Mësimi rreth artit të biznesit në një vend të pazakontë | WeBalkans | EU Projects in the Western Balkans

Mësimi rreth artit të biznesit në një vend të pazakontë

Një sipërmarrës i ri nga Serbia udhëton në një fshat të vogël në Spanjë për të mësuar artin e biznesit.

SCROLL DOWN

Torralba de Ribota ka vetëm 120 banorë dhe ekonomia e saj është shumë larg gjallërueses. Ky fshat në verilindje të Spanjës nuk ka dyqane dhe ka vetëm një bar, dhe burimi kryesor i të ardhurave për banorët është bujqësia. Por një sipërmarrës 31-vjeçar serb, Mladen Savković, vendosi të kalonte një muaj atje për të përmirësuar aftësitë e tij në biznes.

Mladen është profesionist i marrëdhënieve me publikun (PR), i cili pas një përvoje 10-vjeçare si gazetar dhe profesionist i pavarur në PR për veprimtari artistike dhe kulturore, vendosi të hapte agjencinë e tij të PR-it. Megjithatë, Mladen kuptoi se i nevojitej mbështetje për të pasur performancë më të mirë. “Lexova një histori të një gruaje nga Serbia e cila kishte themeluar një shoqëri, që prodhon makarona artizanale. Për të përmirësuar biznesin e saj, ajo kishte aplikuar për të marrë financim nga BE-ja që të shkonte për disa muaj në Siçili ku do të mësonte zanatin nga ekspertët. Kjo m’u duk zgjidhja ideale për mua! Ndaj, fillova të hulumtoja se si ia kishte arritur,” – thotë ai.

“Mendova që nëse mëson si ta angazhosh audiencën atje, mund ta angazhosh audiencën kudo.”

Mladen Savković, sipërmarrës

Kështu Mladen zbuloi projektin MOVE-YE, që financohet nga programi COSME i Bashkimit Evropian. Si shumë të rinj të tjerë, Mladen e shfrytëzoi mundësinë e një vizite pune në një vend të BE-së. Duke qenë se flet spanjisht, Spanja ishte zgjedhje e padiskutueshme.

Cili ishte destinacioni?

Ideja e tij e parë ishte Madridi ose Barcelona. Ai shpjegon që kishte shumë shoqëri që pranuan ta prisnin dhe shumica ishin në fushën e turizmit, teknologjisë së informacionit, dhe sektorë të tjerë. Megjithatë, atë e tërhoqi një mundësi në sektorin kulturor në Torralba de Ribota.

“Më intervistuan dy zonja që drejtojnë Festivalin Saltamontes të artit dhe muzikës në fshat, dhe më lanë mbresa. Ky është një fshat i vogël dhe ato kishin arritur të organizonin një festival të suksesshëm arti! Mendova me vete që nëse mëson si ta angazhosh audiencën atje, mund të angazhosh çdo audiencë kudo, dhe vendosa që ishte mundësia e duhur për mua.”

Mladen kaloi një muaj duke punuar në Festivalin Saltamontes. Ai e pa rëndësinë e promovimit të artit dhe kulturës jashtë zonave urbane, ku ende përbën një pjesë jetike të përditshmërisë, por disi më ndryshe. “Jam më i ndërgjegjësuar rreth rëndësisë së ndërveprimit me komunitetin vendor dhe vëmendjen ndaj nevojave dhe interesave të tyre kulturore.” – thotë ai.

“Jam më i ndërgjegjësuar rreth rëndësisë së ndërveprimit me komunitetin vendor dhe vëmendjen ndaj nevojave dhe interesave të tyre kulturore.”

Mladen Savković

Le ta sjellim përvojën në shtëpi

Mladen punon kryesisht me institucione që organizojnë aktivitete dhe festivale kulturore. Tani ai po planifikon që t’i prezantojë klientët e tij në Serbi me metodat e angazhimit të audiencës të cilat i mësoi në Spanjë. “Mund të bësh një ekspozitë dhe ta lësh me kaq, por unë mësova se është e rëndësishme të punosh me audiencën dhe të përqendrohesh tek angazhimi i komunitetit më intensivisht. Përvoja në Festivalin Saltamontes më bëri të gjeja ide që mund t’i zbatoj në Serbi.” – thotë ai.

Projekti MOVE-YE (Mobilizimi i Vlerave dhe Ideve Sipërmarrëse në Evropë) i financuar nga BE-ja synon të përmirësojë kulturën sipërmarrëse dhe rrjetëzimin e sipërmarrësve evropianë. Me financimin e programit COSME, ofron mundësi për sipërmarrësit e rinj dhe me përvojë që të vëzhgojnë praktika të ndryshme biznesi, të kuptojnë tregje të reja, dhe të ndërkombëtarizojnë e të sjellin risi në biznesin e tyre përmes një skeme mobiliteti ndërkufitar.

Photo Credits: Mladen Savković

Please wait while your video is being uploaded...

Don't close this window!

Subscribe to the newsletter

I have read and understood the terms of the privacy statement.