mbrojtjen si pjesë e rimëkëmbjes nga COVID-19-a.

Photo credits:UNICEF/BHG/Panjeta

Please wait while your video is being uploaded...

Don't close this window!

Subscribe to the newsletter

I have read and understood the terms of the privacy statement.