'Udhë’ gjen një mënyrë për të ofruar udhëtime të përbashkëta me makinë në Kosovë | WeBalkans | EU Projects in the Western Balkans

'Udhë’ gjen një mënyrë për të ofruar udhëtime të përbashkëta me makinë në Kosovë

16 Mar 2022

Kur ishte student në Prishtinë, Eroll Gorçit i duhej të udhëtonte disa herë në javë nga qyteti i tij i lindjes, Peja, që ndodhet rreth 80 km larg. Taksitë ishin shumë të shtrenjta, ndërsa autobusët nuk ishin edhe aq të shpeshtë. Për këtë arsye, si shumë persona të tjerë që duhet të bëjnë rrugë të gjatë për në punë, ai kërkoi zgjidhje alternative, duke parë nëse ndonjë nga miqtë apo të afërmit e tij do të udhëtonin për në kryeqytet, që të mund të shkonte bashkë me ta.

Erolli ishte student teknologjie e shkencash kompjuterike. Teksa zhvillonte aftësitë e tij prej IT-je, ai kuptoi se mbushja e zbrazëtisë në transportin inter-urban me një platformë për transport të përbashkët me makinë mund të ishte me interes si biznes. Dhe kështu filloi “Udhë”, aplikacioni i parë për transport të përbashkët me makinënë pjesën jugore të Ballkanit që lidh shoferët me pasagjerët.

 “Para se të krijonim aplikacionin, donim ta testonim metodën nëpërmjet mediave sociale dhe kjo pati sukses.”

Eroll Gorçi, themelues i platformës së transportit të përbashkët me makinë, Udhë

Erolli dhe miqtë e tij e diskutuan fillimisht këtë ide disa vite më parë, ku ranë dakord që të krijonin një faqe në media sociale, ku të interesuarit të mund të komunikonin dhe të planifikonin për të ndarë udhëtimin. “Para se të krijonim aplikacionin, donim ta testonim metodën nëpërmjet mediave sociale dhe kjo pati sukses,”- thotë Erolli.

Brenda një periudhe shumë të shkurtër, grupi i transportit të përbashkët në Facebook grumbulloi rreth 10,000 anëtarë. Kjo vërtetoi se njerëzit kishin interes, kështu që ekipi u bind për mundësinë e zhvillimit të një shërbimi profesional.  Ata filluan të krijojnë aplikacionin për shoferët dhe pasagjerët në fillim të vitit 2020. Meqenëse kishin shumë pak përvojë në këtë lloj sipërmarrjeje, ata aplikuan për projektin VentureUP të financuar nga BE-ja për ndihmë teknike të përqendruar te krijimi i prototipave. Erolli dhe ekipi i tij nxorën përfitime nga webinar-et, instrumentet e marketingut, modelimet e biznesit dhe financimet, të cilat ndihmuan shumë për krijimin e njohurive të tyre në këtë fushë. Për më tepër, ata u fokusuan te grumbullimi sistematik i të të dhënave, gjë që u dha një pikënisje të mirë dhe siguri te modeli i tyre i biznesit dhe për krijimin e aplikacionit.

“Mbështetja e dhënë nga Bashkimi Evropian ishte thelbësore për zhvillimin dhe realizimin e idesë sonë.”

Eroll Gorçi, themelues i platformës së transportit të përbashkët me makinë, Udhë

Aplikacioni u hodh në treg me anë të Google Play dhe Apple Store që në janar të vitit 2021. Komuniteti online tashmë ka mbi 30,000 ndjekës në mediat sociale dhe rreth 15,000 përdorues të aplikacionit për celular. Çdo ditë, ata zgjidhin probleme transporti për qindra pasagjerë. Ekipi prej katër personash tanimë kërkon të shtojë fitimet dhe të sigurojë ndihmën e një investitori engjëll për zgjerimin e biznesit. Ata po planifikojnë të nisin shërbimin në Shqipëri dhe në tregjet e Ballkanit, ku platforma më e madhe e transportit të përbashkët nga BE-ja ka dështuar.

Erolli shpjegon se në sistemin arsimor të Kosovës mungon mësimi për sipërmarrjen, mënyrat e shndërrimit të një ideje në produkt, si dhe për monetarizimin e ideve. Për të, projektet inkubatore janë shumë të rëndësishme për të hedhur hapat e parë të biznesit dhe të sipërmarrjes. “Mbështetja e dhënë nga Bashkimi Evropian ishte thelbësore për zhvillimin dhe realizimin e idesë sonë,”- thotë ai.

Mbi projektin

VentureUP, Projekti Inkubator i Sipërmarrjes i Universitetit të Prishtinës në Kosovë, mbështetur nga Bashkimi Evropian, u jep mundësinë studentëve dhe startup-eve të ndërtojnë biznese punëdhënëse dhe të rrisin shanset për punësim të suksesshëm në Kosovë. Gjatë programit të parë inkubator në vitin 2019, përfunduan programin shtatë startup-e, me një total prej 23 anëtarësh ekipi. Ndër to, katër startup-e u regjistruan si biznese ligjore që gjenerojnë të ardhura, duke punësuar gjithsej 15 persona. Në vitin 2020 pati rreth 12 startup-e me 31 anëtarë ekipi që përfunduan programin e dytë inkubator. Si rezultat, janë regjistruar pesë biznese ligjore, duke gjeneruar kështu të ardhura dhe duke punësuar një total prej 18 personash.

Mëso më shumë

Photo credits: Udhë

Please wait while your video is being uploaded...

Don't close this window!

Subscribe to the newsletter

I have read and understood the terms of the privacy statement.