E BËRË NGA NE: Sapo ka nisur një aventurë e mrekullueshme
E BËRË NGA NE: Sapo ka nisur një aventurë e mrekullueshme
WeBalkans dhe Drejtoria e Përgjithshme e Komisionit Evropian për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit (DG NEAR) njoftojnë me krenari nisjen e fushatës ndërgjegjësuese “Made of Us – An EU-Western Balkans road trip” (E bërë nga ne – rrugëtim BE – Ballkani Perëndimor) që synon të promovojë një përshtypje pozitive për BE-në te banorët e Ballkanit Perëndimor, dhe e kundërta. Formati i fushatës karakterizohet nga 12 vlogerë nga BE-ja dhe Ballkani Perëndimor, që janë protagonistët e fushatës të cilët do të udhëtojnë nëpër rajon në çifte të përbëra nga një vloger nga BE-ja dhe një tjetër nga BP-ja. Çdo çift do të udhëtojë në një nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe do t’i bëjnë publike përvojat e tyre përgjatë rrugëtimit nëpërmjet përmbajtjeve online të krijuara prej vetë atyre.
Ambasadori i BE-së në Mal të Zi, znj. Oana Cristina Popa, ambasadori italian, znj. Andreina Marsella, si dhe folës të tjerë, folën në aktivitetin me rastin e nisjes së fushatës, që u mbajt në Shtëpinë e Evropës në Podgoricë. Aktiviteti përfshinte ushqim të frymëzuar nga BE-ja dhe Ballkani, muzikë dhe lidhje me personalitete nga fushatat e mëparshme WeBalkans, si dhe influencues lokalë malazezë të mediave sociale.
Edhe vlogerët që mbulojnë pjesën e Malit të Zi të rrugëtimit, Emir Cirikovi nga Mali i Zi dhe Alice Franchi nga Italia, ndodheshin fizikisht në aktivitet dhe folën të dy bashkë me dhjetë vlogerë të tjerë të Made of Us që morën pjesë online. Pas aktivitetit, ata u nisën menjëherë për rrugëtimin e tyre me autoveturë.
Fushata do të zgjasë gjithsej gjashtë javë, midis 18 prillit dhe 30 majit, dhe çdo javë do t’i kushtohet një prej partnerëve të EB6-s. Vlogerët do të mbulojnë gjithsej 18 projekte të mbështetura, duke përshkuar 6000 kilometra me autovetura, dhe do të takojnë shumë personalitete lokale interesante dhe frymëzuese përgjatë rrugës, ndërkohë që do të shfaqin peizazhet natyrore, pikat më të spikatura dhe trashëgiminë unike kulturore që ofron Ballkani Perëndimor. Dymbëdhjetë vlogerët do t’i regjistrojnë përvojat e tyre nëpërmjet pajisjeve të tyre personale dhe kanaleve të medias sociale, duke e kthyer udhëtimin e tyre në përmbajtje me cilësi të lartë rrjeti dhe mediash sociale, me foto dhe video që do të shpërndahen nëpër kanalet e WeBalkans.
Mos humbisni asnjë moment nga ky rrugëtim emocionues – filloni të ndiqni qysh tani WeBalkans dhe të gjithë vlogerët në Instagram.