Rrugëtim nëpër trashëgiminë kulturore të Ballkanit Perëndimor | WeBalkans | EU Projects in the Western Balkans

Rrugëtim nëpër trashëgiminë kulturore të Ballkanit Perëndimor

Një projekt i financuar nga BE-ja përkrah një mënyrë unike të promovimit të trashëgimisë kulturore në Ballkanin Perëndimor.

SCROLL DOWN

Imagjinoni një rajon në të cilin mund të gjeni monumente nga Greqia e lashtë, perandoria romake dhe osmane, si dhe nga regjimet socialiste. Ky është vendi ku përzihen kulturat lindore me ato perëndimore, në ushqim, veshje tradicionale, gjuhë dhe veçori të tjera të trashëgimisë kulturore: ky është Ballkani Perëndimor. Një OJF nga Serbia, Shoqata Manifesto, bashkërisht me partnerët nga Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, ka krijuar një mënyrë unike për promovimin e kësaj trashëgimie kaq pak të njohur.

Koncepti i tyre novator i zhvilluar si pjesë e projektit të financuar nga BE-ja ‘Rrugëtim dhe Histori të Trashëgimisë’. Ata i sjellin vendet e trashëgimisë më pranë vizitorëve dhe rrisin interesin e siteve më pak të njohura përmes ndjekjes së metodave novatore të të treguarit për paraqitjen e fakteve, por edhe historisë gojore dhe legjendave urbane, dhe duke i promovuar ato nëpërmjet metodave bashkëkohore në internet, përfshirë mediat sociale dhe një aplikacion të posaçëm në telefon. Projekti përfshin promovimin e monumenteve nga Lufta e Dytë Botërore, përmes pallateve perandorake dhe vendbanimeve të lashta, duke shkuar deri te vendbanimet parahistorike të vendosura në peizazhe tërheqëse.

Koncepti i Rrugëtimit nëpër Trashëgimi u prezantua fillimisht në Konventën Faro të Këshillit të Evropës për vlerat e trashëgimisë kulturore për shoqërinë, si praktikë e mirë për nismat e udhëhequra nga trashëgimia, të bazuara në komunitet. Ideja e projektit u zhvillua nga ky koncept, ku pjesëmarrësit njihen me skutat e fshehta të zonave pranë tyre përmes një historie interesante. Krahas tërheqjes së turistëve në pikat kulturore vendase, rrugëtimet nëpër trashëgimi tërheqin vizitorë për ofruesit vendas të shërbimeve, të gjithë të lidhur nëpërmjet një historie të caktuar.

“Në çdo muze ose institucion kulturor, ne kemi profesionistë të aftë në fushën e tyre të posaçme, si arkeologjia, antropologjia ose biologjia, por që nuk janë shumë të zotë në tregimin e historive. Ndaj, donim të ndiqnim një qasje të re”.

Ivan Svetozarevic, Menaxher Projekti, Shoqata Manifesto

Një mënyrë tjetër të treguari 

Ivan Svetozarevic është një Menaxher Projekti nga Shoqata Manifesto, që fitoi një grant për këtë projekt nga Projekti Zhvillimi dhe Promovimi i Turizmit, i financuar nga BE-ja dhe i zbatuar nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal. Ai shpjegon se ideja e projektit u zhvillua duke u bazuar në një sërë sfidash të caktuara me të cilat përballej industria e turizmit për promovimin e trashëgimisë kulturore. Sfida kryesore ishte mungesa e metodave tërheqëse të interpretimit dhe tregimit të historive për trashëgiminë kulturore në përgjithësi, dhe trashëgiminë kulturore në zonat rurale në veçanti.

“Në çdo muze ose institucion kulturor, ne kemi profesionistë të aftë në fushën e tyre të posaçme, si arkeologjia, antropologjia ose biologjia, por që nuk janë shumë të zotë në tregimin e historive”, thotë ai.

Projekti përzgjodhi tetë vendndodhje në tre vende të Ballkanit Perëndimor, ku përfshihen Felix Romuliana në Serbi, fortesa mesjetare Svač në Malin e Zi, fortesa e Samoil-it në Maqedoninë e Veriut dhe të ngjashme, dhe u punësuan profesionistë për krijimin e historive bazuar në fakte, por edhe në historinë gojore dhe legjendat urbane, dhe zhvilluan një qasje unike ku historia vendoset në një kontekst më të gjerë. “Donim të ofronim një qasje të re të të treguarit të historive për trashëgiminë në Ballkanin Perëndimor, një produkt të ri”, thotë Ivan-i. Krahas kësaj, projekti zhvilloi vendkalime të posaçme përreth siteve. Këto vendkalime përfshijnë bizneset vendase, si dyqanet e vogla dhe restorantet, duke ofruar një mundësi për angazhimin dhe sigurimin e përfitimeve për komunitetet dhe bizneset vendase përreth siteve.

“Shumica e vizitorëve zgjedhin automatikisht qytezat dhe qytetet e mëdha kur bëhet fjalë për turizmin kulturor. Sitet e përzgjedhura nga projekti ynë ndodhen kryesisht në zona rurale, që tashmë përfitojnë ekonomikisht nga turizmi” 

Ivan Svetozarevic, Menaxher Projekti, Shoqata Manifesto

Sitet e përzgjedhura janë nga Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Vendkalimet dhe historitë ngarkohen në faqen e internetit dhe aplikacionin në telefon të zhvilluar nga projekti, me qëllim që vizitorët të kenë mundësi t’i vizitojnë dhe shijojnë sitet në mënyrë të pavarur. Kështu, vizitorëve u jepet mundësia të kenë një përvojë ndërkufitare gjatë njohjes me trashëgiminë kulturore të promovuar nga projekti. Në këtë mënyrë, projekti kontribuon në promovimin e përbashkët të ofertës së turizmit kulturor rajonal, zgjat qëndrimin e vizitorëve në rajon dhe rrit të ardhurat dhe punësimin në industrinë e turizmit.

Pjesa më e madhe e siteve të përzgjedhura nga projekti ndodhen në zona rurale dhe, sikurse shpjegon Ivan-i, “Shumica e vizitorëve zgjedhin automatikisht qytezat dhe qytetet e mëdha kur bëhet fjalë për turizmin kulturor. Sitet e përzgjedhura nga projekti ynë ndodhen kryesisht në zona rurale, që tashmë përfitojnë ekonomikisht nga turizmi”.

Rreth projektit

Projekti Zhvillimi dhe Promovimi i Turizmit, i financuar nga BE-ja dhe i zbatuar nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, ka vlerë 5 milionë euro. Ky projekt punon për zhvillimin dhe promovimin ndërkombëtar të ofertave të përbashkëta rajonale të turizmit kulturor dhe aventuresk, duke rritur numrin e turistëve që vizitojnë gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor dhe duke zgjatur qëndrimin e turistëve në rajon. Shoqata Manifesto ishte ndër përfituesit e grantit në raundin e dytë të granteve të dhëna në muajin tetor 2019, me vlerë deri në 54,000 euro secili. Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC) është një nismë e bashkëfinancuar nga BE-ja, që promovon bashkëpunimin, pajtimin dhe zhvillimin ekonomik dhe shoqëror në rajon.

Photo credits: Association Manifesto

Please wait while your video is being uploaded...

Don't close this window!

Subscribe to the newsletter

I have read and understood the terms of the privacy statement.