Young European Ambassadors në Prespa Forum
Young European Ambassadors në Prespa Forum
Young European Ambassadors nga Maqedonia e Veriut ishin pjesëmarrës në edicionin e këtij viti të Prespa Forum Dialogue, i cili ishte organizuar nga data 16 deri më 18 qershor në Ohër. Pjesëmarrja e tyre përfshiu dhe panelin e diskutimit “Western Balkans Next Generation”. Young European Ambassador, Irena Shumenkovska, diskutoi me hollësi mbi çështje që shqetësojnë të rinjtë si përfshirja më e madhe në vendimmarrje dhe problemet e tyre për punë dhe mundësi.
The Prespa Forum Dialogue është një platformë e krijuar nga qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut për të mundësuar që shtetet, liderët, organizatat dhe qytetarët të krijojnë marrëdhënie afatgjata dhe të përforcojnë partneritetet. Eventi i këtij viti mblodhi së bashku përfaqësues të niveleve të larta nga Ballkani Perëndimor dhe vendeve të tjera.
Programi YEA është një rrjet krijues i aktivistëve të rinj nga i gjithë Ballkani Perëndimor (Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia). YEA-të kanë formime të ndryshme, por të gjithë ndajnë një vizion të përbashkët: bashkimin e Ballkanit Perëndimor në diversitet. Ata mësojnë për njëri-tjetrin dhe BE-në së bashku, ndjekin projekte krijuese, fitojnë aftësi të reja, lidhen përmes rrjeteve sociale dhe organizojnë veprimtari frymëzuese – gjithmonë të shtyrë nga ideja se aktivizmi tek të rinjtë është forca më e madhe e ndryshimit social.
Qëllimet e rrjetit përfshijnë: ndarjen e vlerave të BE-së; ndërgjegjësimin për bashkëpunimin e BE-së me partnerët e saj të Ballkanit Perëndimor; paraqitjen e rezultateve konkrete të këtij bashkëpunimi; kontributin në dialogun politik mbi tema të ndryshme; dhe rritjen e aktivizmit civil.
Burimi: Europe House Skopje
Fotot nga: Europe House Skopje