Ndryshon zbatica për artizanatin tradicional | WeBalkans | EU Projects in the Western Balkans

Ndryshon zbatica për artizanatin tradicional

Ndërtimi i anijeve malazeze prej druri kthehet në një markë të njohur botërisht

SCROLL DOWN

Për një kohë, Petar Bokovac ishte njeriu i vetëm në brigjet malazeze që përdorte teknikat e lashta të ndërtimit të anijeve prej druri. Ai nuk  ishte trajnuar profesionalisht për ndërtimin e anijeve por, që prej viteve ‘60, kryente shërbime riparimi duke përdorur mjeshtërinë tradicional të ndërtimit të varkave prej druri në punishten e tij Bokovac Calafat, në Tivar.

Riparimi i varkave nuk kishte ndonjë përfitim të madh, por  njëzet vjet më parë, Petar dhe djali i tij, Nenad-i, ndërtuan anijen e tyre të parë të peshkimit 30-tonëshe. Më pas, gruaja e Nenadit, Miroslavka, vendosi t’i bashkohej kompanisë dhe ta çonte biznesin në një nivel tjetër, duke e kthyer kështu Punishten Bokovac Calafat në një markë botërore . Miroslavka mori përsipër reklamimin e anijeve prej druri, të ndërtuara nga bashkëshorti i saj dhe babai i tij, gjë që e promovoi mjeshtërinë e tyre – një element i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore dhe potencialit turistik – te komuniteti vendas, autoritetet dhe tregu ndërkombëtar.

“Ajo që mund të ofronim ishte qasja jonë unike.”

Miroslavka Bokovac, punishtja Calafat

Paraqitja e mjeshtërisë vendase për botën

Miroslavka shpjegon se kur hodhi për herë të parë idenë e reklamimit të prodhimit të anijeve prej druri sipas mënyrës tradicionale, komuniteti vendas pati dyshime serioze për të. “Ata pyetën se kush do të interesohej për anijet tona prej druri në këto kohë, ku shikojmë vetëm jahte moderne dhe teknologji të avancuar,”- thotë ajo.

Sidoqoftë, ajo nuk u dorëzua. “Mendova se ajo që mund të ofronim ishte qasja jonë unike.”

Për të ruajtur ekskluzivitetin e markës, familja Bokovac duhet të përmbushë kushtin e përdorimit të materialeve me origjinë malazeze për më shumë se 80% të materialit të përdorur për ndërtimin e anijes. Druri që përdoret për ndërtim është kryesisht ai i manit, i cili njihet mjaft mirë në brigjet malazeze dhe të cilin, familja Bokovac e quan “tiku Malazez”(teak). Është jashtëzakonisht i lehtë në peshë, por edhe shumë i fortë, tipar thelbësor për cilësinë e produktit përfundimtar, duke qenë se druri duhet të kalojë nëpër disa faza të rëndësishme përpunimi para se të përdoret në anije. Miroslavka thotë: “Nuk është gjithmonë e lehtë të blesh dru mani, por duke qenë se gjithmonë e më shumë njerëz në zonën tonë po mësojnë se nevojiten këto materiale, po rritet edhe numri i telefonatave nga pronarët që rrisin pemë mani në tokat e tyre dhe ofrojnë t’i shesin.”

Gjatë viteve të fundit, eventi i ndërtimit të anijeve që tërhoqi vëmendjen e shumicës së mediave në Mal të Zi dhe në rajon, ishte lajmi se Punishtja Bokovac Calafat ishte vlerësuar nga familja mbretërore e Abu Dabit nëpërmjet një porosie për tri anije: një e vogël me një motor, një tjetër vetëm një metër më e gjatë se e para dhe një e tretë 10 metra e gjatë. Nenad-i dhe Petar-i punuan shumë me ekipin e tyre për t’i përmbushur të gjitha kriteret dhe që arritën t’i mbaronin të gjitha mjetet lundruese në kohë. Me mbërritjen e varkave në Emiratet, familja Bokovac u bë një markë e njohur në rang botëror.

“Projekti ReLOaD na ndihmoi me reklamimin e mëtejshëm të këtij zanati në sytë e komunitetit tonë dhe gjithë botës. Ç’është më e rëndësishmja, na ndihmoi t’ua trashëgonim këtë mjeshtëri brezave më të rinj.“

Miroslavka Bokovac, punishtja Calafat

Kohët e fundit, punishtja Calafat ka bashkuar forcat me projektin ReLOaD, të financuar nga BE-ja dhe ka nisur misionin për promovimin e kësaj tradite përgjatë gjithë bregut malazez. Projekti Cattaro Sail ofroi trajnim për të rinjtë për ndërtimin e anijeve dhe promovimin e lundrimit me anë të lajmërimeve dhe rrjeteve sociale. Finalja e madhe ishte eventi “Ditë Lundrimi” dhe Regata e Kotorit. Ky projekt i dhuroi varka lundrimi Muzeut Detar dhe kështu u hodh një hap i madh drejt ruajtjes së kësaj zejeje historike dhe vlerës së saj për turizmin. Mirovlaska thotë për punishten Calafat: “Projekti ReLOaD na ndihmoi me reklamimin e mëtejshëm të këtij zanati në sytë e komunitetit tonë dhe të të gjithë botës. Ç’është më e rëndësishmja, na ndihmoi t’ua trashëgonim këtë mjeshtëri brezave më të rinj.“

Fjala calafat mund të gjendet në Greqisht dhe Arabisht dhe që prej kohëve të lashta, i është referuar zejtarit të mjeteve lundruese, të specializuar për mirëmbajtjen e një skeleti druri. Më vonë, ky term filloi t’u referohej ndërtuesve më me përvojë dhe më të respektuar të anijeve. Punishtja Bokovac është e vetmja në botë që ka të drejtë të përdorë emrin “Calafat”. Për ta, ashtu si edhe për Malin e Zi, është një nder ta mbajnë këtë traditë gjallë.

Lidhur me programin

Programi Rajonal për Demokraci Vendore në Ballkanin Perëndimor (ReLOaD) financohet nga Bashkimi Evropian dhe vihet në zbatim nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim. ReLOaD tanimë ndodhet në fazën e tij të dytë, e cila do të zgjasë deri në vitin 2024.

Photo credits: ReLOaD

Please wait while your video is being uploaded...

Don't close this window!

Subscribe to the newsletter

I have read and understood the terms of the privacy statement.