Veshjet tradicionale për dasmat moderne kosovare | WeBalkans | EU Projects in the Western Balkans

Veshjet tradicionale për dasmat moderne kosovare

Një projekt i financuar nga BE-ja ndihmon për rigjallërimin e artizanatit tradicional

SCROLL DOWN

Dollomaja është një petk uniseks, me gjatësi deri te gjuri ose kërciri, që vjen pas belit, me fund jo shumë të gjerë dhe me mëngë të gjata e të bollshme. Fjala dolloma, e prejardhur në turqisht nga “të mbështjellësh”, tregon se bëhet fjalë për një veshje të sipërme. Në perandorinë Otomane, kjo veshje përdorej nga jeniçerët. Ata ishin njësi elitare këmbësorie që shërbenin si trupë personale e sulltanëve otomanë dhe dalloheshin për disiplinën e rreptë, rregullin, egërsinë dhe kurajën në betejë. Veshja e tyre njihej si kaftan dolama.

 

Përgjatë shekujve, dollomaja u kthye në një veshje që vishej veçanërisht nga gratë e pasura. Sidoqoftë, edhe mes tyre, dollomaja ishte një veshje praktike. Dollomaja është një veshje e rëndësishme për raste dhe ceremoniale të veçanta në shumë komunitete të tjera, edhe në shumë territore të cilat bënin pjesë më parë në perandorinë Otomane, përfshirë edhe Ballkanin Perëndimor.

Në Kosovë, dollomaja është ruajtur si veshje ceremoniale; madje në rajone të caktuara, dasmat nuk përfytyrohen dot pa këtë rrobë të veçantë. Sot, vishet nga nuset dhe gratë e reja, në po aq variante sa dhe komunitetet që ekzistojnë në Kosovë.

“Para disa kohësh, veshjet tradicionale thuajse u harruan krejtësisht. Në njëfarë mënyre, të rinjtë u modernizuan dhe nuk po vishnin më veshje tradicionale si dollomatë në dasmat e tyre. Me kalimin e kohës, veshja tradicionale u kthye sërish në modë si veshje dasmash. Ditët e sotme, vajzat e reja po e kombinojnë edhe me fundet: dollomaja po modernizohet.”

Sebahate Kabashi, trajnuese për artizanatin tradicional

Në Prizren, dollomatë e qëndisura me dorë kërkohen shumë, ndryshe nga versionet e prodhuara në fabrikë. Nevojiten javë të tëra– dhe sigurisht, shumë kujdes dhe dashuri – për të bërë një veshje të tillë dhe punimet e mrekullueshme artisitke, të bëra me dorë, shiten deri në 2000 euro. Teknika e krijimit të dollomasë është unike dhe nuk mësohet nëpër shkolla apo institucione të tjera zyrtare. Si rezultat, kjo mjeshtëri artizanale ka qenë në rrezik që të humbiste, pavarësisht kërkesës së lartë të tregut.

Për këtë arsye, një OJQ nga Prizreni, e quajtur “Ec ma ndryshe” ka filluar të punojë për të mbajtur traditën gjallë, që të ndihmojë ata që dëshirojnë të ruajnë dhe rigjallërojnë traditat, por me një nuancë disi moderne. Me mbështetjen e BE-së, ata kanë organizuar trajnime për t’u mësuar grave artizanatin tradicional të bërjes së dollomave.

Sebahate Kabashi është një artizane me përvojë e dollomasë, e cila ka kohë që trajnon gra të tjera për bërjen e dollomasë. “Para disa kohësh, veshjet tradicionale thuajse u harruan krejtësisht. Në njëfarë mënyre, të rinjtë u modernizuan dhe nuk po vishnin më veshje tradicionale si dollomatë në dasmat e tyre. Me kalimin e kohës, veshja tradicionale u kthye sërish në modë si veshje dasmash. Ditët e sotme, vajzat e reja po e kombinojnë edhe me fundet: dollomaja po modernizohet,” thotë ajo.

“E dija që pas përfundimit të këtij trajnimi do të më shtohej puna, por nuk mendoja kurrë se porositë do të vinin kaq shpejt.”

Qamile Bytyqi, kursante

Pjesëmarrësit e kursit thonë se kjo është një mundësi e shkëlqyer për ta përvetësuar këtë art. Për ta, ky është një hap përpara në jetë sepse, duke përdorur talentin e tyre, mund të fitojnë të ardhura dhe të ndihmojnë familjet e tyre. Njëra nga kursantet është Mirlinda, 30 vjeç. Ajo thotë se tradita ka pasur gjithmonë rëndësi, por për bërjen e dollomasë ndikon dhe faktori ekonomik . “Ky artizanat është me fitim dhe të jep mundësinë të punosh nga shtëpia, gjë që është shumë e rëndësishme për ne shtëpiaket. Gjithashtu, ka kërkesë shumë të lartë në qytetin e Prizrenit,” thotë ajo.

Trajnerja, Sebahatja, shton se shumë prej kursantëve filluan nga puna ende pa e përfunduar kursin. Njëra nga këto kursante të suksesshme është Qamile Bytyqi. Pas përfundimit të kursit, ajo i bëri publike punimet e saj në Facebook dhe Instagram dhe porositë filluan të vinin menjëherë. “E dija që pas përfundimit të këtij trajnimi do të më shtohej puna, por nuk mendoja kurrë se porositë do të vinin kaq shpejt,” thotë ajo.

Lidhur me projektin

Trajnimi u zhvillua si pjesë e projektit “Women and youth for community development and cultural heritage”, vënë në zbatim nga OJQ-ja “Ec Ma Ndryshe”. Projekti është zbatuar me mbështetjen e një granti financiar të siguruar nga projekti “Cultural Heritage as a Driver for Intercommunity Dialogue and Social Cohesion”, i financuar nga European Union’s Instrument contributing to Stability and Peace (IcSP), dhe zbatuar nga UNDP Kosovo.

Photo credits: Ec ma Ndryshe

Please wait while your video is being uploaded...

Don't close this window!

Subscribe to the newsletter

I have read and understood the terms of the privacy statement.