Më merr për dore | WeBalkans | EU Projects in the Western Balkans

Më merr për dore

15 Apr 2022

Nikola Krstić është një sipërmarrës i ri nga Serbia, shpikja e të cilit ka bërë bujë të madhe kohët e fundit në tregun ndërkombëtar. Në më pak se dy vjet, Nikola që ishte nxënës në shkollë të mesme arriti të bëhej CEO i një kompanie. Shpikja e tij është një “dorezë-smart”, nëpërmjet së cilës, njerëzit e verbër dhe pjesërisht të verbër mund të orientohen, të njohin ngjyrat, kartëmonedhat dhe objekte të tjera, si dhe të japin sinjale me anë të të cilave, miqtë apo gardianët mund të ndjekin lëvizjet e tyre.

Historia e kësaj shpikjeje nis në kohën kur Nikola ishte akoma në shkollë të mesme dhe mori pjesë në një konkurs ku të rinjtë mund të formulonin dhe të propozonin ide inovative biznesi. Shpikja e tij u frymëzua nga fakti që ai kishte dëmtim shikimi në një sy. “Ideja në vetvete ishte shumë spontane, pasi e kisha pasur këtë problem që nga lindja,”- thotë Nikola.

“Formulimi i idesë ishte vetëm fillimi. Kishim ende një rrugëtim të gjatë përpara”

Nikola Krstić, Anoris Technology

Një mbështetje e domosdoshme

Sidoqoftë, në botën e startup-eve, nuk mjafton kurrë vetëm të kesh një ide rreth asaj që dëshiron të bësh dhe njohuri bazë se si ta bësh realitet. “Formulimi i idesë ishte vetëm fillimi. Kishim ende një rrugëtim të gjatë përpara,”- thotë Nikola. Ai dhe ekipi i tij kishin nevojë për mbështetje për sa i përket ekspertizës dhe financimit për ta zhvilluar më tej idenë.

Potenciali i idesë së Nikolës u vu re nga Fondi për Inovacion në Serbi që, nëpërmjet Programit për Zhvillim të Hershëm me financim nga Bashkimi Evropian, mbështeti zhvillimin e produktit novator, të cilin Nikola e titulloi Anora.

Nikola shpjegon se fondet janë përdorur kryesisht për të krijuar pjesët fizike të dorezës, pajisjet kompakte elektronike të së cilës ofrojnë të gjitha funksionet e nevojshme për përdorim të përditshëm nga një i verbër. Gjithashtu patën mundësi të investonin më shumë për modelimin e dorezës dhe si rezultat, tanimë kanë një model të thjeshtë, ndërtuar me një material cilësor, i cili, pavarësisht përdorimit të përditshëm, mund të rezistojë për shumë vjet. “Mjetet më të rëndësishme, si pjesët fizike dhe modeli i dorezës, u mundësuan nëpërmjet mbështetjes së BE-së,”- thotë ai.

Doreza përmban dhjetë funksione themelore. Ndër to  është identifikimi i objekteve në hapësirë dhe kthimi i sinjaleve me dridhje, bazuar në largësinë e objekteve, njësoj si një radar. Për më tepër, doreza identifikon ngjyrat, kartëmonedhat dhe të tregon datën e orën. Ajo gjithashtu ndihmon për orientimin dhe nëse personat që e kanë veshur humbasin rrugën, doreza u dërgon vendndodhjen e tyre miqve ose kujdestarëve.

“Mbështetja nga BE-ja ishte thelbësore, duke qenë se më parë isha thjesht një maturant, por tani jam drejtues i një kompanie që po krijon një produkt të domosdoshëm që do të njihet botërisht.”

Nikola Krstić, Anoris Technology

Kompania Anoris Technology, nën drejtimin e Nikolës ka lidhur marrëveshje për prodhimin dhe shpërndarjen e dorezës-smart Anora në ShBA dhe, së shpejti, po planifikojnë të hapin atje një filial të kompanisë. Gjithashtu, po zhvillohen komunikime dhe koordinime me partnerët në shtetet e BE-së.

Nikola shpjegon se strategjia e tyre është ofrimi falas i produktit për përdoruesit përfundimtarë, me shpenzime të mbuluara nga bizneset me përgjegjësi publike, organizatat e ndihmës, apo institucionet qeveritare. Me mbështetjen e qeverisë, në Serbi janë gati të shpërndajnë falas rreth 5,000 doreza. Sipas Nikolës, asgjë prej këtyre nuk do të kishte qenë e mundur pa mbështetjen e Evropës. “Mbështetja nga BE-ja ishte thelbësore, duke qenë se më parë isha thjesht një maturant, por tani jam drejtues i një kompanie që po krijon një produkt të domosdoshëm që do të njihet botërisht,”- thotë ai.

Lidhur me projektin

Serbia është një ndër vendet e para në rajon që ka përqafuar të ashtuquajturën nevojë të domosdoshme për inovacion– idenë që pjesëmarrja e suksesshme në ekonominë botërore, bazuar te njohuria, ka nevojë për aftësinë për të përshtatur dhe përmirësuar kapacitetet teknologjike dhe studimore nëpërmjet bashkëpunimit të sektorit publik dhe atij privat. Fondi i saj për Inovacion, i cili ka qenë aktiv që nga viti 2011, është pioner për zbatimin institucional të kësaj nevoje, kryesisht duke rritur kapacitetin e startup-eve dhe të burimeve të disponueshme për rritjen e tyre.  Që kur Fondi nisi operimin në vitin 2011, Bashkimi Evropian i ka dhënë një shtysë të madhe financimit të inovacionit në Serbi dhe fuqizimit të lidhjeve ndërmjet sektorit privat dhe atij të kërkimit. Deri më tani, Instrumenti i Para-anëtarësimit (IPA) ka caktuar fonde me vlerë 17 milion euro për këto programe.

Mëso më shumë

Innovation Fund Serbia

Anora

Photo credits: ANORA

Please wait while your video is being uploaded...

Don't close this window!

Subscribe to the newsletter

I have read and understood the terms of the privacy statement.